Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se Shqipëria mund të ndihmojë lidhur me situatën e krijuar në Kosovë, vetëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti.
Sipas Metës, Qeveria e Shqipërisë nuk duhet të flasë apo të propozojë politika që duhet të zbatohen brenda Kosovës pa u konsultuar paraprakisht me Kurtin dhe institucionet legjitime në Kosovë.
“Asociacioni i Komunave është një marrëveshje tashmë e pranuar nga qeveria aktuale e Kosovës, dhe ajo garantohet në Marrëveshjen e Brukselit dhe në Aneksin e Marrëveshjes së Ohrit, të realizuara me mbështetjen dhe negocimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zgjidhja se si do të arrihet Asociacioni, gjendet pra te respektimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Z. Kurti ka treguar vazhdimisht përgjegjësi dhe vullnet të palëkundur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ndërsa te z. Vuçiq nuk e kemi parë në asnjë rast një gjë të tillë, përkundrazi një sërë veprimesh të tij kanë demonstruar të kundërtën”, ka shkruar ai në Facebook.