Lajme
Me SHBA-në apo me Albin Kurtin? | Anën e kujt do ta mbajë Vjosa Osmani…
Demokracia
20:28 | 06 Qershor 2023

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot është takuar me dy emisarët ndërkombëtarë për dialogun Kosovë – Serbi, Gabriel Escobarin e SHBA-së dhe Miroslav Lajçakun e BE-së.

Ndonëse vazhdimisht, Osmani raportet me SHBA-në i vendos të parat, ajo siç duket e ka problem të bëjë një ndarje ndërmjet SHBA-së dhe Albin Kurtit, shkruan Demokracia.com.

Osmani ende nuk ka treguar se cilën anë do të mbajë, a do të pozicionet me aleatët e Kosovës apo me Kurtin.

Përmes një postimi në Twitter, Osmani ka thënë se ka shprehur përkushtimin për të vazhduar punën me aleatët, që të mundësohet sundimi i ligjit në veri.

”Në takimin e sotëm me Escobar dhe MiroslavLajcak, shpreha përkushtimin tonë të plotë për të vazhduar punën me partnerët për të siguruar sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Diskutuam hapat e ardhshëm në përpjekjet tona të përbashkëta për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajonin tone”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Osmani ka folur edhe për grupet kriminale në veri, duke dënuar sërish dhunën që kanë ushtruar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, policisë e gazetarëve.

“Theksoi se mosndëshkimi për grupet dhe individët kriminalë që kanë ushtruar dhunë ndaj policisë, gazetarëve, KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve nuk duhet toleruar. Nënvizoi se zgjedhjet e reja janë të mundshme në përputhje me ligjin dhe parimet demokratike përfshirë. pjesëmarrjen e të gjithëve”, ka shkruar Osmani.

Por, dy diplomatët e huaj të cilët sot ishin shumë të ashpër me kryeministrin Albin Kurti.

Emisari i SHBA-së, Gabriel Escobar tha sot  para gazetarëve pas takimeve të mbajtura dhe mesazhet e tij ishin mjaft të paqarta e përgjithësuese për Kosovën, megjithëse jo edhe për kryeministrin Kurti me të cilin tha se “po e kanë të vështirë” dhe se i ka futur në “konfuzion total”.

Escobar e pa të udhës në disa raste që të siguronte popullin e Kosovës se nuk e rrezikonte raportin e saj me Amerikën, sepse sipas tij problemi ishte te një individ, Albin Kurti, shkruan Demorkacia.com.

“Më duhet ta përsëris se raporti i Kosovës me Amerikën është raport mes popujve. Dhe ky është raport i fortë. Ne do të vazhdojmë të jemi partneri më i madh…”, tha Escobar.

“Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se çfarë vështirësie që kemi me kryeministrin, nuk do ta ndikojë atë ndjesi” , tha ai.

Ndërkohë, ai haptazi tregoi se kush është problemi në marrëdhëniet Kosovë-SHBA.

“Ne gjithmonë do të qëndrojmë krah popullit të Kosovës. Por kjo s’do të thotë që do të qëndrojmë krah një individi që nuk e ndan atë instinkt për të bashkëpunuar e për t’u bashkërenduar”, tha emisari amerikan.

Lexo më shumë: 

Goditja amerikane | Escobar e veçon Albin Kurtin nga Kosova: Qëndrojmë me Kosovën, por jo me një kryeministër që refuzon të bashkëpunojë

E emisari i BE-sk, Lajçak ka treguar se kanë diskutuar për situatën në veri të Kosovës, ku u theksua rëndësia e gjetjes së një zgjidhjeje për depërshkallëzimin e situatës,

“Sot në mëngjes me Presidentin diskutuam për situatën në veri të Kosovës me presidenten Vjosa Osmani. Ne theksuam rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje politike që mundëson de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe kthimin në normalizim.”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Lexo më shumë: 

Lajçak shkruan për takimin me Osmanin: Folëm për veriun, kemi nevojë për një zgjidhje politike

Edhe në njoftimin e lëshuar nga Presidenca është thënë se Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që të punohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që në veri të vendit të sundojë rendi e ligji dhe të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës.

Sipas Osmanit, ndëshkimi i grupeve kriminale dhe individëve që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, është rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Osmani në takim ka thënë se pret që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë.

Presidentja Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, ajo shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna.

Në takim me të dy emisarët, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e fuqizimit të aleancës me SHBA-të dhe BE-në, në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për rrugën euroatlantike dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme