Intervista
Murtezaj: Reforma e ATK-së nuk do t’i kursejë as të ‘fuqishmit’
Demokracia
17:43 | 28 Dhjetor 2021

Share:

Në periudhën janar tetor 2021, të hyrat e realizuara në ATK janë 552.7 milionë euro, ose diku 126 milionë euro më shumë sesa në 2020-n. Gjatë 11 muajve të sivjetshëm, ATK-ja ka zhvilluar afër 1200 kontrolla ku janë konstatuar diku 52.3 milionë euro tatim shtesë. ATK-ja ka mbi 300 inspektorë të terrenit dhe ka nevojë për akoma më shumë.

Reforma e nisur në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), sipas drejtorit Ilir Murtezaj, nuk do ta kursejë askënd kur është në pyetje pagesa e tatimeve. Sidomos jo bizneset që konsiderohen të ‘fuqishme’ dhe të lidhura me politikën, për të cilat Murtezaj thotë se janë mbi 7 mijë sosh, e të cilat nga viti 2016 deri me 2019 kanë realizuar qarkullim miliardësh pa paguar tatim fare.

Në një intervistë të gjatë për Buletinin Ekonomik, Murtezaj thotë se tashmë dhjetëra raste të bizneseve të ‘fuqishme’ janë dorëzuar në organet e drejtësisë, për shmangie nga tatimi, ndërsa është rritur ndjeshëm numri i inspektimeve në terren.

“Vetëm gjatë peridhës janar-nëntor, janë zhvilluar afër 1200 kontrolla ku janë konstatuar diku 52.3 milionë euro tatim shtesë”, thotë Murtezaj, derisa shton se rritja e inspektimeve ka prodhuar rritje të të hyrave për këtë vit, duke u tejkaluar parashikimet.

“Në periudhën janar tetor 2021, të hyrat e realizuara gjatë kësaj periudhe janë 552. 7 milionë euro. Shumë kjo që nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, i bjen që diku 126 milionë euro kemi më tepër të hyra të realizuara më 2021, sesa në 2020-n. Në raport me planin kemi diku mbi 41 milionë euro më tepër sesa parashikimet, në përqindje mbi 8.5%”, shton Murtezaj.

Në këtë intervistë ai flet për reformën që po ndërmerret në tregun e arkave fiskale, planet e ATK-së për formalizim të punëtorëve, biznesin e kriptovalutave e shumë çështje të tjera.

Intervista me drejtorin e ATK-së, Ilir Murtezaj:

Buletini Ekonomik: A mund të na tregoni në pika të përgjithshme për gjendjen e ATK-së sot, sa është reformuar ATK-ja dhe a keni arritur t’i përmbushni vizionet në modernizim dhe në funksionalizim të institucionit? Do të thotë, prej kohës që jeni ju në këtë pozitë?

Ilir Murtezaj: Në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së jam që nga shkurti i vitit 2019, kurse pjesë e ATK-së jam nga viti 2001, do të thotë kam kaluar nëpër të gjitha shkallët e institucionit deri në pozitën e drejtorit të përgjithshëm. Dhe në momentin e fillimit të punës si drejtor i përgjithshëm, unë kam gjetur një program të dakorduar mes ATK-së dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për reformat në institucionin e ATK-së për periudhën 2019-2021, ku pjesa dërrmuese e këtyre reformave janë implementuar gjatë kësaj periudhë, përkundër që kemi qenë nëpër periudhë pandemike dhe që kemi pasur vështirësi në aspektin e ushtrimit të aktivitetit tonë, pastaj edhe të angazhimit të stafit, sepse siç e dijmë do të thotë në periudha të caktuara ka qenë numri i kufizuar i stafit që kanë pasur mundësi të dalin në vendin e punës, megjithatë do të thotë janë zhvilluar reformat ku tanimë theks të veçantë ia kisha dhënë ndoshta tri ose katër reformave më të mëdhaja apo kryesore që janë. Është reforma e konsolidimit dhe funksionimit të mbledhjes së borxheve, reformë kjo e cila ka filluar në fillim të vitit 2020, dhe përkundër periudhës pandemike, kjo reformë është vlerësuar dhe bazuar në të dhënat dhe rezultatet konfirmohet që ka qenë reformë e qëlluar. Ka qenë rrekomandim i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Ne e kemi implementuar në tërësi ashtu siç na është rekomanduar, dhe siç kemi punuar së bashku me ta me e shty përpara këtë reformë.

Çka konkretisht nënkupton kjo reformë, çka ka ndryshuar prej viteve të ardhshme në kuptimin e mbledhjes së borxheve?

Ilir Murtezaj: Ndryshimi mes asaj më parë dhe tani është se në funksionin e mbledhjes së borxheve në vazhdimësi ne si ATK jemi kritikuar ose jemi vlerësuar jo mirë si nga institucionet vendore ashtu edhe nga ato ndërkombëtare, sepse në vazhdimësi trendi i stokut të rritjes së borxheve ka shkuar duke u rritur. Në vitin 2019, ka qenë kthesa e parë e madhe, do të thotë që ka ndodh si rezultat i ngritjes së llogaridhënies në përgjithësi së stafit të monitorimit më të mirë nga ne si menaxhmet tek ky funskion dhe kemi arritur që në fund të vitit 2019 të ulim stokun e borxhit për 6% ose rreth 20 milionë euro.

 Sa ka qenë stoku i borxhit më herët?

Ilir Murtezaj: Stoku i borxhit më herët ka qenë 375 milionë dhe ka ardhur diku deri në 356, pra është ulë për 20 milionë euro stoku i borxhit. Në vitin 2020, gjatë periudhës së dytë të vitit 2019 e kemi zhvilluar këtë reformë, i kemi bërë të gjitha përgatitjet e reformës, dhe në vitin 2020 kemi filluar me një shkurt 2020, kemi filluar reformën duke bërë konsolidimin e stafit fillimisht, nga të gjitha zyret regjionale që kanë qenë në një zyrë të vetme në Prishtinë, dhe ky konsolidimi nuk ka të bëjë vetëm me koncentrimin fizik të stafit, por edhe me ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive sipas nënfunksioneve të funksionit të mbledhjes. Në këtë rast katër departamente të mbledhjes së borxheve janë katër shtylla, ku shtylla e parë ka të bëjë me trajtimin e borxheve të hershme si dhe borxheve të reja, dhe zyrtarët që i takojnë kësaj shtylle kanë për obligim që brenda periudhës 20 ditore t’i zhvillojnë të gjitha procedurat duke njoftuar tatimpaguesin për borxhin që ka, duke i kërkuar që të paguajë borxhin, pastaj vendosjen e barrës tatimore, dhe pengun në pasuritë e luajtshme. Në ditën e 21-të, nëse nuk i kryejnë zyrtarët punët e përcaktuara, rasti kalon në divizionin e dytë, i kryjtën si kryjtën këta punët, nëse s’i kryen kanë për të dhënë përgjegjësi pse s’i kanë kryer punët, nëse i kryejnë do të thotë është në rregull. Shtylla e dytë ka nën përgjegjësi menaxhimin e mbledhjes së borxheve po ashtu duke i kontaktuar prapë tatimpaguesit, ata të cilët në shtyllën e parë s’kanë arritur të paguajnë borxhin që t’i kërkojnë të paguajnë borxhin, ose të programojnë borxhin në rast se kanë vështirësi dhe arrijnë ta argumentojnë që nuk munden ta pagujajnë përnjëherë. Në rast së sërish nuk arrihet marrëveshje, atëherë kanë për obligim që të vendosin bllokimet e llogarive bankare, të thesarit, të doganës e kështu me radhë, me qëllim që të nxitet tatimpaguesi që të paguajë, dhe këta në mandatin e tyre kanë 30 ditë kohë për t’i trajtuar të gjitha këto procedura. Në ditën e 31-të, nëse nuk i përfundojnë këto punë, rasti kalon tek shtylla e tretë. Shtylla e tretë ka përgjegjësi që nëse s’janë kryer procedurat nga dy shtyllat e para, në rast se nuk është mbledhur borxhi, të përgatis rastin për konfiskim, aty ku kemi barrë. Kjo shtyllë ka 3 muaj afat për ta përgatitur rastin dhe për ta bërë konfiskimin, dhe në rast se nuk arrihet edhe këtu, në këtë stad të mblidhet borxhi, atëherë kalon në stain e katërt, ose në shtyllën e katërt, ku atje organizohet procesi i pranimit. Vetëm afatin kohor s’e kemi lëshuar ne funksion deri me 1 tetor, për shkak të pandemisë dhe reduktimit të stafit.

A ka rezultuar me sukses?

Ilir Murtezaj: Po me sukses. Njëra prej arsyeve pse është me sukses është se tani më nuk është zyrtari përgjegjës për të gjitha funksionet, pasi një zyrtar nuk mundet me qenë aq i fuqishëm që një borxhlije t’i thotë ta luajë rolin e shpëtuesit, ndoshta edhe me e keqpërdorë pozitën zyrtare. Pra zyrtari ka përgjegjësi për ta kryer punën, nëse nuk e kryen jep përgjegjësi dhe kalon rasti tek unë. Kështu që me këtë rast eliminohet subjektivizmi, ndikimi i faktorit njeri zvogëlohet, edhe përgjegjësia është shumë më e madhe sepse jepin llogari që në të kaluarën llogaridhania ka qenë shumë e vogël. Por njëkohësisht, kemi bërë edhe veprime në drejtim të matjes së kualitetit të punëve që janë bërë, do të thotë auditim vetvetes, edhe rastet ku është konstatuar që s’janë kryer me rregull, ato janë dërguar te zyrtarët në përgjithësi dhe presim që organet e drejtësisë të konfirmojnë se çka është në pyetje.

Reformë tjetër është formimi i funksionit të rimbursimeve, ku përmes kësaj reforme është bërë ndërlidhja e moduleve të rriskut dhe moduleve të rimbursimeve, ku edhe në këtë rast zvogëlohet ndikimi i faktorit njeri, ose subjektivizmi dhe tani të gjitha kërkesat për rimbursim kategorizohen sipas sistemit elektronik, do të thotë ne i këmi kategorizuar në atë formë, të kategorisë A, B dhe C. Në kategorinë A janë bizneset të cilat kanë bërë kërkesat për rimbursim dhe rrisku i tyre ndaj ATK-së për evazion fiskal është i vogël ose s’ka fare hiç risk, dhe në këtë rast këto kërkesa shqyrtohen brenda 7 ditëve dhe kthehet rimbursimi te këto biznese. Kategoria B janë bizneset që për ndonjë arsye ka ndonjë risk të vogël, dhe rastet e tilla zyrtarët tanë i kontaktojnë qoftë përmes telefonit qoftë përmes kontaktit fizik, dhe aty për aty mund të bëhen korrigjimet e nevojshme, me qëllim që brenda periudhës 15 ditore t’i kthehet përgjigje ose t’i aprovohet ose t’i refuzohet kërkesa për rimbursim. Dhe kategoria C janë rastet e bizneseve që kanë parashtruar kërkesa për rimbursim, që për neve paraqesin rrezik për evazion fiskal. Këto raste procedohen për kontrolle të detajuar dhe këto brenda periudhës 30 ditore synohet që të përfundohen. Përmes kësaj reforme është arritur që të zvogëlohet dukshëm numri i ditëve dhe mesatares së ditëve që shqyrtohen kërkesat për rimbursim. Tani aktualisht, në dy tre muajt e fundit e kemi 13 ditëshin, si mesataren e ditëve që shqyrtohen kërkesat për rimbursim. Nga ana e bizneseve është e mirë sepse ka një rritje te azhuritetit të trajtimit të kërkesave për rimbursim, nga ana jonë si institucion, ne ende mundohemi t’i identifikojmë rreziqet, por kemi edhe dilemat se ndoshta nganjëherë mund edhe të na ikë diçka që sistemi nuk e detekton si risk ose si rast që mund të ketë shmangie tatimore.

Reformë tjetër është edhe reforma në aspektin e ngritjes së llogaridhënies dhe përgjegjësisë, ku te komisioni i kontrollit edhe më herët ne kemi pasur divizionin e kualitetit, kontrollave dhe mbledhjes mirëpo, në të kaluarën do të thotë janë bërë konstatimet p.sh është konstatu që nuk është kryer një kontroll mirë por ka mbet në të njëjtin nivel, vetëm është kërkuar që herave tjera të bëhet në rregull. Ndërsa tani, prej se kam marrë pozitën si drejtor i përgjithshëm, i kemi me shkresa me dokumente zyrtare që tanimë kemi zhvilluar procedurën ku matja e kualitetit të kontrollave kur konstatohet se ka kualitet të ulët, do të thotë nën mesataren e lejueshme e të pranueshme nga ne, atëherë rastet dërgohen në rikontrollim përmes komisioneve Ad-Hoc që krijohen, dhe në rastet kur konstatohet që kontrolli i rregullt nuk e ka zbatuar drejt ligjin, do të thotë nuk e ka saktësuar drejt shamngien tatimore, por del një diferencë e theksuar nga rikontrolli me kontrollin, ato raste përveç që bëhen vlerësimet tatimore dhe mbrohet buxheti i shtetit, zyrtarët përgjegjës dërgohen në organet e drejtësisë për llogaridhënie.

Kur jemi te kontrollat, a ka ATK-ja kapacitete, në kuptimin e kuadrit, kapacitete të specializuara dhe të edukuara siç duhet për t’iu përgjigjur kërkesave që dalin nga këto reforma? Çfarë keni bërë ju si ATK në këtë drejtim?

Ilir Murtezaj: Realisht, ATK-ja, po i refrohem historikut tone 22 vjeçar në nivelet e kapacitetit profesionale çfare kemi pasur në vitet e para dhe çfare kemi sot, dallojmë jashtëzakonisht shumë. Por ka ngritje të lartë të nivelit profesional të stafit, porse a ka nevojë tutje të zhvillohemi, gjithsesi që ka. Ne në vazhdimësi kemi programin e trajnimeve, ku vazhdimisht mundohemi që t’i bëjmë ‘update’ çdo ndryshimi e risive ligjore, me qëllim që zyratërt tonë të jenë sa më të përgatitur në këtë drejtim.

 Sa inspektorë aktualisht i ka ATK-ja?

Ilir Murtezaj: I kemi diku të terrenit janë mbi 300 inspektorë, por që ka nevojë për akoma më shumë.

Më këtë reformë që e folët deri tash, sa është arritur, përveq anës suaj që është për t’i mbledhur borxhet, ana tjetër edukimi i tatimpaguesve. A është arritur të bëhet ndonjë edukim në mentalitetin e tatimpaguesve në Kosovë viteve të fundit?

Ilir Murtezaj: Nëse shohim tani përqindjen sesa merr pjesë pjesa e tatimit shtesë të konstatuar për kontrolla e vizita e këto, në raport me tatimin e përgjithshëm që paguhet, është një diferencë bukur e madhe, diku 10% është kjo që e konstatojmë ne, diku 90% është që paguhet në deklarim. Dhe në këtë rast, nëse i referohemi edhe raportit të fundit të FMN-së ku përmes paraqitjes virtuale që ishte, shefi i misionit të FMN-së, aty pikërisht është vlerësuar ATK-ja për ngritje të përmbushjes tatimore.

Kjo nënkupton, që përmbushja tatimore nga ana e bizneseve veq është rritur dhe tanimë përqindja e deklarimit të vet bizneseve është ngritur. Si synim i joni është që në vazhdimësi të arrijmë gjithherë sa ma larg, afër 100%-shit, asnjëherë nuk pretendojmë që ne përmes aktiviteteve tona në terren që me shku më e nxan dikë që e ke shmang tatimin, se ke paguar dhe me e ndëshku. Bëjme kampanja të ndryshme të vetëdijësimit, pastaj mundohemi në vazhdimësi që të mbajmë seminare, përjashtuar këtu dy vitet e fundit që ishte pandemia, që nuk e lejonte organizimin e takimeve, përndryshe në vazhdimësi janë mbajtur seminare , dhe edhe tash vazhdojmë të kemi komunike të drejtpërdrejta me ta, me qëllim që secili ta kuptojë rëndësinë dhe detyrimin që kanë në raport me legjislacionin taimor.

Së fundi keni prezantuar një projekt për formalizim të punëtorëve. Duke qenë se është shumë e rëndësishme, na intereson më shumë të dimë rreth këtij projekti dhe pse ka një rritje të formalizimit këto dy vitet e fundit? Do të thotë çka ka ndikuar, a është për shkak të punës suaj apo për shkak të masave në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje të Qeverisë?

Ilir Murtezaj: Realiteti është që nëse i referohemi të dhënave zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës, shihet që ka rritje të formalizimit, p.sh në këtë vit, në periudhën e tetorit 2021 në krahsim me tetorin e 2020-s, shihet që diku mbi 20 mijë punëtorë janë më tepër të formalizuar, dhe kjo i ka dy burime të arsyes së kësaj ngritjeje, mund të ketë edhe punëtorë të rinj, në tetor të vitit të kaluar kanë qenë 314 mijë të formalizuar kurse tani janë 366 mijë, por në brendi të saj ka ende vend për analizë. Dihet cilat janë, p.sh me pakon e fundit për rimëkëmbje e dimë që aty i kemi diku 15 mijë ka qenë numri i punëtorëve që kanë qenë të formalizuar, ndërsa nëse i referohemi pakos së fundit të ringjalljes ekonomike, i kemi ma pak se 10 mijë që kanë aplikuar për përfitim të masave 1.1, 1.2, 1.3. Dhe këta, janë punëtorë që p.sh masa 1.1 nënkupton ata që janë rikthyer në vendin e punës, që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë dhe janë rikthy, masa 1.2 janë ata që janë të formalizuar, të cilët janë 4 mijë e diçka, dhe masa 1.3 janë punësime të reja të grave. Por krahas këtyre, edhe iniciativa e qeverisë përmes pakos së ringjalljes ekonomike dhe pakos emergjente të saj, ne kemi zhvilluar edhe inspektime në terren me prioritet dhe si rezultat i kësaj gjatë janarit të vitit 2021, diku mbi tre mijë punëtorë i kemi që i kemi identifikuar që kanë qenë të paformalizuar, e që janë formalizuar. Projektin e fundit që e kemi prezantuar për vitin 2021-2023, kemi paraprirë me kampanjë fillimisht me e sensibilizu opinionin pse duhet të formalizohen punëtorët, cilat janë benefitet, cilat janë dëmet nëse nuk je i formalizuar, dëme ka këtu të dyanshme, trianëshme në të vërtetë, ka kompania e cila i mban punëtorët e paformalizuar, ka punëtori që s’mund t’i gezojë të drejtat e tij, por ka edhe buxheti. Por ma shumë kanë dëme dy të parat sesa buxheti. Pra i kemi paraprirë me kampanja vetëdijësuese, kemi bërë thirrje të vazhdueshme për formalizim, por krahas kësaj kemi thënë se do të fillojmë me një projekt për t’i trajtuar punëtorët e paformalizuar. Kemi filluar diku kah fillimi i nëntorit dhe rezultatet aktuale tregojnë se vetëm raporti dyjavor që ishte në kuadër të këtij projekti, tregoi që diku afër 400 punëtorë janë të paformalizuar. Ne synojmë në vazhdimësi që karahas aktiviteteve tona, që prapë të bëjmë thirrje, të mbajmë takime me grupe të interesit, me odat ekonomike, me shoqatat e kontabilitetit, me shoqëri civile, me qëllim të jemi bashkë në këtë drejtim në luftimin e kësaj dukurie, sepse fenomeni i punësimit joformal është një çështje që prek shumë dimensione, dmth jo vetëm nga aspekti buxhetor, që mund të jetë më e vogla peshë, por është edhe nga ajo se punëdhënësi rrezikon shumë ta mbajë një punëtor pa kontratë pune, por punëtori është shumë i dëmtuar me mungesën e kontratës së punës, duke iu referuar edhe rrethanave dhe rasteve në të kaluarën, p.sh që dikush lëndohet ose edhe humb jetën në vendin e punës , e që në mungesë të një kontrate pune, janë procedurat penale e juridike që kanë pasoja vet bizneset fillimisht, por pastaj edhe punëtori.

Nga të gjitha aktivitetet e përmendura deri tash, besoj që ka pasur rritje të mbledhjes së tatimeve, do të thotë prej janarit deri tash, sa ka qenë pagesa e tatimit, dhe si është në raport me planin tuaj? A e keni tejkaluar apo jeni ende brenda planit?

Ilir Murtezaj: Në periudhën janar tetor 2021, të hyrat e realizuara gjatë kësaj periudhe janë 552. 7 milionë euro. Shumë kjo që nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, i bjen që diku 126 milionë euro kemi më tepër të hyra të realizuara më 2021, sesa në 2020-n. Në raport me planin kemi diku mbi 41 milionë euro më tepër sesa plani, në përqindje mbi 8.5%. Mirëpo viti 2020 nuk është vit që mund t’i referohemi si njësi matëse, kurse nëse e krahasojmë me vitin 2019 që ishte vit normal, del se diku mbi 87 milionë euro kemi tejkalim të të hyrave në raport me vitin 2021, apo diku 19%. Ndërsa sot, kur jemi në përfundim të këtij viti, deri sot i kemi diku 570 milionë euro të hyrat e grumbulluara, që nënkupton se kemi tejkalu objektivin e tërësishëm të krejt vitit. Objektivi i tërësishëm i gjithë vitit është 556 milionë euro, kurse ne kemi aktualisht 570 milionë euro. Pritjet tona me këtë trend janë që në fund të vitit të mbërrijmë në 593-596 milionë euro që i bjen që diku të jemi mbi 40 milionë euro më shumë sesa projeksioni.

Çka ka ndikuar në këtë rritje të të hyrave?

Ilir Murtezaj: Arseja e parë pse ka ndodh kjo është se ne brenda institucionit kemi ngrit llogaridhënien, jemi duke bërë reformën në sistemin tonë, por njëkohësisht më këtë paralel edhe bashkëpunimi i mirë me qeverinë, iniciativat e qeverisë, pastaj rritja e qarkullimit nga ana e bizneseve, si rezultat i ardhjes së bashkatdhëtarëve tanë në periudhën korrik-gusht, gjë që bëri një lloj ekspansioni të qarkullimit të parasë në treg. Pra këta janë dy tre faktorët që kanë nxit të hyrat në këtë nivel, që pjesë e pandashme e kësaj është puna e madhe që është bërë nga stafi, do të thotë për të arritur tek këto objektiva.

Në tetor të vitit 2020, në fund të muajit, pasi u shkarkuat nga Qeveria Hoti, i patët pasur disa konferenca për shtyp nëse ju kujtohen, me disa akuza goxha të rënda për të ashtuquajturin rrjet kriminal, që patët thënë që funksionon në Qeveri, Prokurori, dhe i patët përmendur diku 7 mijë e 200 biznese, të cilat për tri vjet 2016-2019, kanë realizuar mbi 3 miliardë euro dhe nuk është paguar tatim fare nga to. Këto biznese ndër të tjera patët thënë se janë biznese që janë të lidhura pak a shumë me politikën. A keni edhe tash probleme të tilla me këto biznese, ose çka ka ndodh me këto 7 mijë e 200 biznese prej kohës kur jeni rikthyer në krye të ATK-së?

Ilir Murtezaj: Institucioni i ATK-së e dijmë që është një gamë e gjërë si e bizneseve si e ligjeve, si e detyrimeve dhe veprimeve e këto, por në si staf që jemi brenda institucionit tonë, kemi obligim që maksimalisht të mundohemi që të zbatojmë njëtrajtshëm ligjin dhe ta zbatojmë drejt ligjin për të gjithë tatimpaguesit. Saher që bëjme vëprime të tilla, reagimet ose të themi kundërshtimet e bizneseve për ta paguar tatimin do të jenë më të vogla. Saher që nuk aplikojmë njëtrajtshëm ligjet, reagimet janë jo vetëm në ATK por ajo është gjithkund. Në këtë rast, ne kemi identifikuar atë që po iu referoheni, që janë të dhëna zyrtare, që nuk janë të fshehura, dhe ne synojmë në vazhdimësi që t’i trajtojmë, i dërgojmë rastet për trajtim e kontrolla. Prej 7200, disa prej tyre ndoshta kanë arsye pse i kanë në atë gjendje, por disa prej tyre s’duhet me e pas atë arsye. Qëllimi ynë ka qenë që t’i qesim në tavolinë ato, kur dalin në tavolinë trajtohen, atëherë ka mundësi, ato që kanë arsye është në rregull, kur s’kanë arsye duhet të bëhet vlerësimi tatimor dhe të kryhen obligimet tatimore. Qëllimi ishte që të mos mbetet askush i paprekur dhe në këtë rast, kur i përmenda kontrollat e rikontrollat, saher që kemi identifiku që ka moszbatim të drejtë të ligjit, ne ata zyrtarë kompetentë i kemi dërgu në organet e drejtësisë. Kompetenca jonë është kaq, me i dërgu deri në organet e drejtësisë, pastaj ato, në këtë rast Policia, Prokuroria, kanë për obligim me e trajtu rastin. Ka elemente të veprës penale, ka fakte për keqpërdorim të pozitës zyrtare, merren masat zyrtare.

Sa raste i keni përcjellur në Prokurori deri tash?

Ilir Murtezaj: Kjo është në kontinuitet, por ka raste goxha shumë që i kemi përcjell për të organet e rendit.

Aktualisht, me cilat biznese keni më shumë probleme rreth mbledhjes se tatimit, cilat lami?

Ilir Murtezaj: Ne kemi krijuar një sistem dhe po mundohemi të fuqizojmë sistemin në mënyrë që sistemi t’i identifikojë edhe bizneset edhe kategoritë e bizneseve, dhe të gjithë ata tek të cilët ka risqe për evazion fiskal. Tash në bazë të analizave tona të sistemit, është kontstauar se sektori i ndërtimtarisë është më risk të lartë të evazionit fiskal, sektori i gastronomisë është po ashtu me risk të lartë, pastaj këta të punësimit joformal, janë sektorë të caktuar pra, por pa përjashtuar tregtinë më shumicë dhe pakicë, që gjithsesi edhe ato janë bazë ku prodhohet edhe evazioni fiskal. Ne mundohemi vazhdimisht që të orientohemi nga risqet më të mëdhaja duke shkuar te risqet ma të ulëta.

Ju e patët përmend në kohën e shkarkimit tuaj, që ka edhe ndërhyrje prej politikës për t’i mbrojtur këto biznese dhe këto interesa? A ka qenë kjo një prej arsyeve të shkarkimit tuaj në atë kohë?

Ilir Murtezaj: Deklarimet që i kam bërë janë pjesë e të kaluarës, nuk dua të them që s’janë, se të gjitha janë thënë me fakte, sepse krejt çka kam thënë kanë qenë të faktuara me fakte, veprimet që kanë qenë në atë kohë kanë qenë veprime të tilla, që kanë lënë me dyshu pasi derisa tenton që të mbash në pozicione të caktuara individë të caktuar, të cilët ka dyshime që janë të përfshirë me raste të tilla, atëherë të lenë me kuptu që ka elemente të përzierjes në kompetenca.

 A janë zhviluar hetime nga Prokuroria dhe organet tjera, për rastet që i keni dorëzuar atje?

Ilir Murtezaj: Jo, hetime ka pasur, ato rastet janë të hapura në Prokurori, por mbyllje të rastit ose konfirmim të fajësisë ose pafajësisë nuk kemi. Pra, janë në proces.

E keni fjalën për ato 7 mijë e 200 biznese që keni deklaruar pas shkarkimit apo jo?

Ilir Murtezaj: Jo, nuk janë dërguar të gjitha 7200 biznese, por rastet që janë identifikuar që ka, sepse ne i kemi vendos në tavolinë ato raste për t’i trajtuar, rastet që kanë elemente që ka dyshime për evazion fiskal, për moszbatim të ligjit, ato kur të konfirmohen prej zyrtarëve tanë ato edhe dërgohen.

Në këtë kontekst, a ka të dhëna ATK-ja se sa biznese të fuqishme që kanë eskivuar më herët në përmbushjen e obligimeve ligjore si tatimpagues, dhe a ka të dhëna se janë biznese që ende hezitojnë të paguajnë, prej këtyre të ‘fuqishmëve’?

Ilir Murtezaj: Ne i kemi mbi 100 mijë tatimpagues aktivë në ATK. Nuk mundemi me iu referu dhe më thanë që kaq janë të cilët deklarojnë, por mundohemi në përqindje me thënë që pjesa dërrmuese janë që i përmbushin vullnetarisht obligimet, në kuptimine asaj që e dijnë detyrimin ligjor që e kanë, dhe deklarojnë dhe paguajnë. Por numër i kufizuar është ai që sistemi ynë na i identifikon si raste me rrezik, dhe pastaj ne me inspektimet tona dhe kontrollat që zhvillojmë i identifikojmë shmangiet tatimore. P.sh., gjatë peridhës janar-nëntor, janë zhvilluar afër 1200 kontrolla ku janë konstatuar diku 52.3 milionë euro tatim shtesë. Në kuadër të këtij tatimi 52 milionësh është tatimi bazë, ndëshkimi dhe interesi.

Si është tani gjendja me qeverinë aktuale, në kuptimin e ndërhyrjeve, dhe a ka vullnet prej qeverisë aktuale për t’ju përkrahur?

Ilir Murtezaj: Jo, nuk kemi as ma të voglën ndërhyrje, ka vullnet për të na përkrahur, dhe gjithëherë institucioni i ATK-së saher që ka pasur përkrahje nga ana e qeverisë rezultatet kanë qenë evidente. Saher që ka pasur tendenca për të ndërhyrë, edhe pse duhet ta potencoj faktin se në krahasim me vendet e rajonit Kosova është shumë mirë, në aspektin e ndërhyrjeve.

Së fundi, ATK përmes një njoftimi publik, tha se të ardhurat nga kriptovalutat, tash e tutje, do të jenë të ardhura të tatueshme. Dihet se në Kosovë, aktualisht, nuk ka një bazë ligjore që e rregullon këtë veprimtari. A po ‘legalizohet’ me ketë biznesi i kriptovalutave, pra si dëshironi t’i tatoni këto të ardhura kur ende nuk ka një bazë ligjore të mirëfilltë për këtë aktivitet?

Ilir Murtezaj: Jo, ATK-ja është e autorizuar me ligj të veçantë për mbledhjen e tatimeve nga kontributet pensionale dhe në këtë rast bazuar në ligjin për Administratën Tatimore dhe procedurat, ligji parasheh se çdo e ardhur e ligjshme apo e paligjshme për qëllime tatimore, janë të ardhura të tatueshme, dhe këtë rast ne kemi qenë të qartë në njoftimin që kemi bërë për publikun, që nënkupton se ne as nuk ndalojmë asnjë aktivitet brenda vendit, por për qëllime tatimore ne kemi dashur t’i përkujtojmë personat fizikë, afarist apo joafarist, bizneset, që ata të cilët kanë bërë investime në kriptovaluta dhe kanë realizuar fitime kapitale, kanë për detyrim me pagu tatimin, varësisht prej statusit të tyre çfare e kanë. Tutje në njoftimin e dytë, ne kemi shkuar edhe më larg, pikërisht duke iu referu kësaj që ka pasur pompozitet dhe debat në opinion, duke ua sqaruar edhe kolonën edhe deklaratën që duhet me e plotësu, edhe rubrikën se në cilën rubrikë duhet me i vendosë ato të hyra, me qëllim që të kalkulohet edhe pjesa e të hyrave, duke ua përshkruar edhe normën tatimore, edhe prej cilës shumë deri në cilën shumë normat tatimore sa janë përshkruar. Njoftimi ka qenë shumë i qartë, dhe duhet konfirmuar që ATK-ja nuk është as organ që e legalizon as që e ndalon aktivitetin me kriptovaluta. Gjithë e dijmë që ky aktivitet nuk është i rregulluar në Kosovë, është duke funksionuar, por që në një formë nuk është ndalu as nuk u leju. Ne kemi pasur edhe pyetje prej qytetarëve, prej individëve të caktuar se cilat janë detyrimet ligjore të miat për më pagu tatim, se une kam realizuar fitim. Dhe për atë qëllim ne kemi dalë më njoftim publik, me qëllim që me i parandalu situtatat kur individë të caktuar prej mosdijës që kanë pasur detyrim, munden me ra nesër pre e ndëshkimeve të ndryshme që ATK-ja pastaj kur të identifikon që ka realizuar një fitim të tillë, e detyron me pagu tatimin në fitim.

Si do t’i identifikoni? A do të jetë problematik si proces identikifikimi?

Ilir Murtezaj: Është pjesë e punës sonë, që ne bazohemi në të dhënat që i sigurojmë, krijojmë informatën. I lehtë s’ka me qenë sepse diçka që mungon databaza zyrtare e të dhënave është shumë ma e vështirë mu siguru faktet, por që nuk është e pamundur.

Dihet që një aktivitet goxha i madh i biznesit me kriptovaluta kryhet në veri të vendit. A do të kryhen inspektime edhe në veri?

Ilir Murtezaj: Në këtë rast nuk është vetëm institucioni jonë që ka për obligim me e luftu këtë çështje, ose me e identifiku për të mos thënë me e luftu, por janë edhe institucionet tjera, dhe ne jemi duke bashkëpunuar edhe me institucionet tjera, me qëllim që të shfrytëzojmë të gjitha informacionet edhe të institucioneve tjera, që të arrijmë te caku ku bëhet prodhimi qoftë i kriptovalutave apo transaksioneve këmbimore të kriptovalutave.

Ministria e Financave është në përfundim të një reforme në tregun e arkave fiskale. Duke e ditur edhe rolin e ATK-së në këtë sektor, a mund të na thoni më shumë rreth kësaj reforme se çka përmban dhe si do të rregullohet ky treg si dhe a parashihen lehtësira për bizneset?

Dihet që sponzor i ligjeve tatimore është Ministria e Financave, në këtë rast edhe aktet nënligjore dhe udhëzimet administrative. Realiteti është që ekziston një draft udhëzim administrativ sepse ka qenë në dëgjim publik dhe tashmë është i njohur edhe për opinionin, dhe përmes atij udhëzimi administrativ synohet që të ketë lehtësira në kuptimin e asaj në aspektin e zhvillimit të procesit të fiskalizimit të bizneseve që ende janë të pafiskalizuara, dhe po ashtu edhe tek bizneset të cilat veçse janë të fiskalizuara por që kanë kosto ose barrë e kanë mirëmbajtjen e pajisjes fiskale me një kosto bukur të lartë. Në këtë rast, përmes këtij udhëzimi administrativ pashihet që të ketë reduktim të kësaj kostoje në nivel shumë të madh, ne do të kemi një kosto shumë më të vogël sesa kjo aktuale dhe pritjet janë që mos të mbetet barrë për tatimpaguesit në këtë rast. Pra mirëmbajtjen dhe abonimin. Aktualisht, mirëmbajtja dhe abonimi është diku 90 euro në vit.

A do të reflektojë kjo reformë në çmimin e arkave fiskale?

Po, ndoshta e keni parë edhe tek shpallja e operatorëve që po i bëjnë, kanë filluar të praktikojnë metoda të ndryshme të shitjes së pajisjeve fiskale, me këste, dhe që mendoj që është një mundësi më e lëhtë për bizneset, sepse e dijmë që në treg kemi biznese që ndoshta e kanë të rëndë edhe blerjen e pajisjes fiskale sepse janë biznese më të vogla ose më të thjeshta dhe kanë vështirësi në gjenerim të aktivitetit të tyre për shkak të mungesave financiare që i kanë ose likuditetit të tyre.

Nga infomatat që kemi, kjo reformë apo këto ndryshime ligjore që do të bëhen, do t’i japë ATK-së një rol ma të madh edhe në rregullimin e tregut në raport edhe me operatorët. A do të ketë ATK tagër që të ndikojë tek çmimet e pajisjeve fiskale?

Ilir Murtezaj: Këto derisa janë ende çështje të komunikimit të brendshëm, nuk është mirë të jetë për opinion, jo që është diçka e fshehtë por derisa nuk është definuar, është çështje sikur mos të jetë publike.

 Te fiskalizimi, si ka shkuar ky procesi i fiskalizimit pasi që dihet se është problem gjithmonë, a dihet sa biznese janë që nuk janë të fiskalizuara ende?

Ilir Murtezaj: Realisht, diku rreth 35 mijë biznese diku janë të fiskalizuara, numër ky që përfshin pjesën dërrmuese të bizneseve të mëdha dhe të mesme, do të thotë kanë mbetur tani të pafiskalizuara biznese të reja p.sh që krijohen ose biznese të vogla, dhe përmes kësaj platfomës së re të fiskalizimit synojmë që gjatë vitit të ardhshëm ta rrisim dinamizmin e aktiviteteve tona, me qëllim që ta përmbyllim procesin e fiskalizimit sa më shpejt te të gjithë tatimpaguesit që ligji i obligon për t’u fiskalizuar, sepse e dimë që ligji nuk i obligon të gjithë tatimpaguesit, do të thotë i obligon vetëm ata që punojnë me kesh, dhe njëkohësisht që bëjnë shitje për konsumatorin final. Ne në fillim të shatorit kemi vendosur një kushtëzim, prej 1 shatorit diku deri 12 tetor, një kushtëzim në sistemin elektronik tonë EDI- (për deklarim të taimeve që është), që para se të jepet mundësia të deklarohen tatimet të plotësojnë një deklaratë duke konfimuar se ato biznese që kanë qenë të pafiskalizuara, a i obligon ligji bazuar në aktivitetin e tyre ose në transaksionet e tyre, me qenë të fiskalizuara apo jo. Në këtë periudhë, diku mbi 17 mijë tatimpagues kanë deklaruar që nuk i obligon ligji me qenë të fiskalizuar, numër i madh është sepse ky është deklarim i njëanshëm i tyre, por që ajo mbetet të vërtetohet në të ardhmën nga ana jonë gjatë inspektimeve, që p.sh X Y biznesi ka thënë që nuk më obligon ligji, mirëpo nëse shkojmë dhe ne konstatojmë që ai bën transaksione me kesh dhe i shet konsumatorit final, e konfirmojmë që ka qenë i obliguar të fiskalizohet.

A dihet sa biznese afërsisht janë të pafiskalizuara në Kosovë?

Ilir Murtezaj: Nëse i referohemi numrit total të bizneseve që i kemi aktive, siç thashë që janë mbi 100 mijë, atëherë diku rreth 70 mijë ose më pak se 70 mijë janë të pafiskalizuara, por që në kuadër të tyre janë një numër i konsiderueshëm që nuk i obligon ligji për t’u fiskalizuar.

Estrada, a janë duke paguar tatim?

Ilir Murtezaj: Dihet që ne e patëm përgatitur një plan të veprimit edhe vitin e kaluar, por edhe këtë vit. Por fatkeqësisht ndodhi pandemia dhe sektori që ka qenë më i atakuari ka qenë hoteleria dhe estrada. Vitin e kaluar fare s’iu ka rënë të punojnë estradës, kurse këtë vit ishte një periudhë e shkurtër tri javore ose një mujore, edhe do të thotë që s’ka pasur aktivitet nga ana e tyre, edhe ne i kemi pasur të kufizuara aktivitetet tona. Në 2019, ne kemi bërë aktivitete të tilla, ne kemi shkuar edhe nëpër lokale të natës, të cilat në të kaluarën janë konsideruar si të paprekshme por realiteti është që kemi shkuar dhe kemi inspektuar dhe kemi bërë veprimet tona zyrtare. Por njëkohësiht e dini se kemi pasur edhe nëpër Prishtinë biznese, shembull autoparkingjet të cilat gjithashtu e kanë konsideruar vetën të paprekshëm, duke mos u lëshuar kupona fiskal qytetarëve, por që kemi shkuar dhe për disa muaj kanë qenë me shirita të mbyllura, derisa i kanë paguar detyrimet s’i kemi debllokuar. Ne mundohemi ta bëjmë punën në atë drejtim që askush mos ta konsiderojë veten të paprekshëm në raport me ligjin ose të pandikueshëm nga ligji, pra secili duhet ta dijë që ka detyrime ligjore dhe ta paguajë tatimin.

Të ngjashme