Lajme
Murphy: SHBA përgjegjësja kryesore për ekzistencën e Kosovës
Demokracia
19:10 | 13 Qershor 2023

Share:

Senatori amerikan, Chris Murphy, tha se tensionet e fundit në veri të Kosovës u ndezën kryekëput nga veprimet që mori Qeveria e Kosovës. Ai shtoi se SHBA-të kanë ndihmuar shumë Kosovën qoftë me fonde ose me trupa ushtarake, duke siguruar ekzistencën e saj.

Sipas Murphyt, SHBA dhe Kosova janë të lidhura me njëra-tjetrën, por se faji për këto tensione qëndron te vendimi i kryeministrit Kurti për t’i vendosur nëpër objekte komunale kryetarët e zgjedhur në komunave veriore, shkruan Reporteri.

Për këtë, senatori amerikan tha se ka dakordim mes të gjithë liderëve në SHBA.

“Askush nuk duhet të jetë nën iluzionin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova nuk janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën. Ne sigurisht më shumë se çdo vend tjetër, jemi përgjegjës për ekzistencën e Kosovës dhe kemi dhënë miliarda dollarë amerikanë dhe mijëra trupa amerikane për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës. Por, ndonjëherë, miqtë duhet t’u dërgojnë mesazhe të ashpra miqve dhe veprimet nxitëse që shkaktuan krizën e fundit në veri të Kosovës u morën në Prishtinë”, deklaroi Murphy në Atlantic Council.

“Vendimi për t’u kërkuar këtyre kryetarëve që t’i marrin ato ndërtesa komunale pas zgjedhjeve në të cilat dolën vetëm 3 për qind e elektoratit, ishte një akt provokues i panevojshëm. Dhe unë dhe liderë të tjerë në Shtetet e Bashkuara do ta quajmë ashtu siç është”, tha tutje.

I njëjti theksoi se ka shumë kritika edhe për Qeverinë e Serbisë, qoftë edhe për rrezikimin e paqes në veri, dhe se për këto tha se ka qenë i hapur.

“Kam shumë kritika edhe për qeverinë serbe, kam qenë shumë i hapur në pakënaqësinë time për dështimin e tyre për t’iu bashkuar SHBA-ve dhe Evropës në sanksione kundër Rusisë, qeveria e Serbisë ka ndërmarrë akte në veri të Kosovës që kanë dekurajuar paqen, por ajo që ndodhi tre javë më parë nuk duhej të ndodhte. Dhe, nëse Prishtina do të kishte marrë një vendim tjetër, ne do të kishim qenë ende në rrugën e duhur”, theksoi Murphy.

Të ngjashme