Lajme
Mbi 70 zyrtarë me parregullësi në deklarimin e pasurisë, në mesin e tyre edhe këshilltari i Kurtit
Demokracia
17:22 | 16 Mars 2022

Share:

60 kallëzime penale, 11 informata në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe tri informata në Policinë e Kosovës i ka nisur Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) gjatë këtij viti për zyrtarët publikë për mosdeklarim të pasurisë.

Kjo është konfirmuar nga AKK-ja në një përgjigje për Demokracia.com, ku thuhet se do të bëhen të gjitha hetimet në lidhje me këtë situatë.

“Rrjedhimisht, Agjencia në asnjë rast nuk paragjykon rezultatin e hetimeve para se të kryhen të gjitha hetimet sipas legjislacionit në fuqi. Zhvillimi i hetimeve dhe kontrollit të pasurisë realizohet pa paragjykime etnike, gjinore, gjuhësore, fetare dhe të tjera të subjekteve deklaruese”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.

AKK-ja për Demokracia.com ka treguar edhe pozitat që mbajnë zyrtarët publikë, ndaj të cilëve është përcjellë kallëzim penal.

Në këtë përgjigje, vërehet se ndaj edhe këshilltarit politik dhe ish-këshilltarit politik në Zyrën e Kryeministrit, është bërë kallëzim penal, është dërguar informacion në Zyrën e Kryeministrit apo informatë në Policinë e Kosovës.

AKK për Demokracia.com nuk ka treguar masat që janë ndërmarrë ndaj zyrtarëve të caktuar që gjenden në këtë listë.

“Ministër, Zëvendës/ministër, Kryeprokuror, Gjyqtar, anëtar i Këshillit Drejtues të universitete publike, prodekan, sekretar fakulteti, asambleist, këshilltar politik dhe ish këshilltar politik në Zyrën e Kryeministrit, këshilltar politik dhe këshilltar politik në Ministri, këshilltar të jashtëm në Ministri, anëtar dhe ish anëtar të Këshillave Drejtuese të institucioneve kulturore, anëtar të Bordit të Drejtorëve në Ndërmarrjet Publike qendrore dhe anëtar të Bordit të Drejtorëve në Ndërmarrjet Publike lokale, drejtor departamenti në Ndërmarrjen Publike qendrore, drejtor klinike, ish Sekretar i Përgjithshëm në nivel qendror, drejtor në nivel qendror, Auditor të Brendshëm në nivel qendror, drejtor dhe ish drejtor në Policinë e Kosovës, drejtor në nivel komunal, sekretar i dytë në misionet diplomatike, sekretar i tretë në misionet diplomatike”, janë zyrtarët tek të cilët është vërejtur parregullsi në deklarimin e pasurisë.

Ditë më parë, Agjencia Kundër Korrupsion (AAK) ka bërë kallëzim penal për ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

AKK dorëzon kallëzim penal | Zbulohet biznesi që e fshehu ministrja Rozeta Hajdari

Demokracia.com ekskluzivisht raportoi se Hajdari nuk e ka deklaruar në formularin e pasurisë biznesin në emrin e saj.

“N.SH R&V Consulting”, është biznesi që Hajdari nuk e ka deklaruar fare në formularin e AKK-së.

Këtë biznes Hajdari e ka regjistruar në vitin 2008 shumë kohë para se të bëhej ministre dhe në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) ende figuron si biznes aktiv. /Demokracia.com/

Të ngjashme