Lajme
Mësuesja që kërkoi dorëheqjen e Rrahman Jasharajt del të jetë aktiviste e LVV-së
Demokracia
21:03 | 25 Gusht 2022

Share:

Mësimdhënësja e shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë, Elena Stublla, e cila është kundër grevës së SBASHK-ut, ka një kërkesë për kryetarin e kësaj sindikate Rrahman Jasharajn.

Stublla në emisionin Frontal në T7 kërkoi dorëheqjen e Jasharajt, pasi që, sipas saj, në vendin e tij duhet të jetë dikush që gjen gjuhë të përbashkët mes mësimdhënësve dhe atyre që bëjnë zgjidhje, shkruan Demokracia.com.

“Nëse e don aq shumë arsimin sa po proklamon, le të jap dorëheqje, le t’ia lëshon vendin dikujt që e don arsimin dhe që gjen gjuhë të përbashkët mes mësimdhënësve dhe atyre që gjejnë zgjidhje”, tha ajo.

Stublla shtoi se Jasharaj po shihet si pengesë e realizimit të qëllimeve të mësimdhënësve. Ajo thotë se Jasharaj po e denigron karakterin e të qenit mësues.

“Ai po shihet si pengesë për realizimin e qëllimeve tona si mësimdhënës. Po e përdor emrin tonë në mënyrë shumë të ultë, po e denigron karakterin e të qenurit mësues”, thotë aji.

Megjithatë, mjafton të googlohet për ta kuptuar kush është Stublla dhe ajo shihet se është aktiviste e LVV-së.

Stublla kishte refuzuar edhe protestën e SBASHK-ut, që u mbajt në muajin maj.

Këto kundërshtime të saj duket se nuk kanë fort të bëjnë me pakënaqësi organizative në lidhje me SBASHK-un. Kritikat e forta në adresë të Jasharajt e SBASHK-ut, ashtu si mospjesëmarrja në protestë, duket se janë krejtësisht të motivuara politikisht.

Siç kanë raportuar mediat, Stublla është politikisht e afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila udhëheq me Qeverinë e Kosovës. E kjo e fundit nuk ka marrëdhënie të mira me SBASHK-un e posaçërisht me Jasharajn.

Stublla është e afërt me Albulena Haxhiun, e cila është njëra nga figurat më të rëndësishme të LVV-së e njëkohësisht Ministre e Drejtësisë në Qeverinë Kurti.

Stublla edhe punën e saj si mësimdhënëse e kishte filluar në kohën e Arbërie Nagavcit kur kjo e fundit ishte Drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë. /Demokracia.com/

Të ngjashme