Lajme
Miratohet rregullorja e re: Shtesa të majme për kryetarin Konjufca e për nënkryetarët
Demokracia
10:26 | 16 Maj 2023

Share:

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka miratuar rregulloren e re për shtesa mbi pagën bazë për deputetët dhe për klasifikimin e pagës për stafin mbështetës politik. Me anë të kësaj rregullore, kryetari i Kuvendit do të përfitojë nga shtesat pagë gati sa paga bazë. Shtesa të majme ka për vartësit e Konjufcës si dhe për deputetët si dhe për stafin mbështetës politik.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka miratuar rregulloren e re e cila përcakton se çfarë shtesa do të përfitojnë, Kryetari i Kuvendit, nënkryetari, deputetët, kryetarët e grupeve parlamentare e pozita të tjera brenda Kuvendit.

Konjufca dhe nënkryetarët

Më së shumti që pritet të fitojë nga rregullorja për shtesa, del të jetë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Sipas Ligjit për Paga, kryetarit Konjufca merr pagë bazë 1 mijë e 785 euro.

Me rregulloren e re për shtesa, ai do të përfitojë shtesë të veçantë mujore 30 për qind të pagës bazë.

Duke llogaritur përqindjen me pagën bazë, del që 30 përqindëshi i pagës bazë është 535.5 euro.

Por kjo nuk shtesa e vetme për Konjufcën. Ai do të përfitojë edhe nga një shtesë e veçantë prej 47 për qind të pagës bazë.

Kjo shtesë jepet për arsye që Konjufca e përfaqëson Kuvendin. Ndërkaq, përfaqësimi i tij është i rregulluar me ligj ngaqë kryetari nuk ka detyrë tjetër pos përfaqësimit të Kuvendit.

Pra 47 përqindshi i pagës bazë del të jetë 838.9 euro.

Kur i llogarisim këto, pra paga bazë 1 mijë e 785 euro plus 535.5 euro plus 838.9 euro del që kryetari në fund të muajit do të ketë pagë bashkë me shtesat 3 mijë e 159 euro.

Përndryshe shtesa prej 30 për qind vlen edhe për nënkryetarët e Kuvendit.

Ata do të marrin pagë bazë 1 mijë e 732 euro, plus shtesë prej 519.6 euro, në fund të muajit marrin pagë 2 mijë e 251 euro.

“1. Kryetari/ja i/e Kuvendit dhe nenkryetari/ja i/e Kuvendit, per funksion perfitojne shtese te vefante mujore ne vlere prej 30% (tridhjete per qind) te pages baze perkatese. Kryetari/ja i/e Kuvendit, per perfaqesim te Kuvendit perfiton shtese te ve^ante mujore ne vlere prej 47% (kater dhjete e shtate per qind)te pages baze perkatese.” – thuhet në Neni 3 “Masat dhe shtesa e veçante për deputetin” të Rregullores nr. 08-Rr-004 per Shtesa mbi Pagën Bazë për Deputetë dhe për Klasifikimin e Pagës për Stafin Mbështetës Politik të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu këtu përfshihet edhe shpenzimet ditore, ku ndahen nga 5 euro që mesatarisht i bie 115 euro në muaj.

“Për shpenzime ditore te deputetit ndahen nga 5 (pese) euro ne dite për pjesëmarrje ne punimet e seances plenare, ne mbledhjen e komisionit parlamentar dhe ne grup punues” – thuhet në rregullore.

Po ashtu kjo rregullore parasheh që shtesa duhet të jepet vetëm për njërin funksion, shkruan Nacionale.

Për të mos harruar, Nacionale kishte raportuar dhe publikuar Projekt-rregullorën e parë për shtesa.

Për dallim nga ajo, rregullorja që tashmë është miratuar ka pësuar ndryshime ku janë përfshirë shtesa si ajo e kryetarit Konjufca.

Nacionale në shkrimet e tjera sot gjatë ditës do të prezantojë edhe shtesat për deputetët si dhe për stafin mbështetës politikë (këshilltarët politik).

Të ngjashme