Lajme
Mesazhi nga Berlini pasi Michel “caktoi” afatin: Zgjerimi prioritet gjerman dhe konsensus i BE-së
Demokracia
13:50 | 05 Shtator 2023

Share:

Pas fillimit të luftës në Ukrainë, institucionet e Bashkimit Europian nisën t’i shpeshtonin zotimet që zgjerimi i Unionit të bëhet prioritet. Përveçse për Ukrainën e fqinjët e saj, BE është e mendimit se edhe anëtarësimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do ta shtonte sigurinë në Europë.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, së fundi dha edhe një datë se kur planifikojnë që këto deklarime të bëhen të prekshme.

“Unë besoj se, nga të dyja anët, duhet të jemi gati për t’u zgjeruar deri në vitin 2030”, tha ai në Forumin Strategjik të Bledit, më 28 gusht.

Premtimi i Michel u dha në prani të gjashtë udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor, të cilët po ashtu po merrnin pjesë në këtë forum.

“Është koha për t’i hequr qafe paqartësitë. Është koha për t’i përballuar sfidat me qartësi dhe ndershmëri. Për të qenë të besueshëm, unë besoj se duhet të flasim për kohën dhe detyrat e shtëpisë”, shtoi më pas Michel.

Ai shtoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet të lë pas konfliktet për t’u bërë anëtarë të Unionit.

“Ne duhet të sigurohemi që konfliktet e kaluara, të mos importohen në BE”.

Por, a është ky qëndrim i Michel qëndrim unik i gjithë Bashkimit Europian?

Një sinjal pozitiv mbi këtë e ka zbuluar ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde dje nga Berlini.

Sipas tij, ky është top prioritet gjerman dhe konsensus në nivel të Bashkimit Europian.

“Pas pjesëmarrjes në dy panele domethënëse mbi zgjerimin e BE-së sot, konkluzioni im kryesor është kristal i qartë: Zgjerimi i BE-së nuk është vetëm prioriteti ynë kryesor në Politikën e Jashtme, por edhe një konsensus në nivel të BE-së që nënvizon rëndësinë e tij të pamohueshme si një domosdoshmëri gjeopolitike” ka shkruar Rohde, në platformën X, pas pjesëmarrjes në mbledhjen e më shumë se 220 shefave të misioneve gjermane të akredituara nëpër botë ku edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë Analena Baerbock ka mbajtur fjalim.

Për këtë afat që dha Michel ka folur edhe i ngarkuari për zgjerim të Unionit. Komisioneri Oliver Varhelyi tha se KE është e gatshme të bëjë propozimin e saj, duke dhënë edhe një afat mbi këtë.

“Komisioni është i gatshëm të bëjë çdo propozim për të arritur atje [në anëtarësim] dhe këtë do ta shihni tashmë në tetor, kur ne duam të bëjmë propozime thelbësore duke përfshirë Planin e Rritjes, të cilin Presidenti ynë e ka shpjeguar tashmë në Bratislavë, që kjo do të përshpejtojë jo vetëm integrimin institucional por edhe atë real. Integrimi real i njerëzve dhe i ekonomive në Bashkimin Europian”, tha ai.

Ai tha se ai e mirëpret që Këshilli dëshiron të angazhohet më në fund dhe të bëjë një hap të madh për të realizuar zgjerimin.

“Komisioni Europian ka qenë gjithmonë i gatshëm të bëjë çdo propozim që do të na çonte drejt zgjerimit të vitit 2030”, kishte shkruar Varhelyi në platformën X.

“Nuk mendoj se bëhet fjalë për data. Unë mendoj se është më shumë një çështje vullneti, dhe gjithashtu çështje e dorëzimit; shpërndarje nga ana e BE-së, por edhe ofrimi nga ana e vendeve tona partnere në Ballkanin Perëndimor apo tre vendeve të tjera kandidate”.

“Cilat vende mund të jenë të parat që do të anëtarësohen në Bashkimin Europian? Sipas jush cilat janë më afër?”, ishte pyetja e gazetarëve për Varherlyi.

“Mendoj që ata që janë më afër të pranojnë të parët. Pra, do t’i inkurajoja të gjithë ata që ta përshpejtojnë punën e tyre. Unë mendoj se ata të gjithë tani kanë gjithçka dhe do të kenë gjithçka në tryezë nga tetori vetëm për ta bërë këtë, kështu që shpresoj që të mos jetë vetëm një i interesuar për këtë ofertë europiane, por të gjithë ata”, tha ai.

Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë europiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik.

Të ngjashme