Lajme
Mbi 11 mijë të rinj ia mësyjnë të bëhen policë, “hallakamë” në Vushtrri
Demokracia
14:00 | 21 Shkurt 2022
Arkiv

Share:

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, sot ka nisur testimi i kandidatëve për kadetë të rinj të Policisë së Kosovës.

Demokracia.com ka mësuar se testimit sot është dashur t’i nënshtrohen afër 500 kandidatë, por shumicën nga ta nuk i kanë lejuar të hyjnë as brenda, përkundër që në sistemin elektronik e kanë pasur numrin e letërnjoftimit.

Shumicën i kanë lënë jashtë. Nuk i kanë lejuar të hyjnë brenda. Nuk e di pse, edhe pse këta janë të thirrur në bazë të numrit të letërnjoftimit sipas sistemit elektronik që e kemi. Vend ka në sallë për këta kadetë të rinj që i janë nënshtruar testimit. Por nuk e di pse i kanë larguar nga salla. Testimi ka filluar në orën 09:00 deri në orën 11:30”, ka bërë të ditur ky burim për Demokracia.com.

Testimi do të mbahet nga sot deri më 28 shkurt dhe është i ndarë në 23 grupe të testimit.

Demokracia.com ka tentuar të kontaktojë me Policinë lidhur me këtë çështje, por ata nuk janë përgjigjur në telefonatat e redaksisë.

Për kadetë të rinj në Policinë e Kosovës kanë aplikuar gjithsej 11 291 të rinj.

Edhe Policia e Kosovës të premten ka njoftuar se për ditën e sotme nis testimi i aplikantëve.

“Policia e Kosovës, më 28 tetor 2021, ka shpallur konkursin publik për zyrtarë policorë, i cili ka qenë i hapur deri më 26 nëntor 2021. Pas përfundimit të procedurave të parapara dhe përgatitjeve teknike, më 21.02.2022, do të fillojë faza e parë e testimeve (testi me shkrim) i aplikantëve të cilët i kanë plotësuar kriteret e konkursit publik. Testimi me shkrim do të jetë i hapur dhe transparent. Testimi me shkrim do të mbahet në Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri dhe do të zgjasë deri më 28.02.2022”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Policia ka porositur aplikantët që në ditën e testimit të jenë të pajisur me maskë maskë mbrojtëse, të kenë me vete certifikatën e vaksinimit me të paktën dy doza të vaksinës ose një dozë e vaksinës Johnson kundër Covid-19. Nëse nuk i posedojnë vaksinat ata duhet të kenë me vete testin negativ RT-PCR jo më të vjetër se 48 orë.

Gjithashtu kandidatët është dashur të kenë me vete edhe numrin e aplikacionit dhe letërnjoftimin. /Demokracia.com/

Të ngjashme