Sport
Messi në listën e ngushtë të UEFA-s për futbollistin më të mirë
Demokracia
16:51 | 17 Gusht 2023

Share:

Lionel Messi është në listën e ngushtë prej tre lojtarëve që garojnë për çmimin e futbollistit më të mirë në Evropë për edicionin e shkuar, ka njoftuar të enjten UEFA. Kapiteni i Argjentinës, që fitoi kupën e botës “Katari 2022”, është larguar nga Evropa këtë verë për të luajtur në SHBA me ekipin e Inter Miamit. Në listën e ngushtë se bashku me Messin për çmimin e më të mirit nga UEFA, janë edhe dy futbollistët e Manchester Cityt, mesfushori Kevin De Bruyne dhe sulmuesi Erling Haaland. Messi fitoi çmimin e UEFA-s dy herë në historinë e tij 12-vjeçare, të dy rastet në vitet kur Barcelona ishte kampione evropiane. Manchester City e fitoi trofeun e Ligës së Kampionëve edicionin e shkuar. Po ashtu triumfoi edhe në Premier League dhe Kupën FA.

Për dallim prej lojtarëve, Pep Guardiola është favorit për çmimin e trajnerit më të mirë te meshkujt, pasi udhëhoqi skuadrën e Cityt drejt “tripletës” për herë të parë në histori të klubit anglez. Të nominuar për çmimin e trajnerit më të mirë të edicionit të shkuar, janë edhe italianët Simone Inzaghi e Luciano Spalletti. Inzaghi arriti deri në finale të Championsit me skuadrën e Interit, ndërsa Spalletti e fitoi titullin e kampionit të Italisë me Napolin, i cili ishte i pari pas më shumë se tri dekadave për ekipin napolitan. Fituesit do të shpallen më datën 31 gusht, saktësisht kur edhe do të mbahet shorti i fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve për edicionin 2023/24.

Listat e shkurtuara për futbollisten më të mirë dhe trajneren më të mirë te femrat do të shpallen javën e ardhshme, saktësisht pas Kampionatit Botëror që po mbahet në Australi dhe Zelandë të re, njoftoi UEFA. Përfaqësuesja e Anglisë do të përballet me Spanjën në ndeshjen finale, e cila do të luhet të dielën në Sydney të Australisë.

Kylian Mbappe, ish-shoku i skuadrës së Messit te skuadra e Paris Saint-Germainit, ishte i gjashti në votimin e lojtarëve nga trajnerët dhe gazetarët evropianë, pavarësisht se shënoi tetë gola në Kupën e Botës, përfshirë tre kundër Argjentinës në ndeshjen finale. Të renditur mbi francezin Mbappe ishin mesfushorët e Manchester Cityt, İlkay Guendogan dhe Rodri, goli i të cilit vulosi fituesin në finalen e Ligës së Kampionëve. Në fakt, Guendogan në edicionin e ri është pjesë e Barcelonës pasi u largua nga City si lojtar i lirë. I vetmi lojtar i Interit që mori vota ishte mesfushori Marcelo Brozoviq, i cili u rendit në pozitën e tetë. Mesfushori kroat muaj më parë u zhvendos në Arabinë Saudite dhe tani është pjesë e ekipit Al-Nassr. Cristiano Ronaldo dhe Neymari, të tjerët që janë transferuar në Arabinë Saudite, nuk morën vota nga paneli i UEFA-s, i cili përfshinte trajnerë nga klubet që luajtën në fazat e grupeve të të tri garave evropiane – Liga e Kampionëve, Liga e Evropës dhe Liga e Konferencës. Trajneri Roberto De Zerbi ishte i katërti në votat e trajnerëve, pavarësisht se ekipi i tij Brightoni nuk u paraqit në asnjë garë të UEFA-s edicionin e shkuar. Brightoni do të debutojë muajin e ardhshëm në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, pasi ka përfunduar në vendin e gjashtë në Premier League. Franck Haise, i cili udhëhoqi Lensin në vendin e dytë në ligën franceze, dhe David Moyes i kampionit të Konferencës së Ligës së Evropës, West Ham, ishin në mesin e 10-të trajnerëve që morën disa vota.

Të ngjashme