Lajme
Miftaraj: Ndërhyrja e Kurtit në rastin e Nagip Krasniqit ishte flagrante
Demokracia
22:10 | 24 Prill 2023

Share:

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, vlerëson se reagimi i kryeministrit, Albin Kurti ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj pas arrestimit të drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, është ndërhyrje e drejtpërdrejt në drejtësi.

“Në të vërtetë kjo nuk mund të quhet assesi ndryshe veçse ndërhyrje e drejtpërdrejt e kryeministrit, Qeverisë Kurti në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës e ka bërë një ndarje të hekurt në mes të pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor. Republika e Kosovës duke proklamuar një demokraci parlamentare me një ndarje të tillë të pushteteve, duke përqafuar standardet, praktikat ndërkombëtare lidhur me promovimin e pavarësisë së gjyqësorit nuk e lejon që një politikan, një ministër, një kryeministër, një deputet të atakojë një kryeprokuror, prokuror, gjyqtar apo të komentojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, gjykatave të rregullta apo vendimet e prokurorisë. Kjo në një shtet ligjor, në një shtet si Republika e Kosovës, thjesht Kushtetuta nuk e duron një qasje të tillë”, ka thënë Miftaraj.

Sipas Miftarajt, megjithatë kryeprokurori Isufaj duhet të jetë i përgatitur për ndërhyrje e sulme edhe më të rënda.

“Në radhë të parë unë të them të drejtën nuk e kam shumë hallin te Blerim Isufaj sepse ai në momentin që ka pranuar të jetë prokuror, në momentin që ka pranuar të marrë detyrën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, i njëjti përveç sulmeve të tilla nga politika duhet të pres edhe sulme nga grupet kriminale të cilat janë shumë më të rrezikshme sesa deklaratat politike të kryeministrit. Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, çdo prokuror duhet të jetë i gatshëm për sakrifica të tilla sepse në fund të fundit detyra e prokurorit këto i sjell. Por unë besoj që më shumë të frustruar duhet të jenë qytetarët e Kosovës, më shumë të frustruar duhet të jenë publiku me një qasje të tillë të kryeministrit, të Qeverisë, të cilët nuk po janë në gjendje ta bëjnë dallimin se kur dhe si mund të komentojnë vendimet e gjykatave dhe prokurorive”, ka thënë ai në Respublika në Tëvë 1.

Miftaraj tutje thekson se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka vullnet të hekurt për të bërë ndryshime pozitive në sistem, por sipas tij “pastaj kjo pjesa e parë po devalvohet nga pjesa e dytë me veprimet e Qeverisë Kurti, ministrave apo deputetëve”.

Të ngjashme