Lajme
Metamorfoza e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes| Nga zëra të fuqishëm në mbrojtje të grevave, në kërcënues
Demokracia
21:41 | 25 Gusht 2022

Share:

Mbi dy dekada pas luftës dhe 14 vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për herë të parë të drejtat e punëtorëve dhe liritë e tyre po rrezikohen seriozisht.

Qeveria e Albin Kurtit i ka kërcënuar me ndalesë të pagës dhe pezullim të kontratës të gjithë punonjësit e sektorit publik që i bashkohen grevës, ndonëse Ligji për Grevat thotë se punëtorit nuk mund t’i ndalohet e drejta për grevë dhe as të përdoret masa e ndëshkimit për të përfunduar grevën, shkruan Demokracia.com.

Të drejtën e grevës, punëtorët kosovarë e kanë shfrytëzuar në vazhdimësi. Çdo kryeministër është përballur gjatë mandatin të tij me grevat e sindikatave, por asnjëherë askush nuk kishte tentuar që t’i shtypte grevat duke i kërcënuar haptas punëtorët.

Grevat vazhdimisht përkraheshin nga opozita.

Edhe vetë kryeministri aktual Albin Kurti, sa ishte në opozitë, bashkë me partiakët e tjerë që sot mbajnë pozita të rëndësishme shtetërore, i përkrahnin dhe inkurajonin grevat. Por, Albin Kurti tashmë ka ndërruar qasje dhe ai që dikur i përkrahte, sot po i kërcënon.

Kurti si opozitar i përkrahte fuqishëm protestat e sektorit publik dhe të mësimdhënësve. Madje, i përkrahte edhe ato që organizoheshin në Shqipëri, shkruan Demokracia.com.

Atë kohë, Kurti përveç se kishte përkrahur grevën e mësimdhënësve që i inkurajonte ta vazhdonin, ai u jepte edhe propozime.

“Mësimdhënësit ta vazhdojnë grevën me kusht që ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar, ndërsa prindërit ta vazhdojnë kundërshtimin me kusht që ta vendosin theksin te rritja e cilësisë në arsim”, kishte deklaruar Kurti në janar të vitit 2019, shkruan Demokracia.com.

Sikur të mos i mjaftonte përkrahja që ua kishte dhënë mësimdhënësve në Kosovë, Kurti në vitin 2019 kishte udhëtuar nga Kosova drejt Shqipërisë për të mbështetur edhe studentët e pedagogët që kishin nisur grevën atje. Ai kishte qëndruar pranë studentëve e pedagogëve në Fakultetin e Shkencave Sociale në Shqipëri dhe i kishte inkurajuar të vazhdonin qëndresën.

“Fitoret edhe në politikë edhe në shoqëri vijnë nga qëndresa. Është e vërtetë që në aspektin e angazhimit tim politik kam filluar me protesta studentore. Në vitet ’90 në Kosovë ndodheshim në okupimin e Serbisë, e cila kishte hequr nga puna të gjithë shqiptarët. Universiteti i Prishtinës zhvillonte mësimet në shtëpi private, por në 1997 filluam protestat. Studentët kanë të drejtë, pothuajse çdo herë dhe çdo kund, por edhe kur mësimdhënësit janë me ata kanë më shumë të drejtë”, kishte thënë Kurti në vitin 2019.

“Është në pikëpyetje ardhmëria e shoqërisë shqiptare. Ju bëj thirrje të keni organizim të konsoliduar. Organizimi ju fuqizon. Arsimi nuk është luks”, kishte deklaruar Kurti.

Edhe Arbërie Nagavci, që sot është Ministre e Arsimit, në opozitë ishte një zë i fuqishëm në përkrahje të grevave.

Vetëm tri vjet më parë kur Nagavci dhe Vetëvendosje ishin në opozitë, ata fajtore për grevat e linin Qeverinë, duke thënë se po t’i rriste pagat, mësimdhënësit nuk do të futeshin në grevë.

Në janar të vitit 2019, dy deputetët e opozitës së asaj kohe nga Vetëvendosje, Arbërie Nagavci dhe Ismail Kurteshi, që merreshin me çështjet e arsimit, vlerësonin se greva e mësimdhënësve erdhi si rezultat i degradimit të arsimit dhe keqqeverisjes së Qeverisë Haradinaj.

Ministrja e tanishme, Arbërie Nagavci, asokohe akuzonte Qeverinë për mosmiratimin e Ligjit të Pagave, që sipas saj, ishte arsyeja kryesore e grevave në arsim.

Ndërkaq, sot kur Qeveria ku bën pjesë edhe Nagavci mezi arriti ta hartojë një draft të Ligjit të Pagave, ndonëse e kishte paralajmëruar për në muajin mars, fajtorë për grevat po i konsiderojnë mësimdhënësit dhe ata po i kërcënojnë.

“Qeveria nga njëra anë merr vendime arbitrare dhe të papërgjegjshme, duke i rritur pagën vetes jashtëligjshëm, duke falur dhjetëra miliona euro nga buxheti i vendit pa asnjë kriter, duke stërmbushur kabinetin qeveritar me qindra këshilltarë, zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra, duke mbushur bordet e institucionet publike me militantë partiakë dhe nga ana tjetër nuk merret me zgjidhjen profesionale të problemeve dhe adresimin. Kjo Qeveri është fajtori kryesor për grevat që po ndodhin sot dhe për pamundësinë e fëmijëve që të jenë në kopshte e nxënësit nëpër shkolla”, thoshte asokohe Nagavci, përcjell Demokracia.com.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, që në atë kohë ishte edhe Kryetar i Komisionit për Arsim në Kuvend, Ismajl Kureshi, fliste për mungesën e prioritizimit të arsimit nga ajo Qeveri, duke thënë që pashmangshëm ka çuar në grevë.

“Sikur Qeveria t’i kishte vënë në jetë vetëm dy pikat e para të rezolutës për arsim të aprovuar para dy viteve në Kuvendin e Kosovës, si rritja e buxhetit dhe menaxhimi i drejtë i tij dhe rritja e llogaridhënies, monitorimit dhe vlerësimit të performancës, sot arsimi nuk do të ishte këtu ku është”, kishte thënë Ismajl Kurteshi.

“Sikur Qeveria të mos i rriste rrogat e veta dhe të mos i injoronte shqetësimet e SBASHK-ut, sot nuk do t’i krijonte pakënaqësitë që i ka krijuar dhe nxënësit nuk do të mbeteshin në shtëpitë e tyre. Shkaktari i vërtetë i grevës është Qeveria e Kosovës”, kishte shtuar Kurteshi.

Edhe ministrja Albulena Haxhiu në vitin 2019, sa ishte opozitë, e kishte përkrahur grevën e punëtorëve të arsimit.

Haxhiu kishte thënë asokohe se një Qeverie që nuk e qan kokën për dinjitetin dhe mirëqenien e mjekut, mësuesit, por vetëm ka hallin e interesit personal, duhet përgjigjur me grevë, shkruan Demokracia.com.

Sipas saj, vendimi për të hyrë në grevë asokohe ishte i duhuri dhe duhej ta kishte mbështetjen edhe të prindërve, sepse për këtë nuk ishin fajtorë punëtorët e arsimit, por Qeveria e papërgjegjshme.

“Nga nesër të gjithë punëtorët e arsimit do të hyjnë në grevë.

Në një vend ku numri i ministrave, zëvendësministrave, këshilltarëve, nuk ka tavan dhe ku paga e një këshilltari është disa fish më e lartë se e punëtorëve shëndetësor dhe në këtë rast edhe punëtorëve të arsimit, pakënaqësitë vetëm sa vijnë e shtohen.

Vendimi për të hyrë në grevë është i duhur dhe duhet ta ketë mbështetjen edhe të prindërve sepse për këtë nuk janë fajtorë punëtorët e arsimit, por Qeveria e papërgjegjshme e cila e ka thelluar krizën e diskriminimin.

Një Qeverie që nuk e qan kokën për dinjitetin dhe mirëqenien e mjekut, mësuesit por vetëm ka hallin e interesit personal, duhet përgjigjur me grevë!”, kishte shkruar Haxhiu.

Ndërsa, pak më poshtë duke komentuar me militantët politikë, Albulena Haxhiu kishte thënë se cilësia në arsim nuk përmirësohet nëse arsimi nuk bëhet prioritet.

“Vendimi për te hyre ne greve nuk është veprimi i pare. Sic besoj jeni i informuar, ka kohe te gjate qe punetoret e arsimit kerkojne rritje te koeficientit. Kerkesa e tyre nuk eshte perfshire as ne pligjin per buxhet as ligjin per paga pra kane qene qindra kerkesa radhazi dhe ne vazhdimesi jane mashtruar”, shkruante Haxhiu.

Qeveria ku ministre e Drejtësisë tani është Albulena Haxhiu dhe e Arsimit, Arbërie Nagavci, në përpjekje e sipër që t’i frikësojë shërbyesit civilë për të mos iu bashkuar grevës së BSPK-së tani është duke i kërcënuar edhe me pezullim të kontratave dhe ndalim të pagave mujore.

Nga sot sektori publik në Kosovë ka nisur grevën e përgjithshme, pasi që sindikalistët nuk kanë arritur të bien dakord me Qeverinë e Kosovës rreth kërkesës së tyre për mbështetje prej 100 eurove. /Demokracia.com/

Të ngjashme