Lajme
Moshat e reja më të prekura me COVID-19, kjo është situata me pandeminë në Skenderaj, Podujevë e Kamenicë
Demokracia
19:39 | 26 Korrik 2022

Share:

Vetëm në 24 orët e fundit në tërë Kosovën janë regjistruar edhe 1 mijë e 187 rase të reja me COVID-19 dhe janë vaksinuar 185 persona kundër këtij virusi. Aktualisht në vendin tonë janë rreth 10 mijë raste aktive. Sipas të dhënave zyrtare mosha mesatare e personave të prekur në disa komuna të Kosovës është nga 20 deri në 55-vjeç.

Me fillim të muajit korrik, Kosova filloi të përballej me shtim të rasteve të reja me COVID-19. Vetëm në 24 orët e fundit në vendin tonë janë regjistruar 1 mijë e 187 raste të reja me koronavirus.

Demokracia.com ditë më parë pothuajse në të gjitha komunat ka dërguar pyetje për të parë se si është gjendja me pandeminë, por vetëm nga komuna e Skenderajt, Podujevës dhe Kamenicës kanë treguar për situatën me pandeminë në të cilën gjenden.

Sipas të dhënave zyrtare mosha mesatare e prekur me COVID-19 në këto komuna është nga 20 deri në 55 vjeç dhe interesimi më i madh për t’u vaksinuar është nga mosha e shtyrë.

Rrezarta Hasani-Ibrahimi,  drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Skenderajt, ka bërë të ditur për Demokracia.com se që nga fillimi i muajit e deri më 21 korrik në këtë komunë kanë qenë gjithsej 192 raste pozitive.

Në këtë komunë, numri më i madh i të prekurve nga COVID-19 i përket gjinisë femërore.

“Mosha mesatare e rasteve pozitive është 40 vjeç, ndërsa sa i përket gjinisë janë: meshkuj 95, femra 97”, ka treguar Rrezarta Hasani-Ibrahimi për Demokracia.com.

Ajo ka thënë se deri më 21 korrik në Komunën e Skenderajt janë administruar gjithsej 47.733 vaksina kundër COVID-19.

“Numri ma i madh i dozave të administruara janë të llojit Pfizer (44.126), ndërsa me Astra Zeneca janë administruar gjithsej 3.607 doza. Sipas dozave, numri ma i madh i vaksinave të administruara i takon dozës se parë dhe asaj të dytë. Vaksinimi sipas dozave është siç vijon: Doza e parë: 23.878, Doza e dytë: 21.956, Doza e tretë: 1.893 dhe Doza e katërt: 6”, ka sqaruar për Demokracia.com Hasani-Ibrahimi.

Sipas Hasani-Ibrahimit, në Skenderaj furnizimi me vaksina kundër COVID-19 është i rregullt dhe varësisht prej nevojës ekipet mobile të vaksinimit dalin edhe nëpër terren kur ka nevoja apo raste të veçanta që duhet të vaksinohen nëpër shtëpi persona të caktuar.

“Grupi i popullatës me të interesuar për vaksinim dhe po ashtu ma mirë i përfshirë në vaksinim është mosha nga 65 – 80 vjeç. Sa i përket gjinisë, edhe pse sistemi ynë nuk gjeneron të dhëna epidemiologjike për asnjë parametër, të dy gjinitë janë të përfshira përafërsisht në masë të njëjtë në vaksinim”, ka treguar Hasani-Ibrahimi, duke shtuar se në këtë komunë numri mesatar i testimeve të bëra brenda 24 orëve është 55.

Tabela e statistikave të rasteve pozitivi për muajin korrik 2022 nga QKMF në Skenderaj për periudhën 04.07.2022 deri më 19.07.2022

Edhe në Komunën e Podujevës dominojnë moshat e reja të prekura nga COVID-19, përderisa deri më 19 të këtij muaji në Podujevë kanë qenë 241 raste aktive.

“Mosha mesatare e cila dominon me përqindje më të lartë është nga 30-49 vjet, ndërsa gjinia që dominon më shumë është mashkullore me 50.6 %”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Podujevës dhënë për Demokracia.com.

Në këtë komunë që nga fillimi i procesit të administrimit të vaksinave kundër COVID-19 e deri më 19 korrik janë administruar gjithsej 85 mijë doza të vaksinë.

“Në vitin 2022 kemi;1320 doza I, 1800 doza  II, 2729 III dhe 21 doza IV”, thuhet në përgjigjen e tyre përderisa nga kjo komunë bëjnë të ditur se ka mjaftueshëm vaksina në stok.

Po ashtu nga Komuna e Podujevës kanë bërë të ditur se në repartin Anti-Covid në QKMF ka teste të mjaftueshme dhe se testimi RT PCR dhe Rapid bëhet nga ora 07:00 deri në ora 13:00, përderisa brenda ditës mesatarisht deri më 19 korrik janë bërë 160 deri në 180 testime.

Sikurse në Skenderaj dhe Podujevë, edhe në Komunën e Kamenicës më të prekurit nga COVID-19 janë moshat e reja.

Nga zyra për medie e Komunës së Kamenicës kanë bërë të ditur për Demokracia.com se mosha mesatare e personave të prekur me COVID-19 është nga 20 deri në 55 vjeç.

“Mosha mesatare e të infektuarve me COVID-19 është 20-55 vjet, duke mos përjashtuar edhe moshat e tjera. Dominon gjinia mashkullore e të infektuarve”, kanë bërë të ditur nga Komuna e Kamenicës.

Në Kamenicë sipas të dhënave zyrtare që kanë treguar zyrtarët për Demokracia.com, deri më 18 korrik numri i të vaksinuarve ka qenë 32 mijë e 125.

“Në Komunën e Kamenicës janë vaksinuar me dy doza 14,927 persona, me tri doza  1572 persona dhe me katër doza 14 persona”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Kamenicës, duke shtuar se kanë mjaftueshëm vaksina në stok.

Sipas Zyrës për medie të Komunës së Kamenicës institucionet shëndetësore janë të pajisura mjaftueshëm me teste rapide dhe numri mesatar i personave që testohen kundër COVID-19 është 60. /Demokracia.com/

Të ngjashme