Lajme
Mbahet ceremonia e dërgimit të FSK-së dhe trupave amerikane në mision paqeruajtës
Demokracia
13:47 | 07 Shkurt 2021

Share:

Në qytetin Johnston të shtetit të Iowa në SHBA është mbajtura ceremonia e organizuar me rastin e dërgimit të përbashkët të trupave nga Forca e Sigurisë Kosovës dhe Garda Kombëtare e Iowa-s në mision paqeruajtës.

Në një adresim përmes videos, komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, tha se ky është një moment historik për vendin.

“Faleminderit popullit të Iowa-s si dhe udhëheqësve si në nivel shtetëror ashtu edhe në atë federal për besimin ndaj të arriturave të FSK-së dhe popullit të Kosovës”, ka thënë Rama.

Kim Reynolds guvernatore e Iowa-s, vlerësoi përkushtimin e këtyre forcave për lirinë, duke i falënderuar për sakrificën dhe shërbimin.

Më 6 janar, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka thënë se për dërgimin e misionit paqëruajtës në shqyrtim janë dy vende.

“Për vende, i kemi dy opsione, Kuvajtin dhe Irakun, por presim që shumë shpejt ta konfirmojmë këtë. Sado të jetë simbolike, pjesëmarrja jonë është shumë e rëndësishme për FSK-në dhe Kosovën”, ka deklaruar Rama.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga zyrtarë shtetërorë se opsioni i Irakut është më pak i mundshëm, pasi ky shtet ende nuk e ka njohur Kosovën.

Me 5 janar, Kuvendi i Kosovës pati votuar vendimin për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Një ditë pas miratimit në kuvend, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në mision paqeruajtës.

Kurse, më 31 dhjetor të vitit të kaluar[2020], Qeveria e Kosovës pati miratuar vendimin për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit.

FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit.

Shumë shtete, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Turqinë e kanë mbështetur FSK-në me pajisje ushtarake dhe trajnimin e kuadrit të saj profesional.

Kosova ka partneritet shtetëror me Iowa-n, Garda Kombëtare e së cilit ndihmon FSK-në në ngritjen e saj dhe konsolidimin në ushtri.

Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forca të armatosura. Sipas legjislacionit, është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës të zgjasë dhjetë vjet.

Aktualisht, FSK-ja ka 2,747 ushtarë aktivë, ndërkaq synimi është që kjo forcë të ketë 5 mijë ushtarë aktivë dhe një forcë rezervë prej 3 mijë vetash.

Të ngjashme