Lajme
Mbahet takimi i pestë Kosovë-Serbi për targat, Lajçaku thotë se ka avancime
Demokracia
21:00 | 25 Shkurt 2022

Share:

Është mbajtur takimi i pestë i Grupeve Punuese të Kosovës dhe të Serbisë për targat, ka njoftuar emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Në një njoftim në Twitter, ai ka thënë se ka avancime.

“Sot në Bruksel është mbajtur takimi i pestë i Grupeve Punuese për targat me ekspertë nga Kosova dhe Serbia. Ekspertët kanë avancuar për të kuptuar më mirë opsionet ekzistuese që u janë prezantuar”, ka thënë ai duke shtuar se i inkurajon palët të vazhdojnë me angazhim konstruktiv”.

Takimet e grupeve punuese parashihen në pikën e tretë të marrëveshjes për targat, të cilën dy shtetet e arritën në Bruksel më 30 shtator. Dy pikat e para të realizuara ishin zhbllokimi i pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak dhe tërheqja e policisë nga atje, si dhe mbulimi me letra ngjitëse i simboleve shtetërore në targa.

Kjo marrëveshje u arrit pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targa ndaj Serbisë dhe dërgimin e Njësisë Speciale të Policisë për të mbikëqyrur zbatimin e vendimit. Në kundërshtim të tij, serbët për rreth dy javë bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Zgjidhja për mbulesë të targave është zgjidhje kalimtare dhe pika e tretë parasheh gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Të ngjashme