Lifestyle
Mosha ideale midis çiftit, ja sa vite diferencë duhet të keni nga i dashuri që të jeni të lumtur
Demokracia
21:01 | 18 Tetor 2022

Share:

Ky është problemi kryesor. Çdo çift, përveç rastit kur tërhiqet përfundimisht nga shoqëria dhe izolohet në male ose në xhungël, gjendet gjithmonë në gjykimin publik. Njerëzit e “ushqejnë” veten në mëngjes, drekë dhe darkë me telenovela. Nuk po flasim këtu domosdoshmërisht për ato që shfaqen në TV. Shpeshherë, soap-operat më interesante ndodhen fare pranë nesh, dhe të gjithë komentojmë në një frymë.

Personat me një jetesë lineare, me një program të ngarkuar, stresues dhe me shumë pak kohë të lirë për veten, të varur pesë ditët e javës nga një algoritëm i caktuar i përbërë nga “punë-blerje-shtëpi-gjumë- punë…”, domethënë njerëzit e zakonshëm, arratisen duke komentuar eksperiencat e të tjerëve, duke u përpjekur të imagjinojnë çfarë do të kishin bërë në situata të njëjta. Të gjitha gjërat janë në rregull derisa thashethemet e vogla, të bëra gjatë pushimit të drekës, transformohen në një qëndrim shoqëror. Dhe kjo ndodh shpeshherë, kur bëhet fjalë për marrëdhënie dashurie “të papërshtatshme”.

Por, cila është kjo lloj marrëdhënieje? Nëse do donim të shpjegonim kriterin “moshë”, mund të vinim re pa vështirësi se shoqëria pranon me lehtësi që, në një çift partneri të jetë më i madh sesa partnerja. Por, sa më i madh? Deri në 10 vjet diferencë, s’ka ndonjë gjë për të komentuar. Kur diferenca kalon shifrën 15-20 vjet, fillojnë të shfaqen probleme. “Ajo do veçse pasurinë e tij dhe pret që ai të vdesë për të pasur mundësinë e një martese të re, me një mashkull më të ri në moshë.

Dhe, sidoqoftë, ka tashmë një dashnor”. Tingëllon i njohur ky shabllon? Dhe pikërisht se është i tillë, gjërat kalohen me shpejtësi dhe pa shumë analizë. Por, kur peshorja anon në anën tjetër, atëherë përbën rast për t’u paragjykuar dhe analizuar deri në qelizat e fundit.

1 deri në 3 vjet

Je në zonën e sigurt dhe nuk ke asnjë problem. Kjo diferencë moshe mund të përbëjë një problem vetëm nëse je 18 vjeç. Atëherë ai mund të shikojë te ty një “pushtim” të vështirë dhe një arsye më tepër mburrjeje përpara shokëve. Kështu janë meshkujt: shpirti konkurrues është më i fortë se çdo gjë tjetër, dhe në atë moshë ata janë mjaft të frustruar nga refuzimet e vazhdueshme të vajzave, të cilat preferojnë djemtë më të mëdhenj në moshë.

Nëse bashkë keni kaluar mbi këtë ego fëmijërore, atëherë keni shpëtuar nga rreziku më i madh. Marrëdhënia ka shanse të jetë e qëndrueshme si në marrëdhënien tjetër. Për sa i përket armikut më të rrezikshëm, ‘goja e madhe e botës’, dy vjet, kush mund t’i vërë re? Dhe nëse ndodh që njerëzit rreth e rrotull të dëgjojnë, nuk ka mundësi që të përballësh me reagime jo të favorshme. Kur bëhet fjalë për 1-3 vjet diferencë, pavarësisht se ajo është më e madhe, ajo që rrezikon është thjesht një buzëqeshje ironike, por mirëkuptuese.

4-6 vjet

A ka një diferencë midis variantit të parë dhe të dytë? Sigurisht që ka. Dhe rreziqet që kërcënojnë marrëdhënien tuaj janë më shumë të brendshme sesa të jashtme. Kjo diferencë moshe midis jush është mjaft e vogël për të lejuar instalimin e një marrëdhënieje, e cila ngjason më tepër me miqësinë, dhe këtu hyn shpirti konkurrues për të cilin folëm më lart. Në rastin kur kompetenca dhe aftësitë tuaja profesionale janë pothuajse të barabarta, këto vite që ti ke më shumë do të të ndihmojnë të jesh gjithmonë një hap përpara tij.

Burrat ende respektojnë një model konservator, nga i cili kërkojnë që të jetë ai që sjell më shumë të ardhura midis partnerëve në shtëpi dhe pajtohen me mjaft vështirësi me faktin që partnerja e tyre është më e suksesshme në karrierë se ata. Nëse ndodh që të punoni në të njëjtin profil, gjërat janë akoma më të rënda. Nëse punoni për të njëjtat kompani, ose ndaheni, ose ndryshoni vendin e punës. Nuk mund të mohohet se çdo rregull, ka edhe përjashtimet e veta.

Do të ishte e udhës që në shtëpi të mbash një lloj profil për sa i përket realizimeve profesionale dhe të kuptosh se çastet e bukura të karrierës festohen midis kolegëve. Nuk rekomandohet të përpiqesh të lozësh shumë me egot e meshkujve, sepse, pavarësisht se sa pa vlerë të duket kjo gjë, një marrëdhënie mund të mos i mbijetojë dot disa ngacmimeve “miqësore” të tipit: “Do të vish për një birrë, apo do ikësh në shtëpi te shefja?”. Dhe, sepse folëm për shoqëri dhe “botën e jashtme”, është mirë që të dish se ata interesohen tashmë për marrëdhënien tuaj. Është e mundur të jeni subjekti i preferuar i bisedave midis kolegëve, dhe si familja edhe fisi, sa më të afërt të jenë, aq më e mundshme është ndërhyrja e tyre.

Do të ishte mirë të jesh e përgatitur për një marrëdhënie të ftohtë me prindërit e tij, të cilët kanë dashur për fëmijën e tyre (pasi të ishte i mërzitur nga argëtimet dhe vajzat e çastit), me siguri, të martohet me një të virgjër, një femër nikoqire dhe mama të re, për të sjellë në jetë fëmijë të shëndetshëm.

7-12 vjet

Gabimi më i madh që mund të bësh në këtë rast është, të presësh që ai të të dashurojë me njëfarë kompleksi edipian. Të kërkojë nga ty përkujdesen e nënës, me të cilën ka qenë mjaft i lidhur ose histori të tjera të ngjashme. Zakonisht, këto lloj marrëdhëniesh lindin kur ai është mjaft i ri (20-30 vjeç), dhe në këtë rast ajo që e ka bërë për vete mund të jetë fakti që i ke inspiruar një vetëbesim, të cilin nuk e ka gjetur tek femrat e tjera. Është tipi i dashuruar nga një femër e matur, e vendosur, me plot besim në vetvete, e çliruar nga komplekset dhe paqartësitë, një partnere me të cilën mund të bazohesh në çdo moment. Ki kujdes të ruash imazhin tënd. Kujdesu për këtë marrëdhënie çdo ditë.

Qëndro provokuese. Ai nuk do ta ketë problem të ta kalojë kontrollin ty, të jesh ti ajo që merr iniciativat, me kusht, që të mos e zhgënjesh. Dhe këtu mund të shfaqet një problem: me kalimin e kohës, ka mundësi të lodhesh më shumë së ai. Mos ia trego kurrë këtë. Ki shumë kujdes me formën tënde fizike dhe bëj të pamundurën që ta “trullosësh” me energjinë dhe vendosmërinë tënde. Ai këtë dëshiron. Por, kërcënimi më i madh për marrëdhënien tuaj, kësaj radhe vjen nga brenda. Mos prit që të tjerët ta miratojnë këtë lidhje ndonjëherë. Kolegë të njohur dhe meshkuj të tjerë që ai ka rrotull (besoj se e keni vënë re mungesën e fjalës “miqtë”) do të kenë gjithë kohës mundësinë për të bërë një shaka pa kripë, ose për të lançuar provokime me qëllim ofendues në adresë të tij. Femrat, nga smira zakonisht, do të jenë papritmas moralizuese, dhe në këtë aspekt është shumë e vështirë të parashikosh çfarë kanë për të dëgjuar veshët e tua, në biseda drejtpërdrejt ose veçanërisht në ato biseda të cilat, zakonisht, bëhen mbrapa krahëve. Sado indiferent të jetë, përgatitu të zhvillohesh në një botë armiqësore, kur shumë individë me pretekste etiko-mistike do ta shndërrojnë faktin që ju keni një marrëdhënie “kundër natyrës” në një synim në vetvete. Ajo që të mbetet për të bërë është “të armatosesh” me një durim pa kufi dhe të gjesh mbështetjen e miqve të vërtetë, për të mos u shndërruar në një çift antisocial.

Mbi 12 vjet

S’keni çfarë të bëni. Marrëdhënia juaj i shpëton përfundimisht botëkuptimit të zakonshëm. Dhe njerëzit kur nuk kuptojnë diçka, ose e dënojnë dhe duan ta shkatërrojnë, ose thërrasin perënditë në ndihmë, duke u larguar nga ty dhe nga fenomeni që ti mbart. Fatmirësisht, këto marrëdhënie kanë në themel gjëra shumë të thella, që kalojnë mbi një tërheqje të thjeshtë fizike. Bëhet fjalë për bashkësi më tepër shpirtërore, të konsoliduar nga idetë e ndara së bashku dhe një komunikim intelektual i jashtëzakonshëm, të cilat tejkalojnë kënaqësitë që i jep marrëdhënia fizike.

Bëhet fjalë për atë që mendimtarët zen (dhe jo vetëm ata) emërtojnë “shpirtrat binjakë”. Ndoshta tingëllon pak i papeshë dhe engjëllor, por ky është realiteti. Pikërisht për këtë arsye, këto çifte nuk gjenden me lehtësi, sepse ato janë praktikisht të pathyeshëm dhe si ligësitë dhe paragjykimet e “opinionit publik” përplasen të pafuqishme me murin ideator që i mbron.

Leku, “syri i djalit”

Nga të gjitha argumentet e forta, të cilat njerëzit janë të gatshëm t’i hedhin kundër çifteve, kur femra është më e madhe se burri, njërën prej tyre vlen ta marrësh parasysh: paratë. Çfarë është e vërtetë, burrat janë shpeshherë fëmijët më të rritur sesa të mençur kur vjen fjala për seks dhe duan më tepër të dalin përkrah me një bionde të re, të bukur e tërheqëse, sesa të mendojnë për qetësinë e stabilitetin, të cilat një femër e matur mund t’ia ofrojë lidhjes së tyre. Kështu që, përpara se të “aventurohesh” në një lidhje me një “djalë” 10 vjet më të ri, studioje me shumë vëmendje.

Që të jetë thjesht një gjuetar në kërkim të një preje të lehtë, nuk është e thënë që ai të duket 100% macho. Sigurisht, ai do të jetë i pashëm, por jo në mënyrë të jashtëzakonshme, më tepër i kuruar dhe i kujdesshëm me veten. Mund të jetë i edukuar dhe i rafinuar, një njeri mondan në kuptimin e saktë të fjalës, një ‘pushtues i ditur’, shumë e vështirë për ta dekonspiruar. Mashtruesit më të rrezikshëm dihet që janë ata më inteligjentë. Fatkeqësisht, vetëm nëpër filma ekzistojnë “recetat” për ta kapur këtë lloj specieje. Çfarë mund të bësh ti për ta mbajtur mendjen të kthjellët, në këtë furtunë dashurie, është të spërkasësh edhe një fllad logjike.

Kjo vetëm që më vonë të mos jesh e detyruar t’i japësh të drejtë shoqes tënde, e cila të paralajmëronte: “Bëhu serioze, e dashur! Si mund të imagjinosh se një mashkull i ri dhe i pashëm si ky, mund t’i hedhë sytë tek ty?!”./ Marr nga revista psikologjia

Të ngjashme