Lajme
“Mimozë, a të kallëzoi Radojçiq se ku janë të zhdukurit e luftës”, nis protesta e veteranëve në shesh
Demokracia
18:12 | 15 Korrik 2023

Share:

Veteranë e qytetarë kanë dalë sot në sheshin kryesor të Prishtinës për të protestuar pasi Qeveria e Kosovës nuk plotësoi kërkesën e tyre për t’i përfshirë veteranët e luftës në Ligjin e pagës minimale, si dhe për përmendjen e tyre në bisedën e Mimoza Kusarit me nënkryetarin e Listës Srpska Sllavko Simiq.

Ata mbajtën në duar pankarta me mbishkrime edhe për këtë bisedë dhe iu drejtuan Kusarit me një pyetje.

“Mimozë, a të kallëzoi Radojçiq se ku janë 16000 të zhdukurit e luftës”, thuhet në një prej pankartave.

Po ashtu, protestuesit u panë të veshur me bluza me mbishkrimin “Liria ka emër”, si dhe mbanin në duar flamuj të Kosovës, flamurin kombëtar dhe atë amerikan.

“Qeveria e Kosovës nuk po tërhiqet nga veprimet skandaloze. Prandaj, të shtunën më 15 korrik protestojmë të gjithë kundër skandaleve qeveritare. Kundër koordinimit me Milan Radojçiqin. Kundër shkeljes së të drejtave të ushtarëve të UÇK! Mimoza Kusari duhet ta dorëzojë mandatin. Një politikane që është zënë duke u koordinuar me Milan Radojçiq kundër luftëtarëve të UÇK nuk duhet të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Ligji që përjashton u votua turpshëm nga shumica parlamentare”, thuhej në njoftimin e protestës nga OVL e UÇK-së.

Të ngjashme