Lajme
Mashtrimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës | Një muaj para pranimit të Zajednicës për serbët, Kurti i kërkonte Serbisë ta provonte Asociacionin njëetnik në shtëpinë e vet
Demokracia
10:09 | 27 Nëntor 2023

Share:

“Nëse Serbia dëshiron që të ketë zgjedhje njëetnike [Asociacion], le ta provojë njëherë në shtëpinë e saj”.

Kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhënë më 1 shkurt 2023, ishte jo vetëm kundërshtim i Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por njëkohësisht ngjallte shpresë te shqiptarët në Luginën e Preshevës se ajo që do të përfitonin serbët në Kosovë, do ta arrinin edhe ata nën Serbi, shkruan Demokracia.com.

Sipas Kurtit, “Asociacion njëetnik në Kosovën me Kushtetutë shumetnike nuk është e mundshme”. Prandaj, ai argumentonte se “Pakicat kombëtare në Serbi janë gati 20 për qind, pakicat kombëtare në Kosovë janë rreth 7 për qind, pra Asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë e Presheva, Medvegja e Bujanovci ta kenë vetëm atë Këshillin Nacional atje, është e padrejtë, e dëmshme edhe e paparanueshme. Nëse Serbia dëshiron që të ketë zgjedhje njëetnike, le ta provojë njëherë në shtëpinë e saj”.

Por, kjo ishte vetëm një deklaratë që ngjalli kot shpresën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, që çdo ditë e më shumë po u pamundësohet të jetojnë në trojet e tyre, sepse si shumë deklarata të tjera të Albin Kurtit, edhe këtë e mori era dhe harresa. Shpresa të mëdha u kishte dhënë edhe gjatë kohës sa ishte opozitar, duke premtuar se me ardhjen e tij në pushtet, Lugina e Preshevës do të kishte trajtim të veçantë.

Retorikën mashtruese, Kurti e vulosi në fund të atij muaji, më 27 shkurt 2023, kur në Bruksel arriti marrëveshjen me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e cila rrodhi nga plani franko-gjerman dhe që sot njihet si Marrëveshja Bazë.

Në qendër të kësaj Marrëveshjes Bazë [Bruskel, 27 shkurt 2023] qëndron Zajednica apo Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, i cili edhe nga emërtimi është një Asociacion që themelohet për një komunitet të caktuar në Kosovë, në këtë rast serbët.

Kundërshtari i madh i Zajednicës, tani si kryeministër, është në ballë të këtij procesi, jo duke e kundërshtuar, por duke prirë në rrugën për themelimin e Zajednicës. Me Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023], Kurti tani si kryeministër është dakorduar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për “të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë” dhe për zyrtarimin e “statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë (Neni 7)” dhe për zbatimin “e të gjitha marrëveshjeve të kaluara të dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese (Neni 10)”.

Gjatë muajit tetor të këtij viti, dialogu Kosovë – Serbi ka marrë një rrugë të re. Kryeministri Kurti ka filluar procesin e themelimit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas Nenit 7. Më 21 tetor 2023, Kurti ka pranuar edhe draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin ia kanë dorëzuar 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, si dhe më 26 tetor 2023 ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë.

Në këtë marrëveshje, që përmban Zajednicën për komunitetin serb, nuk flitet askund për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të drejtat e tyre.

Kryeministri Kurti është kritikuar shumë për qasjen e tij përçarëse dhe mungesës së politikave unifikuese për politikanët dhe subjektet politike shqiptare në Luginë.

Në pjesën më të madhe të debatit që zhvillohet në mes të politikanëve shqiptarë të Luginës së Preshevës vendin e zë diskursi kundër njëri – tjetrit dhe jo zëri i shqiptarëve që kërkon nga Serbia më shumë të drejta për popullatën e kësaj ane. /Demokrcia.com/

Të ngjashme