Lajme
Ndërtimi i vilave në Batllavë| Përkrahësit e LVV-së kapen me Bulliqin dhe drejtorin e tij
Demokracia
13:14 | 12 Shkurt 2023
Ilustrim

Share:

Arkitekti Visar Geci bashkë me Blend Zymin kishin nisur një projekt për ndërtimin e disa vilave në zonën e Batllavës. Projekti do të mbante emrin “Kasolla 34”.

Fillimisht leja mjedisore nga Ministria e Infrastrukturës ishte dhënë. Megjithatë, situata ka ndryshuar ditëve të fundit. Geci e Zymi që njihen për përkrahjen publike të Vetëvendosjes, janë përplasur me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi e drejtorin e Urbanizimit, Leutrim Krasniqi.

Kjo pasi komuna ka vlerësuar se parcela ku ishte planifikuar ndërtimi i këtyre vilave, ka destinim pyjor. Si pasojë, më pas, Ministria e Infrastrukturës e ka refuzuar lejen mjedisore për ndërtimin e këtyre vilave.

Si rezultat, në rrjete sociale ka shpërthyer një përplasje e madhe ndërmjet Gecit e Zymit përballë Bulliqit e Krasniqit në anën tjetër.

Arkitetkti Geci ka akuzuar drejtorin e Bulliqit si duke falsifikuar informatën, ka ndikuar që të refuzohet leja mjedisore nga Ministria.

“Leutrimi poashtu fallsifikon informaten ku mes tjerash shkruan se së pari duhet me u pais me kushte ndertimore ne komune dhe pastaj me pelqim mjedisor ne ministri; e qe eshte e KUNDERTA! Se pari kerkohet pelqimi mjedisor’! Ashtu e parasheh ligji!”, ka shkruar Geci ditë më parë.

Geci ka vazhduar tutje duke akuzuar Ministrinë se është thirrur në informacione të falsifikuara nga Leutrim Krasniqi.

“Pëlqimi mjedisor na u asht refuzuar sepse sipas Naim Alidemes “fletpagesa s’po u pajka mirë” plus u referu ilegalisht ne llafe te email-ave nga Leutrim Krasniqi e jo ne predispozita ligjore! Asht VEPER PENALE me pranu me u ndiku! Asht VEPER PENALE mos me paraqit n’polici kondo qe tenton me ndiku! Asht VEPER PENALE me refuzu nje pelqim mjedisor per nje dokument qe NUK e ke kerku edhe NUK KI DREJT me kerku! Asht VEPER PENALE me refuzu nje pelqim tu u thirr ne informata te fallsifikuara!”, ka shkruar Geci më tutje.

Në disa postime, Geci e Zymi kanë ofenduar drejtorin e Bulliqit lidhur me ndikimin që të refuzohet kjo leje.

“Une mendoj qe ma shum’ keni me m’su prej meje n’FB qysh projektohet e qysh ruhet ambienti e qysh duhet ligjerisht me i njek procedurat se qe keni me msue ne fakulltet! Sado qe ju mendoni qe na po perlahemi ne fund kena me perfitu shum’ si shoqni! Duhet me u thy k’to tema tabu e me u hjek’ nihere e pergjithmone idea qe nuk lejohet me u ndertu vec pse nu ka tek dikujna tu u thirr ne “ligje” qe nuk egzistojne. Brenga e k’tyne osht qe nese une i marr lejet kan me u qu krejt kush ka prona atje me kerku leje sipas procedurave ligjore. Ku ka ma mire???”, ka shkruar Geci në një nga postimet.

Në anën tjetër, dje drejtori i Urbanizimit në Podujevë, Leutrim Krasniqi, ka bërë një sqarim në rrjete sociale. Ai ka shkruar se nuk do të dorëzohet përballë fyerjeve e kërcënimeve.

“Bazuar në ligjet përkatëse, palët kanë aplikuar për informim për parcelën që ata kanë planifikuar të ndërtojnë villa, por duke u bazuar në Planin Zhvillimor Komunal (PZHK), parcela e tyre ka destinim pyjor. Pas lëshimit të aktit administrativ të kërkesës, është parë e nevojshme nga Drejtoria të bëhen disa ndryshime në të, ashtu edhe siç specifikohet në Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Pas këtij hapi nga informata e marrë jo zyrtarisht për debat publik edhe pse sipas Ligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, komuna duhet të njoftohet. Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit ka dërguar mesazh elektronik, Ministrisë përkatëse, në të cilin është kërkuar bashkëpunim me Drejtorinë në kuadër të mbrojtjes së mjedisit ashtu siç e potencon Ligji për mjedis. Edhe pse procedura për Pëlqim Mjedisor zhvillohet në Ministri, ne si komunë i kemi bërë kërkesë për anulim por jo në ndërhyje në vendimin e tyre, duke u bazuar në PZHK”, ka shkruar Krasniqi, drejtor i Urbanizmit në Podujevë.

“Të gjitha këto veprime nga ana jonë po bëhen me qëllim të mbrojtjes së Liqenit të Batllavës, ashtu edhe siç është e përcaktuar si zonë e mbrojtur në bazë të legjislacionit në fuqi. Ndërsa, veprimet e personave të caktuar janë formë e pastër shantazhi ndaj Komunës, Kryetarit, ndaj meje si dhe të Lëvizjes Vetëvendosje! pasi nuk arritën realizimin e kërkesës së tyre të paisjen me Pëlqim Mjedisor për ndërtimin e Villave. Ajo çfarë kërkojnë ata është të mos zbatohet ligji, por këtë gjë nuk do ta lejojmë dhe se nuk mundet askush të na shantazhojë”, ka shkruar më tutje ai.

Geci e Zymi kanë paralajmëruar se nuk do të ndalen në kërkim të kësaj leje për ndërtimin e vilave në Batllavë.

Të ngjashme