Lajme
Nata e Zjarreve përmbylli Epopenë e lavdishme të UÇK-së
Demokracia
20:03 | 07 Mars 2021

Share:

Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është përmbyllur sonte më 7 mars me manifestimin e Natës së Zjarreve dhe koncertit për nder të Epopesë.

Është përmbyllur Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me manifestimin e qendror ndezja e flakadanëve dhe mbajtjen e koncertit për nder të Epopesë së UÇK-së, shkruan Demokracia.com.

Në orën 17:45 është mbajtur manifestimi Nata e Zjarreve, në Kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, ku disa prej ish-ushtarëve të UÇK-së e kanë ndezur flakadanin pranë Kullës së Qëndresës, në 23-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.

LEXO EDHE:

Në Prekaz ndizet flakadani për Natën e Zjarreve

Koncerti për nder të Epopesë së UÇK-së për shkak të pandemisë COVID-19 këtë vit është duke u mbajtur pa praninë e publikut. Dhe për dallim nga ai tradicional, sonte nuk është mbajtur në sheshin e Skenderajt, por në Stadiumin e qytetit dhe i transmetuar në medie dhe rrejte social.

Koncerti filloi me një fjalim përshëndetës nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i cili tha se edhe pse pa pranin e publikut kënga nuk do të ndalët, siç tha ai ashtu siç nuk u ndal as gjatë tre ditëve të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998.

“Pas tri ditë aktivitete të shumta në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të rënë për liri, sonte pas ndezjes së flakadanëve në Kompleksin memorial Adem Jashari , në Prekaz po e përmbyllim këtë epope me koncert kushtuar heroizmit të familjes Jashari dhe historisë sonë të lavdishme. Me kërkesë të Instituti të Shëndetësisë Publike, ky koncert po mbahet pa publikun që i jep frymë dhe gjallëri, kjo për shkak të situatës pandemike në të cilën gjendemi. Kështu duke respektuar institucionet tona dhe vendimet e tyre po e mbajmë këtë koncert pa praninë e publikut, por që kënga do të vazhdon të këndohet ashtu siç këndohet në luftë në tri ditët e epopesë, nga komandanti legjendar Adem Jashari, nga babushi Hamëza, e deri tek fëmija më i vogël të cilët nën shoqërimin e këngës luftonin pa u trembur kundër agresorit serb. Ishte kënga ajo që mbajti gjallë frymën tonë patriotike shpresën për liri e pavarësi, ishte zëri i protestës që trokiste në ndërgjegjen ndërkombëtare  për ndërhyrjen në ndaljen e gjenocidit serb në Kosovë”, tha Jashari, i cili është edhe djali i dëshmorit, Hamëz Jashari.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj mbajti një fjalim, i cili nderoi sakrificën sublime të familjes Jashari.

“Kam nderin t’ju drejtohem prej këtu si bashkëluftëtar dikur, të shprehim respektin për sakrificën sublime dhe heroizmin e familjes Jashari, për simbolin tonë të qëndresës dhe lirisë, e sot në natën e zjarreve të premtojmë që do ta mbajmë ndezur zjarrin për liri e bashkim kombëtar”, tha Haradinaj.

Të pranishëm në koncerti ishin edhe ish-gjenerali Sylejman Selimi dhe Nuredin Lushtaku, zëvendëskryeministri në detyrë Besnik Tahiri, dhe përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta.

Koncerti vazhdoi me këngë dhe u përmbyll me valle nga Ansambli “Shota”.

LIVE koncerti në Prekaz për nder të Natës së Zjarreve – Ndezja e Flakadanëve

Posted by Demokracia on E Diele, 7 Mars 2021

Historia e Familjes Jashari dhe Epopesë së UÇK-së

Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e koncentroi në Prekaz, në zemrën dhe kokën e UÇK-së duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.

Ajo që ndodhi në fillimet e marsit të vitit 1998 do të ishte një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit do ta ngrejë çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi rrethohet nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo lë të kuptohet se atje do të ketë rrethim të hekurt.

Pikërisht më 5 mars u bënë 23 vjet nga rënia e komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë. Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që shekuj e vite i dha Kosovës shumë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të kasapit të Ballaknit, Sllobodan Millosheviq. Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan.

Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta. Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”. Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.

Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj. Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme