Lajme
Ministria e Rozeta Hajdarit thotë se ka lidhur kontratë me AKP-në për pikat e karburantit, por nuk jep detaje
Demokracia
14:11 | 22 Nëntor 2023

Share:

Ruajtja e rezervave shtetërore të Kosovës deri më tani është konsideruar si ”Top Sekret”. Por, autoritetet shtetërore aksidentalisht janë hapur pak, duke treguar kështu vendndodhjen ku do të ruhet nafta e blerë për rezervat shtetërore, shkruan Demokracia.com.

Nafta e blerë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për rezervat shtetërore do të ruhet në njërën prej depove të derivateve të naftës së Ndërmarrjes Shoqërore INA-TROGOVINA ZAGREB, asetet e të cilës janë të lëshuara me qira nga AKP-ja. Lista e aseteve të lëshuara me qira nga ky institucion i është ofruar Demokracia.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.

Ditë më parë Demokracia ka raportuar lidhur me këtë çështje.

Në raport shihet edhe vendndodhja e depos së marrë me qira nga MINT-i.

Demokracia.com ka kontaktuar Zyrën për Informim të MINT-it për të mësuar nëse ka qenë ndonjë lëshim i AKP-së publikimi i vendndodhjes së rezervave shtetërore apo pse është bërë kjo.

“Gjatë vitit 2023 MINT ka nënshkruar kontratë me AKP-në për shfrytëzimin e rezervuarëve të naftës të cilët janë nën administrimin e AKP-së, por që nuk ka të bëjë asgjë me rezervën shtetërore”, kanë thënë në MINT.

Më pas Demokracia.com ka dërguar pyetje shtesë gjatë së martës lidhur më atë se për çka ka të bëjë kjo kontratë, nëse jo për rezervat shtetërore të naftës dhe MINT nuk është përgjigjur akoma në këtë pyetje.

Demokracia.com ka mësuar se ministria ka hequr dorë nga ruajtja e rezervave shtetërore të derivateve te një operator privat (emër i njohur për redaksinë), të cilat i kishte ruajtur deri vonë aty.

Kujtojmë se institucionet shtetërore që furnizohen më naftë, e blejnë atë tek operatorët e kontraktuar dhe furnizohen në pompat e derivateve të tyre.

Ndonëse MINT e ka të zbuluar vendndodhjen, ajo e mban sekret blerjen e naftës, të cilën e ka negociuar pa procedura të hapura të Ligjit të Prokurimit Publik të Republikës së Kosovës.

Në fakt, bazuar në Ligjin për Rezervat Shtetërore, blerja e mallrave duhet të jetë transparente dhe të bëhet sipas Ligjit të Prokurimit Publik, me oferta të hapura, pastaj vendndodhja të mbahet si sekret.

Por, kryeministri Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur të bëjë një shmangie nga ligji kur ka blerë produkte në vitin e kaluar.

Kabineti ministror më 26.02.2022 ka marrë vendim për shmangie nga procedurat ligjore të Ligjit për Rezervat Shtetërore për blerjen e rezervave shtetërore. Kësisoj i është hapur rruga MINT-it që të blejë produkte vetëm duke negociuar me palë dhe jo duke e vendosur sipas Ligjit për Prokurimin Publik, i cili parasheh që blerja të jetë transparente dhe në një garë të hapur, por që pastaj deponimi dhe vendi i deponimit do të trajtoheshin si sekret.

“Aprovohet kërkesa e Departamentit të Rezervave shtetërore – Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që t’i mundësohet përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim për Produkte të Rezervave shtetërore të Mallrave, duke e klasifikuar lëndën e kontratës si sekret, në bazë të Ligjit Nr. 03/ L-244 PËR Rezervat shtetërore të Mallrave, dhe  Rregullores Nr, 03 /19 për Prokurim për Qëllim të Mbrojtjes dhe Sigurisë”, thuhet decidivisht në vendimin e Qeverisë Kurti të muajit shkurt të vitit të kaluar, ku më pas edhe mallrat u blen më negocim.

Demokracia.com i ka bërë një analizë Ligjit dhe Rregullores në të cilën është thirrur Kurti, kur ka vendosur që të bëjë shmangien ligjore.

…“mundësohet përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim për Produkte të Rezervave shtetërore të mallrave, duke e klasifikuar lëndën e kontratës si sekret, në bazë të Ligjit Nr. 03/ L-244 PËR Rezervat shtetërore të Mallrave”.

Kësisoji, askund në ligj nuk specifikohet se blerja e mallrave është sekret dhe as që blerja mund të bëhet me negocim.

Ligji Nr. 03/L-244 për Rezervat Shtetërore të mallrave, tek neni 19 flet për procedurat ligjore sesi duhet të bëhet furnizimi me mallra, i cili decidivisht quhet “Procedurat e furnizimit me mallra”. Ky nen thotë se Departamenti i Rezervave Shtetërore të mallrave përmes procedurave të Prokurimit Publik bëjnë furnizimin me mallra të cilat janë paraparë me programin njëvjeçar.

Pastaj Neni 20 e përcakton më qartë sesi blerja duhet të bëhet me procedura të hapura dhe jo të negociuara.

“Blerja e çdo artikulli të rezervave shtetërore të mallrave, sipas këtij ligji, duhet të parashihet në mënyrë specifike në ligjin përkatës vjetor për ndarjet buxhetore. Përveç kësaj, çdo aktivitet i prokurimit për blerjen e këtyre artikujve duhet të bëhet përmes procedurave të hapura të prokurimit të përcaktuara në Ligjin për Prokurim Publik. Nëse kontrata e prokurimit është me vlerë të madhe, njoftimi i kontratës publikohet në pajtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe në gjuhën angleze në një gazetë ose revistë prestigjioze ndërkombëtare”, thuhet shprehimisht në nenin 20 të këtij ligji, i cili siç shihet ka të bëjë me blerjen, shitjen dhe huazimin e rezervave shtetërore të mallrave.

….“Aprovohet kërkesa e Departamentit të Rezervave Shtetërore – Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që t’i mundësohet përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim për Produkte të Rezervave shtetërore të mallrave, duke e klasifikuar lëndën e kontratës si sekret, në bazë dhe Rregullores Nr. 03 /19 për Prokurim për Qëllim të Mbrojtjes dhe Sigurisë”.

Kryeministri Kurti është thirrur edhe në këtë rregullore kur e ka bërë shmangien, rregullore kjo që nuk ka të bëjë aspak me rezervat shtetërore.

Kjo rregullore nuk e zbërthen Ligjin 03/ L-244 për Rezervat Shtetërore të Mallrave dhe nuk ka të bëjë aspak për prokurimet me të cilat merret ky ligj.

Rregullorja ka të bëjë kryekëput me shmangien e procedurave të prokurimit, veprimin e procedurave sekrete për blerjen e armatimit dhe pajisjeve të tjera të sigurisë.

Decidivisht, ajo quhet “Rregullore (QRK) NR. 03/2019 për prokurimin për qëllime të mbrojtjes dhe të sigurisë”.

Cili është qëllimi i kësaj rregulloreje?

“Kjo Rregullore ka për qëllim përcaktimin e rregullave, kushteve dhe procedurave të prokurimit për qëllime të mbrojtjes dhe të sigurisë, të furnizimeve, shërbimeve dhe punëve, të cilat janë të përjashtuara nga Ligji përkatës për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës”.

Pra, siç shihet rregullorja specifikon se si qëllim ka shërbimet dhe punëve, të cilat janë të përjashtuara nga Ligji përkatës për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës. Ndërsa, siç u pa më lartë, blerja e produkteve për rezervat shtatore nuk është e përjashtuar nga LPP-ja, por është brenda saj.

Neni 4 – flet për “Prokurimet për qëllime të mbrojtjes dhe sigurisë”

“1.Rregullat e prokurimit për qëllime të mbrojtjes dhe të sigurisë të përcaktuara me këtë rregullore do të zbatohen për prokurimet si në vijim:

1.1. Furnizimi i pajisjeve ushtarake, duke përfshirë çdo pjesë dhe/ose komponentë të tij;

1.2. Furnizimi i pajisjeve të ndjeshme, duke përfshirë çdo pjesë dhe/ose komponentë të tij;

1.3. Punët, furnizimet dhe shërbimet e ndërlidhura drejtpërdrejt me pajisjet e referuara në nën paragrafët 1.1 dhe 1.2, të paragrafit 1 të këtij neni për secilin dhe të gjitha elementet e ciklit të jetës së tij;

1.4. Punët dhe shërbimet për qëllime specifike ushtarake; dhe

1.5. Punët dhe shërbimet e ndjeshme”.

Pra, shihet qartë se rregullorja ka të bëjë për institucionet që i kanë të rregulluar me ligj shmangiet nga procedurat e prokurimit, siç janë: FSK-ja apo AKI-ja.

Një veprim i tillë nga ana e ministrisë për të blerë mallra me kompani të caktuar ka mundur të realizohet duke e dërguar në Kuvend për plotësim/ndryshim Ligjin për Rezervat Shtetërore, pasi Parlamenti u jep vulën përfundimtare të të gjitha ligjeve. /Demokracia.com/

Të ngjashme