Sport
Ndikimi, sfidat dhe vështirësitë e agjerimit te futbollistët dhe gjyqtarët e Kosovës
Demokracia
15:51 | 06 Prill 2022

Share:

Muaji i shenjtë i Ramazanit ka nisur ditë më parë. Besimtarët e fesë Islame do të praktikojnë agjerimin e cila ua ndalon ushqimin dhe pijën për 30 ditë, si njëra nga shtyllat e kësaj feje.

Autor: Amir RAMA

Shumë prej tyre që po e “kursejnë” veten nga ushqimi dhe pija për orë të tëra janë edhe disa futbollistë dhe gjyqtarë të Superligës së Kosovës në futboll.

Kur kampionati elitar i Kosovës po hynë në fazën e fundit të kampionatit dhe përballjet janë më rivalizuese dhe që duhet derdhur më shumë djersë për të arritur objektivin, bënë që agjerimi për disa nga ta të jetë më i vështirë.

Megjithatë, për shkak të bindjeve të tyre fetare, kjo “sfidë” po u letohet atyre.

Nuza: Kam drejtuar finale të Kupës dhe ndeshje të mëdha duke agjeruar

Gjyqtari me stemë të FIFA-s dhe ndër më të dalluarit në futbollin e Kosovës, Genc Nuza ka thënë se agjeron çdo vit.

Nuzën nuk e pengoi agjerimi as kur u delegua të drejtojë ndeshje të mëdha, përfshirë finale të Kupës dhe takime që kanë përcaktuar titullin e kampionit.

Po unë agjeroj çdo vit dhe se nuk e prishi agjerimin as në ndeshje e as në stërvitje, madje ka pas raste që është vendos titulli sikurse në sezonin 2018/19 në ndeshjen Feronikeli – Prishtina isha agjerueshëm. Poashtu, dy finalet e fundit të Kupës kam qenë agjerueshëm e shumë e shumë ndeshje të tjera si edhe kjo e fundit ndërmjet Gjilanit dhe Ballkanit që ishte derbi”, tha gjyqtari Genc Nuza për Demokracia.com.

Nuza tregoi edhe çka ia bënë atij më të lehtë agjerimin gjatë muajit të Ramazanit, pavarësisht se delegohet në ndeshjet kryesore të elitës.

Të them të drejtën kur e ke bindjen e fortë dhe besimin në Allahun, krijuesin e gjithësis gjithçka bëhet më e lehtë e sidomos kur e mendon se Zoti të ka dhënë shëndetin dhe gjitha këto suksese asnjëherë nuk mund të jemi falënderues dhe kjo e bënë krejtësisht të lehtë”, shtoi Nuza.

Zhdrella: Besimi në Zot na bënë më të lehtë agjerimin

Mentor Zhdrella, mesfushori me shumë përvojë i Dukagjinit të Klinës deklaroi se besimi në Zot e bën atë dhe disa bashkëlojtarë të tjerë të agjerojnë dhe ta kalojnë më lehtë atë.

Jo vetëm unë, por edhe plotë futbollistë, bashkëlojtarë agjerojnë këtë muaj. Besimi në Zot na bënë të mos e kemi të vështirë agjerimin e Ramazanit. Sigurisht varet edhe si ushqehesh pas kohës së iftarit”, deklaroi futbollisti Mentor Zhdrella për Demokracia.com.

Sopi: Ngarkesa në stërvitje duhet jetë e dozuar për evitimin e dëmtimeve muskulare.

Për vështirësit të cilat mund t’i sjellë agjerimi tek disa lojtarë ka folur edhe fizioterapeuti i KF Llapit, Art Sopi.

Sopi ka thënë se për shkak të agjerimit, edhe stërvitja duhet jetë më e limituar për të eliminuar dëmtimet e mundshme në muskuj.

Ditët e para të muajit të shenjtë të Ramazanit janë të vështira për futbollistët. Kjo sepse të stërvitesh pa u hidratuar është shumë e vështirë. Preferohet që ngarkesa e stërvitjes të jetë e dozuar për të mos sjellur dehidrimin (humbjen e lëngjeve) apo ndonjë dëmtim eventual të muskujve. Preferohet që futbollistët t’i kushtojnë rëndësi hidratimit, sepse uji përmban 80 për qind të trupit të njeriut. Rëndësi të madhe ka ushqimit karbohidrateve, proteinave, sepse janë burimi kryesor i energjisë së trupit tonë”, theksoi fizioterapeuti i Klubit Futbollistik Llapi, Art Sport për gazetën./Demokracia.com/

Të ngjashme