Lajme
Mjetet financiare iu kthehen komunave, Ibrahimi: Ishte tendencë e Muratit për t’i marrë paret padrejtësisht
Demokracia
22:13 | 08 Qershor 2023

Share:

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Ligjin për të cilit parashihet zhbllokimi i të hyrave vetanake të komunave. Ky Ligj ka kaluar në Kuvend më 83 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se kjo ka qenë tendenca e ministrit të Financave, Hekuran Murati që të iu marrë padrejtësisht paret komunave.

Në një prononcim për Gazetën Nacionale, Ibrahimi ka thënë se e gjithë kjo është meritë e kryetarëve të komunave që e kanë raportuar këtë.

“Kjo ka qenë tendencë e ministrit Murati që tu ja marrë paret padrejtësisht komunave. Dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës ia ka hap sytë deputetëve të Parlamentit të Kosovës, sepse këta deputetë njëherë kanë votuar me gabim dhe po të mos ishin kryetarët e komunave dhe AKK-ja për ta vërejtur këtë gabim, këtë tendencë, atëherë nuk do të ishin edhe 100 milionë euro. Deputetët e kanë obligim që të punojnë për të mirën e qytetarëve, mirëpo merita iu shkon kryetarëve të komunave që e kanë vërejtur këtë gabim.”, ka thënë Ibrahimi.

Rreth kësaj kanë reaguar edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ku deputeti i kësaj partie, Arben Gashi ka thënë se mjetet financiare i janë kthyer komunave.

Gashi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se e drejta e komunave triumfoi.

“Mjetet financiare të komunave u kthehen komunave. Urime Prishtinë e urime kryeqytetas. Urime qytetarë të të gjitha komunave! Nga sot, 37.5 milion euro të komunave u kthehen komunave, u kthehen atyre që u takojnë; i kthehen realizimit të projekteve për të mirën e kryeqytetasve dhe të qytetarëve të çdo komune. E drejta e komunave triumfoi. E drejta e qytetarëve për realizimin e projekteve të tyre triumfoi. Kjo e drejtë, ishte dhe është e drejtë e pakontestueshme e komunave, ngase është e garantuar me ligj dhe kushtetutë.” – ka shkruar Gashi.

Çfarë ndodhi me këto mjete?

Miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend ishte bllokuar. Kjo pasi pozita dhe opozita nuk po mund të merren vesh për zhbllokimin e të hyrave vetanake të komunave. Deputetët e opozitës kishin bërë me dije se nuk do të votojnë asnjë marrëveshja pa zhbllokimin e këtyre mjeteve, kurse Qeveria ka thënë se fajet për bllokim të mjeteve i ka ligji.

Tri javë më parë, Asociacioni i Komunave të Kosovës i kishte kërkuar Qeverisë së Kosovës që në mënyrë urgjente të zhbllokohen të hyrat vetanake të komunave.

Përmes një kërkese, drejtuar kryeparlamentarit Konjufca, kryeministrit Kurti dhe ministrit Murati, kryetari i AKK-së, Agim Aliu, ka kërkuar ndryshimin e nenit 9 paragrafi 6 të Ligjit Nr. 08/L-193 Mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023.

Rreth kësaj edhe kryeministri Albin Kurti i kishte pritur në takim kryetarët e komunave. Në këtë takim, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu ia ka prezantuar Kurtit kërkesat e komunave.

Në mesin e 7 kërkesave, ai ka thënë se zhbllokimi i të hyrave vetanake është urgjente.

“1 – kundërshtimi për bartjen e përgjegjësisë së faljes së tatimit në pronë te komuant sepse kjo cenon të hyrat vetanake nga të cilat varen në masë të madhe projektet kapitale në komuna. 2 – urgjentisht të barten mjetet e të hyrave vetanake të komunave për momentin të pezulluara. 3 – te themelohet granti i 4 që do krijojë barazi financiar për komunat e Kosovës”, ka thënë Aliu.

Si kërkesë të katërt, ka qenë përshpejtimi i nxjerrjes së akteve nënligjore në bazë të Ligjit të ri për zyrtarët publikë që rregullojnë procedurat e rekrutimit në komuna, me theks lejimin e listës pritëse në arsim dhe shëndetësi.

“5 – Komunave t’i kthehen pronat nga AKP-ja, prona këto që janë të përcaktuar dhe të shpallura me interes publik e për të cilat komunat i kanë nisur procedurat e projekteve dhe kanë njoftuar me shkrim nivelin qendror. 6 – Të krijohen mekanizma ligjor për bartje e pronave të menaxhuara nga Agjencia e Pyjeve për zhvillim të projekteve dhe të ketë shmanige të procedurave burokratike për dhënien e lejeve për zhvillimin e projekteve komunale. 7 – Të mos lejohet që zonat ekonomike në komunat të mos kalojnë në nivelin qendror po të vazhdohet të administrohen nga komuna”, ka thënë Aliu.

Të ngjashme