“Masakrimi dhe dëbimi i shqiptarëve të kryera në funksion të spastrimit etnik të Mitrovicës nga shqiptarët vendas, u krye vetëm tetë muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë. Ndryshimi drastik i realitetit në terren, krijoi kushte shtesë për thellimin e ndarjes fizike të qytetit të Mitrovicës në dy pjesë. Ajo u realizua nën vëzhgimin e trupave ushtarake të KFOR-it, kurse u pasua nga mosveprimet e liderëve politikë shqiptarë të asokohe në Kosovë”.
Kjo është një pjesë e tekstit përkujtues të shkruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe i postuar në Facebookun e tij më 4 shkurt 2024, në përvjetorin e 24-të të “Natës së tmerrit” ku në Mitrovicën e Veriut u vranë 10 shqiptarë dhe u dëbuan e mijëra të tjerë nga shtëpitë e tyre, shkruan Demokracia.com.
Këtij reagimi të ashpër, të cilit ia ka bashkangjitur edhe një foto të ushtarëve të KFOR-it, i ka paraprirë edhe ai i partisë së tij, Lëvizjes Vetëendosje, e cila një ditë më herët ka akuzuar direkt KFOR-in për mosreagim gjatë asaj kohe.
“24 vite më parë, 8 muaj pas përfundimit të luftës, në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, formacioni kriminal serb “Rojat e Urës” filloi aksionin për spastrimin etnik të veriut të Mitrovicës nga shqiptarët. Ngjarjet ndodhën para syve të pjesëtarëve francezë të KFOR-it”, thuhet në komunikatën e VV-së të dates 3 shkurt 2024.
Por, çuditërisht, në këtë reagim të kryeministrit Kurti, mungon përmendja e emrit të njërit prej organizatorëve të kësaj masakre, Oliver Ivanoviqit, i cili është shpallur hero nga vetë Kurti që e kishte përkujtuar me fjalë të mëdhanë përvjetorin e 5-të të vrasjes së tij, më 16 janar 2023.
Gjatë kohës së opozitarimit të tij, Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje e quanin Oliver Ivanoviqi një ‘kriminel lufte’ dhe përgjegjësin kryesor që me urdhërin e Beogradit organizoi “Natën e tmerrit” në Mitrovicën e Veriut më 3 dhe 4 shkurt 2000.
Kjo qasje e Kurtit ndryshoi rrënjësisht kur Kurti u bë kryeministër i Kosovës. Më 16 janar të vitit 2023, nga zyra e tij në Qeverinë e Kosovës ai kishte regjistruar një videomesazh tronditësh, me anë të të cilit përkujtonte politikanin serb, Oliver Ivanoviqin, me rastin e 5 vjetorit të vrasjes së tij.
“Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumetnike”, thoshtë ndër tjerash kryeministri Kurti. /Demokracia.com/
https://demokracia.com/2023-viti-kur-albin-kurti-e-shpalli-hero-kriminelin-oliver-ivanoviq/
Statusi i plotë i Kurtit: https://www.facebook.com/photo?fbid=935374911289570&set=a.469157147911351