Lajme
Ministria e Shëndetësisë tregon se ku është problemi që kosovarëve nuk po iu njihet certifikata e vaksinimit në vendet e BE-së
Demokracia
17:02 | 19 Janar 2022

Share:

Shumicës së qytetarëve të vaksinuar në Kosovë nuk po iu njihet certifikata e vaksinimit antiCOVID në vendet e Bashkimit Evropian, e lëshuar nga Republika e Kosovës.

Në dhjetor të vitit të kaluar Ministria e Shëndetësisë kishte bërë të ditur janë duke punuar në mënyrë intensive që problemi të zgjidhet përpara 10 janarit, kur mund të hyjë në fuqi ndalimi i udhëtimit në BE pa tri doza të vaksinës, ndërsa as pas kësaj date ende nuk është rregulluar ky problem.

Lidhur më këtë nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se problemi i njohjes së certifikatave nga vendet e BE-së është i natyrës teknike.

Qytetarët e Republikës së Kosovës, shumica prej tyre, udhëtojnë jashtë shtetit me certifikatat e lëshuara të vaksinimit në Kosovë dhe nuk e kanë probleme të udhëtimin. Probleme ka me leximin e tyre në ato mjedise ku pajisja që e lexon QR Code të certifikatës kosovare nuk është on-line”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Demokracia.com.

I ashtuquajturi kodi QR-online, i certifikatës kosovare, kur skanohet, ofron informacione për llojin e vaksinës së marrë, numrin e dozave dhe vendin e vaksinimit, por në përgjigjen e ministrisë thuhet se Kosova është në bashkëpunim me Zyrën e Komisionit Evropian dhe ka aplikuar që certifikata digjitale të njihet në të gjithë shtetet e BE-së.

Në rastet kur pajisjet e tilla janë on-line QR Code, i certifikatës kosovare të vaksinimit lexohet pa problem dhe konfirmohen vaksinat e marra. Megjithatë, duke qenë që disa shtete kanë njoftuar edhe me notë verbale Ministrinë e Shëndetësisë, se e njohin certifikatën e Kosovës, por në shtete të ndryshme qytetarët kanë tërhequr vëmendjen se nuk është arritur të lexohet QR kodi i certifikatës së tyre, sikur u shpjegua me lart, Kosova është në bashkëpunim me Zyrën e Komisionit Evropian dhe ka aplikuar që certifikata digjitale të njihet në të gjithë shtetet e BE-së”, thekson MSH-ja.

Ndër të tjerash, Ministria e Shëndetësisë shton se Komisioni Evropian do të njoftojë për vendimin që do të marr sipas afateve që ata i përcaktojnë.

Vlen të theksohet se Kosova, bashkë me Bosnje e Hercegovinën, mbeten dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor, të cilave BE-ja nuk ua njeh certifikatat e vaksinimit./Demokracia.com/

Të ngjashme