Lajme
Ministre, a di të lexosh shqip? Lexoji faktet për këshilltarët tuaj
Demokracia
16:00 | 04 Qershor 2022

Share:

Kryediplomatja Donika Gërvalla-Schwarz në një reagim në llogarinë e saj në Facebook i ka mohuar edhe dokumentet zyrtare të korrespodencave zyrtare të stafit të saj.

Përkundër publikimeve të ofertës së gatshme për pagesë që kishte pranuar ambasada e Kosovës në Austri, nga e cila ishte kërkuar ta rezervonte Terminalin VIP për dy këshilltarë të Gërvallës, përkundër e-mailit zyrtar të asistentes së ambasadorit të Kosovës në Austri dërguar asistentes së ministres Gërvalla, ku e pyet si do ta bëjnë pagesën dhe pastaj përkundër konfirmimit të këshilltarit të saj Kristian Dodaj, përgjigjen e të cilit Demokracia.com e posedon edhe si audio dhe do ta publikojë pas pak.

Për më tepër, përkundër rezervimit që i kishin bërë edhe në Terminalin VIP në Kosovë shefit të kabinetit të saj, dokumente këto që Demokracia.com i ka publikuar si vazhdimësi pas reagimeve të tyre, Gërvalla duke i injoruar tërësisht faktet, ka mohuar çuditërisht përsëri që stafi i saj e shfrytëzojnë Zonën VIP.

EKSKLUZIVE| Këshilltarët e Gërvallës e paguajnë trajtimin si VIP me paratë e qytetarëve, MPJD e mohon (DOKUMENTE)

Përmes një reagimi në rrjetin e saj social, Gërvalla i ka mbrojtur këshilltarët e saj, duke thënë se ata bien në sy për modestinë, mirësjelljen dhe zellin e tyre për të kryer sa më shumë punë të mira në një ambient aspak të lehtë.

Gërvalla madje ka shkuar aq larg, saqë ka thënë që personalisht Zonën VIP si mundësi e shfrytëzon edhe vetë vetëm në raste shumë të rralla, kur rrethanat objektive ia imponojnë një gjë të tillë. Madje, për dallim nga shefi i saj i kabinetit, ajo ka thënë se as në aeroportin e Prishtinës vetë nuk kalon nga terminali VIP.

DOKUMENT| Shefi i kabinetit të MPJD mohon se e shfrytëzojnë Zonën VIP pa Gërvallën, Demokracia.com sjell dëshmi edhe për të

Ky është reagimi i kryediplomatës Donika Gërvalla – Schwarz:

Shpifja e radhës – kur mbushet kupa

Plasimi i shpifjeve lidhur me mua, punën time dhe të ekipit tim është kthyer në një fenomen të rëndomtë në një pjesë, fatmirësisht të kufizuar, të portaleve në Kosovë. Reagimet e mia janë shumë të rralla edhe për faktin që këto shpifje nuk po i besojnë madje as ata „gazetarë“ që i botojnë ato. Duke keqpërdorur dokumente të vjedhura nga komunikimi i MPJD-së dhe duke gënjyer rreth përmbajtjes së tyre, përpiqet të krijohet përshtypja që paska plasur me të madhe hajnia dhe keqpërdorimi nga ana e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Para se çështja t’i kalojë organeve të rendit, i bëj thirrje portalit demokracia.com dhe të tjerëve, të cilët pa asnjë verifikim paraprak thjesht vetëm e kanë kopjuar dhe botuar në portalet e tyre këtë shpifje, ta botojnë menjëherë demantimin e saj në të njejtën faqe ku edhe e kanë botuar shpifjen dhe të kërkojnë falje publike.

Shpifja e radhës titullohet është e portalit demokracia.com dhe titullohet:

„Këshilltarët e Gërvallës për një orë në Terminalin VIP ia harxhojnë shtetit 1 mijë e 30 euro“
Është thjesht gënjeshtër e kulluar që këshilltarët e mi i paskan harxhuar shtetit para për të marrë shërbime në terminalin VIP në aeroportin e Vjenës. Dokumenti i botuar si „dëshmi pagese“ titullohet me fjalën „Angebot“, që do të thotë ofertë, pra jo faturë. Një ofertë e tillë nuk është pranuar asnjë herë dhe prandaj kostoja e shkaktuar është 0,00 Euro.

Këshilltarët e mi asnjëherë nuk marrin shërbime në terminalet VIP jashtë shtetit. Ata përkundrazi bien në sy për modestinë, mirësjelljen dhe zellin e tyre për të kryer sa më shumë punë të mira në një ambient aspak të lehtë.

Personalisht këtë mundësi e shfrytëzoj vetëm në raste shumë të rralla, kur rrethanat objektive e imponojnë një gjë të tillë. Madje as në aeroportin e Prishtinës unë nuk kaloj nga terminali VIP, përveç ndonjë rasti të rrallë (ndoshta 5% të udhëtimeve të mia), kur për shkak të takimeve zyrtare arrij kaq vonë në aeroport, sa kalimi nëpër terminalet e zakonshme të aeroportit do të rrezikonte të gjithë udhëtimin zyrtar. Për këtë kam dëshmitarë qindra dhe mijëra udhëtarë nga Kosova dhe mërgata, me të cilët kam pritur dhe pres në radhë çdo herë për të kryer shërbimet e zakonshme para fluturimit. Mbrëmë jam kthyer pas mesnate nga Vjena dhe kam kaluar, si të gjithë pasagjerët e tjerë, nëpër kontrollin e zakonshëm të pasaportave dhe pasi kam pritur valixhen time, kam dalur jashtë së bashku me të gjithë udhëtarët e tjerë. Në fakt, mbrëmë shërbimi VIP i aeroportit të Prishtinës dikë ishte duke e pritur tek shkallët e aeroplanit, por jo mua. Janë të tjerë, përfaqësues të partive të pushteteve të vjetra, të cilët i shfrytëzojnë këto shërbime.

Opozitarizmi dhe gazetaria nuk bëhen me gënjeshtra. Opozitarizmi i mirëfilltë dhe gazetaria hulumtuese serioze kërkojnë shumë punë dhe integritet.

Me shumë përgjegësi e them që paranë publike nuk e kam shpërdoruar as dje, as sot dhe as nuk e kam në plan as për të ardhmen. Brenda mundësive të mia përpiqem në pozicionin që kam, me përgjegësi, punë, përkushtim, dinjitet dhe ndershmëri të jap maksimumin për të çuar përpara institucionin që drejtoj dhe për ta pozicionuar Kosovën çdo ditë pak më mirë në arenën ndërkombëtare.

Në pritje edhe të një reagimi edhe të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ju përshëndes të gjithëve dhe ju uroj një fundjavë të këndshme./Demokracia.com/

Të ngjashme