OpEd
Metamorfoza e Ilir Metës
Demokracia
08:42 | 19 Prill 2024

Share:

NGA: AGRON LOCI 

Që Ilir Meta njihet për temperamentin e tij të spikatur, kjo nuk është diçka e re. Ai përfaqëson në thelb “prerjen” e politikanit shqiptar të këtyre tri dekadave, por është edhe i veçantë në llojin e tyre. Jo rrallë herë gjatë karrierës së tij politike ka hequr kostumin e politikanit për të veshur atë “të të fortit”, “të rebelit”, madje në disa raste e kemi parë të artikulohet pa dorashka dhe larg sjelljes konvencionale të një politikani të nivelit të tij. Si asnjë politikan tjetër, ai është vetidentifikuar me të fortët e lagjes, por edhe me figura historike sinonim të qëndresës e burrërisë si Mic Sokoli e Avni Rustemin, Vojo Kushi e madje ka arritur deri atje sa të personifikohet me presidentin kilian Salvador Alende që sakrifikoi veten për interesat e vendit.

I ardhur në politikë nga forumi i rinisë socialiste, Ilir Meta ia ka arritur të bëjë një karrierë mbresëlënëse në politikë. Ai duhet të hyjë në Librin Guiness sepse është politikani i vetëm në shtetet me sistem liberal demokratik, për të mos thënë në botë, që ka mbajtur dhe ushtruar funksionet drejtuese në tri institucionet më të rëndësishme në vend.

Në moshën 30-vjeçare me mbështetjen e Fatos Nanos zgjidhet kryeministër për të ushtruar më vonë funksionin e kryetarit të parlamentit në kohën kur LSI luante rolin e kingmaker-it në politikën shqiptare dhe së fundmi, për t’u ulur në karrigen e kreut të shtetit, i propozuar dhe mbështetur nga ish-miku i dikurshëm dhe armiku i tanishëm Edi Rama.

Ky i fundit duke e larguar Metën nga politika e bazës përmes miklimit me lozhën e lartë të presidentit dhe duke i “rrëmbyer” disa nga elementet me peshë në elektorat të partisë, të cilët Meta ditët e fundit i ka etiketuar si tradhtarë, ia doli t’i hiqte themelet LSI, që për hir së vërtetës ishte kthyer në një faktor bezdisës për dy partitë e mëdha.

Meta nga Presidenca shikonte sesi partia e tij po shkërmoqej, por nuk kish fuqi ta ndryshonte situatën, pavarësisht orvatjeve për të demonstruar forcën dhe mbështetjen e tij në elektorat, siç ishte ajo që ai e ka për zemër dhe e përmend shpesh protesta e 3 marsit.

Në kohët e arta të tij, Meta u bë i njohur teksa kolegëve të opozitës u përmendte shpesh shprehjen “me qetësi dhe dashuri”, kohë që tani duken se i përkasin një të kaluare të largët. Ndërsa qetësia dhe dashuria si gjendje shpirtërore të asaj kohe ia mbanin adrenalinën të ulur për aksion, kohët e fundit vendin e tyre e kanë zënë furia dhe urrejtja të shoqëruara me adrenalinë në nivele të larta që shpërfaqet përmes një aksioni gati të përditshëm mediatik dhe politik.

Sot ndodhet në një moment të vështirë, pasi ndaj tij mund të ngrihen disa akuza nga drejtësia e re. Ndërkohë që ai pretendon se ndaj tij, familjes së tij si biologjike, por edhe asaj politike ka një komplot të mirëmenduar, një gjueti shtrigash nga ndërkombëtarë e vendas që pa të drejtë e akuzojnë madje kanë shkuar aq larg saqë “kryetari i SPAK është përpjekur të falsifikojë një proces të tërë gjyqësor”, madje i kanë kërkuar të largohet nga vendi “për t’i marrë partinë”.

Ndryshe nga Doktori, që sipas kutit të tij, qëndron 10 shkallë mbi politikanët e tjerë në vend dhe që ka kohë që institucionin e akuzës e etiketon si SKAP, Meta deri para pak kohësh ka pasur një qasje tjetër. Ai i është përgjigjur drejtësisë, nuk i është shmangur asaj dhe ka qenë i gatshëm të shkojë sa herë është thirrur. Por prej disa ditësh edhe ai, siç duket në kushte të rënduara psikologjike, atakoi drejtuesin e akuzës me epitete, fyerje dhe akuza që jo vetëm kanë lënë të habitur shumë veta, por nuk i shkojnë për shtat një politikani të tillë.

Çfarë ka ndodhur që ai të reagojë kaq ashpër?

Flitet se SPAK e ka mbyllur një prej dosjeve të tij dhe së shpejti do ta dërgojë në gjykatë. Ardhja e disa letërporosive dhe faktet e mbledhura në vend duket se e kanë shqetësuar aq shumë zotin Meta saqë në konferencën e djeshme kish zgjedhur strategjinë e një sulmi frontal mbushur me kërcënime, epitete dhe fyerje ekstreme ndaj përfaqësuesit më të lartë të akuzës.

Gjasat janë që si një politikan me lidhje të shumta, Meta të ketë mësuar që dosja ka elemente serioze që mund ta penalizojnë.

Ndërkohë që në daljen e djeshme mbrojtjen e tij u përpoq ta mbështeste kryesisht në argumente politike, duke deklaruar se SPAK punon me regji dhe se ka shumë skandale korruptive të qeverisjes aktuale që institucioni i akuzës nuk po i merr nën hetim.

Është e vërtetë që shumë prej segmenteve më të larta të qeverisë qendrore, por edhe lokale janë të përfshira në afera korruptive me dëme prej miliona euro nga buxheti shtetit dhe SPAK duket i pafuqishëm për t’i goditur. Po aq është i vërtetë edhe fakti se në këto kushte te shumë shqiptarë të ketë një rënie të besimit te drejtësia e re. Situata ka arritur në atë shkallë saqë goditja e korrupsionit në të gjitha krahët dhe nivelet nga ana e SPAK është kthyer në domosdoshmëri jetike për t’i dhënë vendit normalitetin aq të dëshiruar. Megjithatë, si një politikan që ka ushtruar funksionet më të larta shtetërore, si ish-drejtuesi më i lartë i pushtetit legjislativ ku hartohen dhe miratohen ligjet, si një politikan që prej më shumë se 33 vite ka përfituar dhe vazhdon të ketë benefite jo të pakta për shkak të pozicioneve politike, Meta ka gjithashtu detyrimin ligjor, por edhe moral të shkojë përpara drejtësisë dhe të mbrohet me fakte dhe argumente për të provuar pafajësinë e tij. Çdo anatemim i institucionit të akuzës dhe i drejtuesit të tij nuk bën gjë tjetër veçse e ekspozon atë si fajtor në sytë e publikut.

Të ngjashme
OpEd • 27 Prill 2024