Lajme
Mustafa i PDK-së: “Lulëzimin” e ekonomisë po e shohin vetëm Murati e Kurti
Demokracia
22:55 | 08 Prill 2023

Share:

Ministri i Financave, Hekuran Murati sot deklaroi se gjatë vitit 2022 janë shtuar mbi 7 mijë vende të reja pune në Kosovë.

Por, ndaj kësaj deklarate ka reaguar koordinatori i Financave në PDK, Arben Mustafa, i cili këto deklarime i quajti “përpjekje propagandistike të Muratit për ta paraqitur një lulëzim të ekonomisë së Kosovës”.

Ai më tej ka thënë se këtë “lulëzim” të ekonomisë po e shohin vetëm Murati e Kurti, pasi sipas tij norma e rritjes ekonomike prej rreth 3% është më e ulët sesa mesatarja e dhjetë viteve të fundit, ndërsa deficiti tregtar prej 4.3 miliardë euro ka arritur vlerën më të lartë të shënuar ndonjëherë.

Mustafa thotë se mund të ketë pasur punësime të reja, por që ato nuk paraqesin domosdoshmërisht vende të reja të punës, pasi sipas tij këto vetëm janë zëvendësime për ata që po e lëshojnë Kosovën.

“Për fund, fjala e përdorur më së shumti në postimin e Ministrit të Financave ishte fjala subvencion. Kjo tregon se politika kryesore ekonomike e kësaj Qeverie janë subvencionet, pra shfrytëzimi i taksave të qytetarëve dhe bizneseve për ti dhënë para disa qytetarëve dhe bizneseve, por pa ndonjë ide për të krijuar kushte afatgjata për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe rritje të standardit të jetesës në vend”, shkroi ai në Facebook.

Të ngjashme