Lajme
Ministria e Sveçlës flet pas artikullit të Demokracia.com për rastin e OJQ-së së themeluar nga Nazlie Bala
Demokracia
18:18 | 27 Maj 2024

Share:

Ministria e Punëve të Brendshme (MBP) ka vendosur të flas pas artikullit të publikuar nga Demokracia.com se e kjo ministri nuk po tregon kush janë anëtarë të Bordit dhe drejtuesit e tjerë ekzekutivë të regjistruar në organizatën e themeluar në vitin 2000 nga këshilltarja e Albulena Haxhiut, Nazlie Bala.

Nazlie Bala është këshilltare politike e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Bala kishte themeluar një OJQ në vitin 2000 së bashku me motrën e saj, Nazifen. Në mesin e OJQ-ve që u shpërblyen me mjete financiare nga Ministria e Drejtësisë për fushën e shërbimeve sociale dhe familjare për vitin 2024 ishte edhe OJQ-ja e themeluar prej saj, “Qendra për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve – Liria, Gjilan”. Drejtoreshë, respektivisht koordinatore në këtë organizatë vazhdon të jetë motra e Nazlie Balës, Nazifja.

Demokracia.com ka raportuar sot se Qendrat për Punë Sociale shihen si të mirëqena në punën e tyre që bëjnë në Kosovë, por ka hedhur dyshime se në rast e OJQ-së së themeluar nga Nazlie Bala mund të ketë konflikt të interesit, pasi nuk dihet nëse Bala është akoma pjesë e OJQ-së apo jo.

Pas publikimit të artikullit pa përgjigjen e këtij institucioni, MPB-ja ka vendosur të përgjigjet në pyetjet e Demokracisë. Zyra për Informim e këtij institucioni ka thënë se “Asociacioni për Mbrojtjen e të Drejtave të Gruas dhe Fëmijës – Liria – Gjilan” është një Organizatë Joqeveritare e regjistruar në Departamentin për Organizatat Joqeveritare, Ministria e Punëve të Brendshme.

“Certifikata e Regjistrimit Nr. 5100097-8 është vendosur në adresën: 28 Nentori Pn, Gjilan. Përfaqësuesi i autorizuar është: Nazife Jonuzi, Koordinator. Për nga forma e organizimit, është regjistruar si Shoqatë në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizatat Joqeveritare, Neni 31. Udhëheqja e brendshme e OJQ-së është përgjegjësi e Kuvendit të Anëtarëve, i cili përbëhet nga të gjithë anëtarët e shoqatës, duke u bazuar në këtë dispozitë ligjore. Departamenti për Organizatat Joqeveritare ka vetëm listën e anëtarëve të Kuvendit të organizatës në fjalë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Demokracia.com ka kërkuar një përgjigje edhe nga ana e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (AKP) nëse: “Një këshilltare politike e një ministri/je, para shumë viteve ka themeluar një OJQ që ka të bëjë me shërbime sociale. Emri saj si themeluese shihet edhe në listën e OJQ-ve. Pra, pozita e saj aty figuron vetëm si themeluese, ndërsa motra saj është koordinatore. 1. A është konflikt interesi, nëse ajo OJQ merr mbështetje financiare nga ministria ku punon këshilltarja. Pra, a ka konflikt nëse OJQ-ja e themeluar nga këshilltarja, para se të jetë këshilltare, merre fonde në thirrjet publike nga ministria ku punon ajo tash?”. AKP-ja nuk ka dhënë përgjigje në këtë pyetje të drejtuar para gjashtë ditësh.

Demokracia.com kishte kërkuar një përgjigje edhe nga Ministria e Drejtësisë lidhur me shumën e ndarë të mjeteve financiare veçmas për këtë organizatë dhe kishte pyetur lidhur me konfliktin e interesit, sepse nga i njëjti institucion është shpërblyer me paranë publike një OJQ, e cila ka themeluese këshilltaren e ministres dhe aktualisht drejtoreshë aty është motra e saj.

As ministria e Albulena Haxhiut nuk ka kthyer përgjigje. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

Kundërkorrupsioni nuk flet për rastin e OJQ-së së themeluar nga Nazlie Bala që përfitoi fonde nga ministria ku punon

Të ngjashme