OpEd
Editorial i Demokracia.com: Më shumë informim për më shumë demokraci
Demokracia
00:00 | 15 Janar 2021

Share:

Në angazhimin politik të fundshekullit XX, demokracia për ne ishte bërë sinonim edhe për kërkesat për liri, barazi dhe pavarësi, jo vetëm për pluralizëm politik. Këto kërkesa artikuloheshin gjithandej, por askund më fuqishëm se me demonstrata në rrugë, ku merrnin pjesë të rinj e të moshuar, burra e gra, studentë e punëtorë, të cilët protestonin me dy gishta të ngritur, në formë të shkronjës “V”. Kjo ishte më shumë se vetëm “Victory”. Ishte sinonim i aspiratës për të drejtën për shtet, zhvillim, dinjitet e prosperitet.

Deri atëherë gjenerata të shumta të shqiptarëve që jetonin në shtetin e quajtur Jugosllavi u rritën nën një sistem politik dhe shoqëror që ishte diskriminues në thelb, i cili asokohe ishte në proces të shkatërrimit. Por, për shqiptarët në Kosovë gjërat vetëm sa shkonin duke u bërë më keq e më rëndë. U dëbuan nga puna, u mbyllën shkollat shqipe, u mbyllën mediat. Megjithatë, besimi se kishim të drejtë dhe se do të ngadhënjenim nuk u zbeh asnjëherë. Bashkë me këtë as besimi në vlerat dhe parimet me të cilat u mishëronim. Ky besim e ky përkushtim mbetet edhe sot, ndonëse entuziazmi dhe solidariteti që na kanë shoqëruar në vitet e paraluftës normalisht që tani janë venitur.

Mediumi “Demokracia” synon t’i zhvillojë dhe promovojë mu këto vlera e parime, duke e ruajtur besimin dhe përkushtimin për to.

Ne qysh tani abstenojmë nga gara për mediumin më të shpejtë, por garojmë në fushëbetejën e informimit të drejtë dhe të plotë, që qytetarët të mund të marrin vendime duke u informuar sa më mirë. Garojmë për promovimin e vlerave që ndihmojnë në emancipimin e shoqërisë dhe përgatitjen e saj për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.

Lajmet në www.demokracia.com do të kenë shumë burime, do të dëgjohen të gjitha palët dhe informacionet do të verifikohen profesionalisht.

Ne nuk do të jemi medium vetëm i lajmeve negative, por platformë e debatit të mirëfilltë dhe përmbajtjesor në të gjitha fushat. Do t’i kushtojmë rëndësi të madhe ngjarjeve politike, ekonomike, kulturore dhe atyre të sigurisë, duke u dhënë lexuesve një perspektivë më të gjerë me interpretime dhe analiza nga ekspertë vendorë, rajonalë dhe ndërkombëtarë.

“Demokracia” do të jetë një forum edhe i partive politike në Kosovë për të diskutuar për tema që janë në interes të qytetarëve të Kosovës.

Përmes rubrikës “Demonstro” qytetarët ftohen të demonstrojnë qytetari, duke raportuar për temat dhe ngjarjet që ata i mundojnë apo që ata duan t’i promovojnë e pse jo edhe të lavdërojnë.

Me platformën “PodCast” do të sjellim emisione të ndryshme, debate dhe intervista. Po ashtu, lajmet ekskluzive dhe analizat e përzgjedhura nga redaksia e mediumit “Demokracia” do të ofrohen edhe në versionin audio. Dy herë në ditë do të ketë lajme të shkurtra në platformën “PodCast” për t’i mbajtur të informuar qytetarët që janë pjesë e kësaj platforme, por edhe lexuesit që nuk kanë mundësi t’i lexojnë lajmet, si për shembull ata që janë të zënë në komunikacionin rrugor.

“Demokracia” do të jetë vendi ku do të promovohen të drejtat e grave, fëmijëve, komuniteteve dhe çdo grupi të margjinalizuar shoqëror, sepse mirëqenia e tyre është matës i demokracisë gjithandej shoqërive ku ne synojmë të kemi vend.

Një rubrikë e veçantë do t’i dedikohet edhe diasporës sonë, e cila ndjenjën e lirisë dhe pavarësisë e shndërroi në mision. Pa diasporën tonë, pa punën e palodhshme, pa djersën, sakrificën familjare dhe paratë që i fituan me shumë mund, me të cilat na mbështetën tërë këto vite, liria dhe pavarësia e Kosovës do të mbetej vetëm një ide. Në këtë rubrikë do të promovohen rinia shqiptare gjithandej botës, përfaqësuesit e bizneseve, iniciativat kulturore, të arriturat në fushën e artit, sportit dhe çdo gjë që vlerësohet e rëndësishme për ta ndarë me publikun në Kosovë.

Një rubrikë me shumë rëndësi do të jetë edhe ajo e sportit. Ne do ta sjellim një mënyrë të re të narracionit për sportin në Kosovë.

Prandaj, ne ju ftojmë të bëheni pjesë e iniciativës sonë për të sjellë lajme të sakta, të verifikuara, analiza përmbajtjesore, intervista ekskluzive dhe një mënyrë unike, profesionale dhe të sinqertë të të bërit gazetari.

Të ngjashme