Lajme
Nderohet dëshmori Ajet Beqiri, Skenderaj me aktivitete kulturore në nderim të veprës së tij
Demokracia
19:09 | 25 Mars 2022

Share:

Në sallën e Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina”, nën organizimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport të Komunës së Skenderajt, është mbajtur aktiviteti “Avancimet kulturore – profesor Ajet Beqiri”, në nderim të jetës dhe veprës së dëshmorit Ajet Beqiri dhe në vigjilje të përvjetorit të rënies së tij.

Në këtë aktivitet të përvitshëm, sipas një njoftimi të Komunës së Skenderajt, kanë marrë pjesë shkollat e komunës, ku kanë garuar në fushat letërsi dhe art figurativ.

Punimet e nxënësve pjesëmarrës janë vlerësuar nga juria profesionale, e cila i ka lavdëruar punimet e tyre.

Në emër të kryetarit të Komunës, Fadil Nura, të pranishmit i ka përshëndetur drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Alban Berisha, i cili ka thënë se ky aktivitet është ruajtur ndër vite, duke shtuar se fryma konkurruese e nxënësve dhe shkollave, do të vazhdojë nëpërmjet këtyre garave, ku nxënësit tregojnë talentin e tyre si në letërsi ashtu edhe në art figurativ.

Në fushën e letërsisë (ese) vendi i parë i takoi nxënëses Raza Smakiqi, (poezi) Eliesa Veliut; vendi i dytë (ese) Edison Sahiti; vendi i tretë (ese) Erblina Kadriu; në fushën e artit (vizatim) vendi i parë për Anjesa Beka, (pikturë) Elsa Aruqaj; vendi i dytë (vizatim) Meriton Hajra, (pikturë) Elmaze Maksuti; vendi i tretë (vizatim) Stela Haziri, (pikturë) Erjona Aruaj.

Në fund të këtij aktiviteti, janë bërë homazhe te varri i dëshmorit Ajet Beqiri, në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë, në përkujtim të 23 vjetorit të rënies së tij. /Demokracia.com/

Të ngjashme