Lajme
MD s’kishte arritur të lidh kontratë për aparatet kundër zjarrit në IML për gati 1 vjet, a ka vazhduar ky dështim?
Demokracia
10:25 | 21 Nëntor 2023

Share:

Sot është shënuar incidenti i dytë i zjarrit brenda këtij viti në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Shkaqet e rastit të fundit akoma nuk dihen, teksa ajo që u konfirmua është që një zyrë është bërë shkrumb e hi, ku janë djegur dokumente të ndryshme – por të lënduar s’ka. Edhe ky rast dyshohet se ka ndodhur si pasojë e dështimit të Ministrisë së Drejtësisë për lidhjen e kontratës për mirëmbajtjen e aparateve kundër zjarrit në këtë institucion.

Kështu kanë bërë me dije burimet me ç’rast njoftuan se që rreth 2 vjet nuk është lidhur kontratë, përkundër që ishte formuar komisioni i hartimit të specifikave pas pranimit të vendimit të OSHP-së.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje edhe në MD për ta konfirmuar këtë dështim që siç duket ka zgjatur edhe për gjithë këta muaj dhe nuk është gjetur zgjidhja për këtë çështje.

Pra kjo nuk është hera e parë që objekti i IML-së përfshihet nga flakët.

Edhe në fund të muajit mars të këtij viti, kishte shpërthyer një zjarr në një pjesë të objektit që ishte shfrytëzuar për qëllime logjistike.

Atë kohë, nga MD e patën konfirmuar se nuk kanë lidhur kontratë, duke u arsyetuar se kanë qenë ankesat e operatorëve ato që e kanë pamundësuar të përfundojë një proces i tillë.

Sinjali është në pritje të një përgjigje nga MD nëse kanë ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me këtë proces.

Të ngjashme