Lajme
Ministria e Sveçlës shkel ligjin, i mban fshehtë kontratat për tenderët e mëdhenj
Demokracia
22:03 | 13 Shkurt 2024

Share:

Ministria e Punëve të Brendshme, e cila udhëhiqet nga Xhelal Sveçla është duke e shkelur më dy këmbët Ligjin për Prokurimin Publik. E shkelja e këtij ligji është vepër penale, shkruan Demokracia.com.

Shumica e kontratave të vlerës së madhe, të cilat janë duke u lidhur nga MPB-ja dhe kompanitë e ndryshme, nuk po bëhen të ditura për publikun. Ligji i obligon institucionet që ato të publikohen në E-prokurim, pas nënshkrimit të tyre.

Demokracia.com ka shikuar vetëm disa prej tenderëve të realizuar së fundmi nga kjo ministri dhe ka vërejtur se kontratat po mbahen të fshehta.

Komisioni Rregullativ për Prokurimin Publik (KRPP) është institucioni që interpreton ligjin dhe kujdeset që institucionet ta zbatojnë atë.

Demokracia.com ka kërkuar një interpretim ligjor nga ky institucion lidhur me atë nëse institucionet publike e kanë obligim që të publikojnë kontratat. KRPP-ja ka pohuar se publikimi është kusht ligjor.

Në përputhje me nenin 45.36 të Rregullores Nr.001/2022 për Prokurimin Publik, Shpërndarja e kontratës së nënshkruar, AK-të janë të obliguara t’i publikojnë kontratat në E- prokurim për aktivitet e prokurimit që janë zhvilluar me procedurat e ligjit dhe legjislacionit dytësor për prokurim publik. Neni 45.36 i Rregullores Nr.001/2022 për Prokurimin Publik, përcakton: “ Dokumentet e tenderit do të tregojnë numrin e kopjeve të kontratave për t’u nënshkruar. Pas nënshkrimit të kontratës, nga të dy palët, dhe publikimit të njoftimit për nënshkrim të kontratës (B52), kontrata do të jetë në disponueshmëri për t’u shkarkuar nga publiku, dhe zyrtarët brenda autoritetit kontraktues të ndërlidhur më implementim të kontratës”, ka bërë të ditur për Demokracia.com, Departamenti i Rregullave të KRPP-së.

Demokracia.com ka shfletuar në E-prokurim disa prej tenderëve të mëdhenj dhe ka vërejtur se kontratat nuk janë të publikuara për këto aktivitete në tremujorin e fundit:

“Mirëmbajtja Higjienike ne Ndërtesat Qeveritare LLOT -1 objekti qendror MPB-s dhe ish ndërtesa ambulanta. LLOT -2 objekti ARC-s QPD dhe QRA ne regjion” Për lot 1 është lidhur kontratë me: Grup i Operatorëve Ekonomik GUARD DE CAPITAL SH.P.K.; RIO PLUS SH.P.K, në një vlerë prej: 88,292.64 euro. Edhe për lot 2 është lidhur kontratë me GUARD DE CAPITAL SH.P.K.; RIO PLUS SH.P.K.; në një vlerë prej 499,791.84 euro.

Kontratë e negociuar “Furnizim emergjent me targa për regjistrim të automjeteve’’. Kontrata është lidhur me G.S.G SH.P.K. në një vlerë prej 273,000.00 euro.

“Dizajnimi dhe zhvillimi i ueb faqeve të institucioneve të Republikës së Kosovës”. Kjo kontratë është lidhur me “DataProgNet” SH.P.K, në një vlerë prej 90,631.00 euro.

“Mirëmbajtja dhe servisimi i qendrës shtetërore të të dhënave (komponenta jo IT). Kontrata është lidhur me InterAdria L.L.C në një vlerë prej 215,586.00 euro.

“Mirëmbajtja dhe përditësimi i Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore”. Kontrata është nënshkruar me InterAdria L.L.C. në një vlerë prej 244,260.00 eurove.

Kontrata është burim i rëndësishëm i detyrimeve në kuadër të së drejtës detyrimore dhe paraqet një komunikim në mes të palëve kontraktuese. Kontratat janë marrëveshje ligjore të lidhura me shkrim ndërmjet një apo më shumë operatorëve ekonomikë dhe një ose më shumë autoriteteve kontraktuese, që kanë si objekt furnizimin e mallrave, kryerjen e punimeve dhe/apo shërbimeve, në përputhje me ligjet ne fuqi.

MPB-ja ka disa tenderë të bllokuar edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit nën dyshimet për shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik. /Demokracia.com/

Të ngjashme