Lajme
Ministrja Albulena Haxhiu hesht pasi këshilltari i Qeverisë Kurti, Veton Surroi, barazoi kunatin e saj të Grupit të Kumanovës me Grupin e Radojçiqit
Demokracia
10:34 | 11 Tetor 2023

Share:

Pak ditë pas sulmit terrorist në veri të Kosovës, këshilltari i Qeverisë Kurti, Veton Surroi, e barazoi sulmin e bërë nga terroristët serbë ndaj shtetit të Kosovës me rastin Kumanova, në të cilin është i dënuar edhe kunati i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Por, kë barazvlerësim i dy rasteve e ka heshtur ministren Haxhiu, e cila nuk ka marrë guximin as të reagojë ndaj Surroit, i cili bëri krahasimin skandaloz me rastin Kumanova, ku bënë pjesë edhe kunati i saj Muhamet Krasniqi, i njohur si Komandant Malisheva, shkruan Demokracia.com.

Ndonëse ka pasur shumë paraqitje publike pas deklaratës skandaloze të këshilltarit të Qeverisë Kurti, ministrja Haxhiu nuk e ka thënë asnjë fjalë.

Pak ditë pas sulmit në veri, Surroi ka publikuar një shkrim në Twitter (X,) ku ka komentuar situatën e krijuar atje. Më saktë, Surroi e ka krahasuar rastin e grupit të Kumanovës me sulmin terrorist të serbëve në krye me Radojçiqin, të cilët vranë një polic në Banjskë të Zveçanit.

Surroi i ka cilësuar të dy grupet si grupe paramilitare. Sipas Surroit, të dy grupet çmohen si heronj në vendet e tyre.

“Organet e njësisë paraushtarake shqiptare etnike që sulmuan N.Maqedoninë (2015) u çmuan si heronj në Kosovë. Pjesëtarët e njësisë paraushtarake etnike serbe që sulmuan Kosovën (2023) u çmuan si heronj në Serbi.Të dyja gabim! Dy gabime nuk bëjnë një të drejtë!” – shkroi Surroi.

I çuditshëm është edhe mosreagimi i bashkëshortit të ministres Haxhiu, Alban Krasniqi, i cili është anëtar i Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe njihet për reagime ‘patriotike’.

Në kohën kur kishte ndodhur ngjarja, Lëvizja Vetëvendosje dënimin e shqiptuar nga autoritetet maqedonase e kishte quajtur “si të motivuar politikisht” dhe “si trajtim jonjerëzor”, i cili bie “në kundërshtim me konvetat për të drejtat e njeriut”.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron vendimin e Gjykatës Themelore të Shkupit kundër “Grupi i Kumanovës” si të motivuar politikisht dhe si trajtim jonjerëzor e degradues në kundërshtim me konventat për të drejtat e njeriut”, thuhej në komunikatë.

Ndër tjerash në komunikatë thuhej se “E kaluara në Maqedoni ka dëshmuar se shumë raste dhe procese gjyqësore kundër shqiptarëve kanë rezultuar si procese të montuara nga autoritetet shtetërore, duke i diskredituar pushtetet e hetuesisë dhe gjyqësisë. Deri më tani, Qeveria e re e Republikës së Maqedonisë nuk ka marrë përgjegjësitë e saj për të ndërmarrë masa kundër atyre që kanë montuar këto raste. Në vend të kësaj, në territorin nën sovranitetin e qeverisjes së saj, po vazhdojnë të ndodhin raste dhe procese të diskredituara për nga profesionalizmi, pavarësia politike dhe paanshmëria e pushteteve policore dhe gjyqësore”

“Të panjohurat e ngjarjes së Lagjes së Trimave, trajtimi i të burgosurëve, procesi gjyqësor dhe së fundi dënimi i shtatë të akuzuarve me burg të përjetshëm dhe me gjithsej 746 vjet burg, prej të cilëve shumica janë shtetas të Republikës së Kosovës, janë referencat më të mira për ta inicuar urgjentisht fillimin e një hetimi të pavarur ndërkombëtar lidhur me ngjarjen e Lagjes së Trimave në Kumanovë”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

“Vetëm duke e hetuar në mënyrë profesionale dhe të paanshme tërë ngjarjen do të mund të sillet drejtësia për të gjithë personat e përfshirë, në një mënyrë apo tjetër, në ngjarjen e padrejtë të Lagjes së Trimave në Kumanovë, prapavijat e të cilit proces të montuar i di vetë pushteti dhe sigurimi shtetëror maqedon”.

“Ftojmë gjithashtu Qeveritë e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë të angazhohen politikisht dhe në rafshin diplomatik për një gjykim të drejtë dhe për respektim të të drejtave të njeriut për rastin e Lagjes së trimave në Kumanovë”, thuhet në fund të komunikatës. /Demokracia.com/

Të ngjashme