Lajme
Ndalim të dinarit po, por qysh? Pyetjet që ngriten natyrshëm para hyrjes në fuqi të rregullores së re të BQK-së
Demokracia
17:53 | 21 Janar 2024

Share:

Dinari s’ka qenë kurrë i lejuar në shtetin e Kosovës, në asnjë letër e germë të ligjit.

Prej Planit të Ahtisaarit (2007) e në Kushtetutë të Kosovës (2008) mjet të vlefshëm pagese Kosova ka “vetëm një valutë”: euro-n.

Veriu i Kosovës, s’ka qenë rregulli; por përjashtimi.

Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar rregulloren e re ku specifikohet – ajo që kaherë ka qenë kushtetuese – se valutë e vetme e pranuar/valide për kryerjen e pagesave dhe transaksioneve në Republikën e Kosovës është euro.

Kjo rregullore futet në fuqi që nga 1 shkurti.

Por, askush, as nga BQK as nga Qeveria e Kosovës, s’ka qartësuar e as shpjeguar se si do të zbatohet kjo; e madje as a është e zbatueshme kjo në kushte normale.

Guvernatori s’është deklaruar fare për të shpjeguar pyetjet e dilemat që ngriten natyrshëm të një vendimi me magnitudë të tillë:

Si mendon ta zbatojë? Çfarë plani kanë për t’u siguruar që në veri ndalojnë dinarin? Çfarë pasoje do të bartin ata që paguajnë në dinar? Me çfarë masash do të sanksionohet ata që zihen? Mbi cilën bazë ligjore do të sanksionohet ata që zihen me një valutë tjetër? Prej 1 shkurtit rregullorja hyn në fuqi, si do të kontrollohet ky vendim?Pse flet Besnik Bislimi në emër të Bankës Qendore sikur të ishte Guvernator? A i bie kjo që rregullorja e re BQK-së është përtej teknikes, në vendim politik? (S)a është kjo e ndërlidhur me (shtrimin e rrugës për) Asociacionin? Etj.

Të shkohet fshat më fshat, e shitore m[ shitore, të zihet kush po blen/shet në dinar?

Këtë s’e ha mendja për as praktike e as të arsyeshme.

Dhe s’është që BQK s’e ka ditur edhe më parë që përdoret dinari, pavarësisht se Kosova kushtetuetshmërisht e ka të lejuar vetëm euron.

Askush, rrjedhimisht, nuk e ka të qartë se çka do të bëhet me ata që zihen duke bërë pagesa në dinar; përveç se është thënë se nuk do të lejohen.

Dilema që rëndom ngritet është bërja e saj temë përmes tensionimit të situatës dhe ngritjes si saj si çështje në tryezën e dialogut të Brukselit, e ku rëndom kthehet në kompromis.

Tjetra dilemë që ngritet është ajo e trasimit të rrugës për themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe; për të cilën qysh në draft-Statut të BE-së (që është pranuar nga Kosova dhe Serbia) Asociacioni financohet nga Serbia ka xhirollogarinë e saj “në një institucion financiar të licensuar dhe regjistruat me Bankën Qendrore të Kosovës”.

Kjo, pasi që financat e Serbisë te komunat të banuara me shumicë serbe (që futet në ombrellë të Asociacionit) duhet t’i nënshtrohen parimeve të transparencës dhe llogaridhënies, si dhe do të auditohen dhe vështrohen nga institucionet e Republikës së Kosovës: të cilat tashmë, në bazë të Rregullores së re të BQK-së do të konsiderojnë euron si të vetmen mjet të vlefshëm pagese/transaksioni.

Ekonomisti serb nga Instituti për Zhvillim Ekonomik në Beograd e sheh po ashtu “veçanërisht simptomatike” se ky vendim i BQK-së vjen në prag të dialogut mes Kurtit dhe Vuçiqit për Asociacionin “i cili duhet të ofrojë kornizë ligjore për funksionimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore me sistem të Serbisë në komunat me shumicë serbe në Kosovë”.

Mijaqiq, siç e citoi KoSSeV, ka ndarë të dhënat e përfituesve serbë të Kosovës nga buxheti i Serbisë, që, sipas tij, “janë 87 mijë në total…që marrin paga, pensione, përfitime të mirëqënies sociale dhe ekonomitë shtëpiake bujqësore”.

Rreth 40.000 (est.+/-5%) paga dhe 32.000 pensione janë paguar në dinarë nga Republika e Serbisë në Kosovë. Për më tepër: >10000 përfitues të mirëqenies sociale dhe >5000 familje bujqësore. Në total, 87000 përfitues nga Kosova janë të varur nga buxheti i Serbisë”, ka thënë ai.

Siç shpjegon ai, fondet e lartpërmendura transferohen nga e ashtuquajtura “Zyrë për Kosovë” buxheti i së cilës, vetëm në vitin 2024, është rreth 104 milionë euro; duke shtuar se “këto janë transfere të rregullta”.

Investimet kapitale paraqesin mjete shtesë”, thotë ai, duke përmendur deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq nga viti 2022, në të cilën thotë se “projektet zhvillimore dhe investimet kapitale të financuara nga Serbia në zonat me shumicë serbe në Kosovë arrijnë në 800 milionë euro”.

Mediat e kontrolluara nga Beogradi zyrtar tashmë veç kanë nisur spinin rreth çështjes së “ndalesës” së dinarit serb në Kosovë dhe “çka pritet të veprohet” nga Serbia. Media kryekëput nën kontroll të SNS-së së Vuçiqit, “Novosti”, shkruan me “burime jozyrtare” se po shihen “zgjidhje alternative” përmes Bankës së Kursimeve (Postanska Štedionica, një nga bankat më të mëdha në Serbi) degët e të cilës operojnë edhe në Kosovë “ose përmes një bankeje të ndërmjetme”.

Kjo të çon një korrelacion me regjistrimin dhe licensimin (në sistemin ligjor të Kosovës) të Elektroserverit për njesimin dhe inkasimin e energjisë elektrike në komunat veriore të banuara me shumicë serbe; si kompani shtetërore serbe që regjistrohet si entitet në Kosovës; me atë të një “bankeje serbe” që do të shërbente si një “bankë qendrore të Asociacionit”; e cila për më tepër është edhe e germëzuar/skicuar në draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

Serbia e cila financon dhe paguan sistemet e saj paralele në Kosovë – ato shëndetësore, arsimore, e madje edhe infrastrukturore, etj – do të duhet t’i zhbëjë ato dhe t’i vendos nën ombrellën e Asocacionit; Asociacion të cilin do ta financojë vetë ajo.

Por, si e financon me t’u themeluar Asociacioni?

Në draft-Statut të BE-së (që është pranuar nga Kosova) Asociacioni do të ketë xhirollogarinë e saj bankare “në një institucion financiar të licensuar dhe të regjistruar me Bankën Qendrore të Kosovës (….) shpenzimet e të cilës do t’i nënshtrohen auditimit nga autoritetet kompetente përfshirë Auditorin e Përgjithshëm të Kosovës”.

Pra, vetë në draft-Statut të Asociacionit skicohet mundësia (jo domosdoshmërisht, por mendja e ha që po) e një bankeje të re të regjistruar në Kosovë dhe të licensuar nga Banka Qendrore e Kosovës; ndërsa do të auditohet aktiviteti financiar i saj, e që sipas rregullores së re të BQK-së më 1 shkurt (por edhe Nenit 11 të Kushtetutës) transaksionet në pagesa do të lejohen “vetëm në euro”.

Se a sheh si “zbatim të heshtur” apo si “trasim të rrugës” edhe të mëtejmë drejt themelimit të Asociacionit e kemi pyetur zyrtarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, ai e suspendon gjykimin në atë se “duhet të presim epilogun e këtij vendimi”, ndonëse në leximin e tij të përgjithsëm ai thotë se “çdo veprim ‘sovranist’ po na përfundon duke u diskutuar me Serbinë dhe pastaj po na kthehet në dokument/marrëveshje zyrtare, me koncesione, që trasojnë rrugën për autonomi etnike”.

Janë disa veprime ‘sovraniste’ të këtij pushteti, që po trasojnë rrugën për Zajednicë dhe Autonomi. Ne duhet të presin epilogun e këtij vendimi. I njejti nëse përfundon në tryezën i dialogut, e konfirmon shqetësmin tonë”, tha Rukiqi në një përgjigje për Nacionale.

Ndërkaq një lexim “koncesionalist” rreth kësaj “përleshje” (mos)ndalimi të përdorimit të dinarit në Kosovë e ka dhënë Këshilli Kombëtar i Serbëve, të cilët e quuajnë “lëshim i Beogradit ndaj Prishtinës për zbatim në heshtje të planit franko-gjerman”.

Të mësuar me deklarata të tilla disfatiste të Presidentit të Serbisë, të cilat për të kush e di të satën herë shpall përkeqësim shtesë të kushteve të jetesës së serbëve të mbetur në Kosovë, Këshilli Kombëtar Serb i interpreton ato si një tjetër në një seri marrëveshjesh të paracaktuara me Prishtinën, zbatimi i së cilës tani ka ardhur”. kanë thënë nga SNV.

Qëllimi i një vendimi të tillë të Beogradit, në negociatat e mëtejshme me Prishtinën, e cila, siç pretendon presidenti Vuçiq, shpall heqjen e transaksioneve të pagesave me Serbinë qendrore dhe ndalimin e përdorimit të dinarëve, mund të jetë njoftimi për gjetjen e një zgjidhjeje për financimi i ardhshëm i të punësuarve në institucionet e Republikës së Serbisë në Kosovë përmes Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës”, kanë thënë nga SNV.

Të ngjashme