Lajme
Modeli i ri i korrupsionit të Albin Kurtit: Askush nuk mund të akuzohet, nëse kompania përfiton nga menaxhimi i tij
Demokracia
20:15 | 10 Maj 2023

Share:

Qeverisja e Albin Kurtit po instalon një formë të re të korrupsionit. Albin Kurti, zëvendësit e tij, ministra e deputetë të Vetëvendosjes, po i mbrojnë me çdo kusht dy të dyshuarit për afera korruptive, ambasadorin Martin Berishaj dhe Nagip Krasniqin, kryeshefin e KEK-ut që gjendet në paraburgim.

Sipas Kurtit dhe “kompanisë” së tij, nëse një njeri është menaxher i mirë, ai ka të drejtë edhe të vjedhë e të korruptohet, shkruan Demokracia.com.

Kështu mund të konkludohet nga deklaratat e tyre publike, pas daljes në dritë të skandaleve të njerëzve të partisë së Kurtit.

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, tha sot se kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, u arrestua vetëm për shkak se i solli KEK-ut 107 milionë euro profit.

“Ne mendojmë që ka shumë korrupsion në KEK”, tha Bislimi gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Integrime, duke shtuar se rastet korruptive, menaxhmenti aktual “i ka deponuar në Prokurori”.

“Por ja që s’ka interes politik të një institucioni që unë do të thoja është politik, siç është Prokuroria që të merret me këto raste. Por, ka interes të merret vetëm me rastin e menaxherit, i cili nga një kompani që ka punuar me humbje, e ka sjellë kompaninë me 107 milionë euro profit. Ky ka qenë mëkati i Nagip Krasniqit për të cilin është dashur të arrestohet”, tha Bislimi.

“Si ka mundësi që një kompani publike të gjenerojë 107 milionë euro dhe asnjë nga këta të mos përfundojë në xhepat e politikanëve. Ky është problem i madh, andaj duhet të arrestohet që të vijë dikush tjetër pas tij, i cili e ndryshon mënyrën e menaxhimit”, shtoi zëvendëskryeministri Bislimi.

Ai tha se paratë e fituara nga KEK-u do të shkonin në buxhetin e shtetit dhe jo “në jahta luksoze të politikanëve”.

Kjo, sipas tij, është arsyeja e arrestimit të Krasniqit, shkruan Demokracia.com.

Bislimi sot mbrojti edhe ambasadorin e dyshuar për përfshirje në një skandal të madh financiar, Martin Berishajn.

Edhe kryeministri Albin Kurti i ka mbrojtur të dy, Berishajn e Krasniqin, duke i quajtur njerëz punëtorë e menaxherë të mirë.

Kurti teksa po fliste në Kuvend u mor më shumë me reagimet pas arrestimit të Krasniqit sesa me vetë prangosjen e tij.

Për rastin e Krasniqit, Kurti ka kundërshti me prokurorinë. Rrjedhimisht, ai po beson se drejtësia kosovare po funksionon në mënyrë selektive.

Madje, shtoi se “Krasniqi ia solli KEK-ut 107 milionë euro në vitin 2022“, duke ia llogaritur si sukses menaxherial e njëkohësisht duke e përdorur si argument mbrojtës ndaj tij.

“E dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën dhe keqpërdorime marramendëse, por asnjëherë nuk janë hetuar nga prokuroria. Prokuroria është e zellshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut më 2022 ka qenë 107 milionë euro. Zelli i prokurorisë për t’u marrë me deponimet, e faktet, e dëshmitë e keqpërdorimeve të mëhershme është zero, ndërkaq zelli për t’u marrë me kryeshefin, i cili solli 107 milionë euro fitim ishte maksimal”, ka thënë Kurti.

Për arrestimin e Krasniqit, gishti i pushtetit është drejtuar kah prokuroria, madje ka edhe emër konkret – Blerim Isufaj. Ky i fundit që synon të jetë kryeprokuroror i shtetit, u përmend nga Kurti si një element që prokuroria e shtetit po vepron kundër Qeverisë së tij.

“Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e shtetit ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë, ndaj pushtetit të ri të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Kjo lidhet më shumë se me askë tjetër me figurën e Blerim Isufaj. Bëhet fjalë për një prokuror që është i mirënjohur që rastin e vrasjes së Dino Asanj e kategorizoi me vetëvrasje ndërsa vetëvrasjen e Hamdi Sopës e shndërroi në vrasje. Njihet si kryeprokuror që asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykata dhe pikërisht ky prokuror do të bëhet kryeprokuror, përkundër vullnetit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit”, ka deklaruar Kurti./ Demokracia.com/

Të ngjashme