Lajme
Memli Krasniqi: Anëtarësimi i Kosovës në UEFA, shpërtheu izolimin shumëvjeçar të futbollit
Demokracia
13:53 | 03 Maj 2022

Share:

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kujtuar sot 3 majin e vitit 2016, ditën kur Kosova u bë anëtare e plotë e shtëpisë më të madhe të futbollit evropian, UEFA.

Krasniqi i cili atë kohë ishte ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha se ky moment shpëtheu izolimin shumëvjeçar të futbollit kosovar.

“Padyshim, meritat më të mëdha për këtë sukses historik që ia mundësoi Kosovës përfaqësimin dhe garimin në arenën ndërkombëtare në sportin më të popullarizuar në botë, i ka ish-presidenti historik i Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri. Ka qenë kënaqësi e jashtëzakonshme që një pjesë të rrugëtimit dhe lobimit për pranimin e FFK-së në UEFA e kemi bërë së bashku me Fadilin, mikun dhe bashkëpunëtorin tim të afërt për më shumë se tri vjet sa isha Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, ka shkruar kreu i PDK-së në faqen e tij në Facebook.

Ai tha se sot, yjet e kombëtares së Kosovës po shndritin nëpër ligat më të mëdha të futbollit në botë, duke ngritur lartë ngjyrat dhe vlerat e shtetit tonë.

“Urojmë që këtë vit, në kuadër të Ligës së Kombeve, Kosova të arrijë suksesin e kërkuar e të merituar për kualifikim në Euro 2024”, tha Krasniqi.

Të ngjashme