Lajme
Megjithatë një kryetar komune vizitoi ShBA-në, Bashkim Ramosaj i Deçanit ishte edhe në Iowa
Demokracia
23:24 | 14 Nëntor 2022

Share:

U parashikua që nga 14 nëntori, e deri më 16 të po këtij muaji, disa nga kryetarët e komunave të Kosovës të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Synim ishte vizita në Iowa.

Në këtë vizitë ishin të ftuar, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, kreu i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i pari i Gjilanit, Alban Hyseni, ai i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe përfundimisht ai i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, bashkë me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Në emaile njoftohej se për shkak të ngjarjeve të fundit në Kosovë, vizita e ministrit dhe kryetarëve të komunave duhet të shtyhet për vitin e ardhshëm (2023).

“Fillimisht, dua t’ju falënderoj për përpjekjet tuaja në organizimin e kësaj vizite. Me keqardhje ju njoftoj se për shkak të situatës së fundit në Kosovë, duhet ta shtyjmë vizitën e ministrit dhe kryetarëve të komunave për fillim të vitit 2023. Për këtë vendim janë konsultuar të gjithë kryetarët e komunave dhe kanë shprehur gatishmërinë për të qenë pjesë të vizitës gjatë vitit të ardhshëm. Më vonë ne mund të caktojmë datën fikse për vizitën.Edhe një herë, ju falënderoj për gjithë punën e bërë dhe na vjen shumë keq për çdo shqetësim të shkaktuar juve, Artanit dhe miqve tanë në Iowa”, thuhej ndër të tjerash në postën elektronike.

Mirëpo, jo të gjithë kryetarët e komunave shtynë udhëtimin për në ShBA.

Në një mënyrë apo tjetër, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka udhëtuar, dhe i njëjti ka zhvilluar disa takime në Iowa.

Rreth kësaj çështjeje, Gazeta Nacionale ka kontaktuar me Ramosajn, i cili ka thënë se në ShBA, ka udhëtuar me një agjendë tjetër, por që ka zhvilluar edhe takime në Iowa.

“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kamë ardhur me ftesë të Todd Jacobus, për tu takuar më këshillin e Mason City, për të biseduar për aktin formal për binjakëzimin me qytetin e Deçanit. Gjatë qëndrimit në ShBA, kam zhvilluar takime edhe në IOWA, ku jam pritur ngrohtësisht nga zv. Sekretari i Shtetit të IOWA-së, z. Michael Ross”, ka thënë Ramosaj.

Pse u shtynë vizitat?

Të mërkurën u raportua se ministres Albulena Haxhiu i është anuluar udhëtimi për në ShBA, pas zhvillimeve në vend dhe situatës së tensionuar në veri.

“Ministrja Haxhiu tashmë është njoftuar nga ne për pamundësinë që ajo të udhëtojë. Kjo është bërë vetëm para pak çastesh”.

Haxhiu ndërkaq, në reagimin e saj për këtë çështje, vetëm pas raportimit të mediave, deklaroi se vendimi është marrë bashkarisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vizita për në ShBA i është shtyrë edhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Këto vizita për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u shtynë për shkak të zhvillimeve të fundit në Veriun e Kosovës.

Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka deklaruar se ka qenë ai që e kërkoi shtyrjen e vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas zhvillimeve në veri të vendit dhe dorëheqjes së kryetarëve të komunave atje.

“Jo nuk është e vërtetë, aspak. Në fillim të këtij viti, ne kemi pasë një delagacion nga IOWA në Kosovë edhe për fundvit, për tash, ishte planifikuar një vizitë atje me 6-7 kryetarë që kanë binjakëzime me Iowa. Unë kam kërkuar më datën 7 nga kabineti që kjo vizitë të shtyhet për në pranverë, pasi kam vlerësuar që si ministër i komunave, të jem këtu kur janë dorëhequr kryetarët e 4 komunave”, pat thënë ai në RTV Dukagjini

LEXO EDHE:

Edhe ministrit Elbert Krasniqi dhe tre kryetarëve të komunave të LVV-së u shtyhet shkuarja në SHBA

Të ngjashme