Lajme
Ndodh edhe kjo| Vetëvendosje përfshihet në organizimin e një proteste kundër opozitës
Demokracia
17:48 | 07 Gusht 2023

Share:

Vetëvendosje duket se ka vendosur që të bëjë atë që… s’do të duhej ta bënte. Kjo parti politike e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti duket se është përfshirë në organizimin e një marshi protestues kundër “qasjeve të opozitës”.

Një përkrahës i partisë në pushtet me emrin Albert Shabani ka bërë kërkesë në Policinë e Kosovës për të organizuar një marsh në Prishtinë.

Kërkesa për këtë marsh – siç thotë ai – i është shkruar edhe nga Vetëvendosje në selinë e tyre të partisë.

Ky marsh protestues do të mbahet me 13 gusht 2023 prej orës 14:00 në “Sheshin e Prishtinës” megjithëse nuk specifikohet saktë se në cilin shesh.

Siç rrëfehet në një video të postuar në Tik-Tok, tashmë ky marsh ka marrë aprovimin e Policisë së Kosovës.

“Përmbajtja e marshit ka të bëjë në mbështetjen e Qeverisë dhe pakënaqësive tona ndaj qasjeve të opozitës së Kosovës.” – shkruhet në kërkesën për lejimin e këtij marshi anti-opozitar dhe pro-pushtetar, përcjell Nacionale.

Nuk është specifikuar saktësisht se për çfarë qasje të opozitës është fjala.

Aty paralajmërohet që marshi në fjalë të zgjas deri në dy orë.

Por, interesante në këtë drejtim është edhe një bisedë e zhvilluar mes Shabanit dhe disa të tjerëve në platformën TikTok.

“Me 13 gusht n’Prishtinë prej orës 14:00,” – tregon Shabani për kohën e mbajtjes së protestës.

“Do t’marrë pjesë n’emër t’Allahut,” – ia kthen njëri nga bashkëbiseduesit e tij.

“…veçse m’ka dalë pak punë me shku n’Qendër t’Vetëvendosjes. Mu ka desht me shku me marrë një shkrim me informu Policinë se çka përmban marshi…. m’ka nimu Qendra e Vetëvendosjes n’Prishtinë. Pra, ma kanë shkru ata… pak idenë e vet, pak ideja jeme. E kena bo një shkrim, e kena çu n’Polici, brenda 5 minuta na e kanë aprovu kërkesën.” – thotë z. Shabani në paraqitjen e tij.

Deri tash, Vetëvendosje nuk ka shpërndarë lajmin për këtë marsh në platformat e saj në rrjetet sociale të Internetit.

Kujtojmë se para disa ditësh gazetarët kanë protestuar ndaj pushtetit pas vendimit të komisionit brenda Ministrisë së Tregtisë që t’i pezullonin certifikatën e biznesit mediumit Klan Kosova.

 

Të ngjashme