Lajme
Ministria e Brendshme del me sqarim për mungesën e materialit për shtypjen e dokumenteve personale
Demokracia
12:18 | 17 Nëntor 2022

Share:

Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët se referuar situatës së krijuar me vonesat e pajisjeve me dokumente personale – kryesisht mungesën e pasaportave, Agjencioni për Regjistrimin Civil në kuadër të saj është duke i menaxhuar me kujdes të shtuar sasitë në dispozicion.

Sipas MPB-së, kjo po bëhet përmes analizimit të rasteve të arsyetuara dhe dëshmuara me dokumentacion mbështetës duke i trajtuar si prioritet të lartë kategoritë shëndetësore, studentët, mërgatën dhe përfaqësimin shtetëror.

“Momentalisht po përballemi me mungesë të lëndës së parë të prodhimit të dokumenteve si shkak i invazionit të Rusisë ndaj Ukrainës, porse me këtë problem nuk po përballet vetëm Republika e Kosovës por të gjitha shtetet që janë furnizuar në linjën dhe vendin e njëjtë me lëndën bazë të prodhimit të dokumentit”, thuhet në kumtesën e kësaj ministrie, transmeton Klankosova.tv.

Aty thuhet se “Duam të sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se po bëjmë përpjekje maksimale që të sigurojmë materialin e nevojshëm duke mundësuar kështu prodhimin dhe furnizimin me dokumente personale brenda afateve dhe pa vonesa andaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve rreth situatës së krijuar”.

Ministria e Punëve të Brendshme do të njoftojë opinionin publik sapo të furnizohemi me sasinë e mjaftueshme të materialit bazë për personalizim të dokumenteve.

Të ngjashme