Lajme
Medvedev kërcënon: Nëse NATO tenton të hyjë në Krime, nis Lufta e Tretë Botërore
Demokracia
10:23 | 28 Qershor 2022

Share:

Një tjetër sulm-kërcënim për Perëndimin nga Dmitry Medvedev, ish-presidenti rus, aleati besnik i Vladimir Putinit.

“Çdo përpjekje për të pushtuar Krimenë, do të përbënte një shpallje lufte kundër Rusisë. Nëse një vend anëtar i NATO-s do të bënte një lëvizje të tillë, kjo do të çonte në një konflikt kundër të gjithë Aleancës së Atlantikut të Veriut: në Luftën e Tretë Botërore, në një fatkeqësi totale”, tha nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, i intervistuar nga mediat e Moskës.

Sipas Medvedit, “anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në NATO, paraqet një rrezik më të madh për Rusinë, sesa ai i Suedisë dhe Finlandës”, shpjegoi ish-presidenti dhe ish-kryeministri rus.

Kievi do të ishte “shumë më i rrezikshëm për vendin tonë si anëtar” i Aleancës së Atlantikut të Veriut, theksoi Medvedev.

Ndërkohë, Rusia ka nisur “valë të pazakonta intensive sulmesh” në Ukrainë ditët e fundit, duke përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi, “të projektuara për të goditur objektiva me rëndësi strategjike”.

Kjo zbulohet nga përditësimi i fundit i inteligjencës nga Ministria e Mbrojtjes e Londrës, sipas të cilës, forcat ukrainase “vazhdojnë të konsolidojnë pozicionet e tyre” në pjesën e sipërme të qytetit të rrethuar të Lysychansk, “pasi u tërhoqën nga Severodonjecku”.

Midis 24 dhe 26 qershor, Rusia përdori “raketat me rreze të gjatë” për një seri sulmesh në vend, skena e pushtimit rus të shpallur më 24 shkurt nga presidenti rus Putin si një “operacion special ushtarak”.

Në sulme, “me shumë gjasa” janë përdorur gjithashtu “raketat As-4 Kitchen (Kh-22) të epokës sovjetike dhe më moderne As-23a Kodiak (Kh-101), të lëshuara nga hapësira ajrore ruse dhe bjelloruse”.

Armët, “janë të projektuara për të goditur objektiva me rëndësi strategjike, por Rusia vazhdon t’i përdorë ato në numër të madh për të marrë avantazhe taktike”.

Të ngjashme