Lajme
MASHTI mendon se është mbi Kushtetutën, i kërkon prova për shkeljen e Arbërie Nagavcit
Demokracia
11:19 | 14 Prill 2022

Share:

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, vazhdon ta kundërshtojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth riorganizimit të mësimit në Kamenicë.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese ofrimin e provave në katër elemente në të cilat ka konstatuar se është bërë shkelje kushtetuese me vendimin e MASHTI-t për organizim të mësimit alternativ të përshpejtuar në Komunën e Kamenicës.

Valdrin Dervishaj, këshilltar i ministres, Arbërie Nagavcit, ka thënë se në shkresat e lëndës të dorëzuar nga Gjykata nuk ka asnjë provë që dëshmon se MASHTI ka realizuar një nga këto veprime.

“Bazuar në Ligjin Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike të datës 04.07.2019, sot në mëngjes kam parashtruar kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese për qasje në: Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit shprehimisht ka caktuar vendin se ku do të organizohet mësim alternativ i përshpejtuar”, ka shkruar Dervishaj.

Mes tjerash, ai ka njoftuar se nga Aktgjykimi kanë kuptuat se ankuesi ka dorëzuar prova shtesë.

“Prandaj, kërkesa ka qëllim t’i sigurojë ato prova. Afati është 7 ditë për kthimin të një përgjigje në kërkesën e parashtruar”, ka përfunduar Dervishaj.

Kujtojmë që, në vendimin e Gjykatës thuhet se MASHTI-i ka tejkaluar kompetencat dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale.

“Ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në vendim.

Rasti ndërlidhej me riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës më 2019, që ishte iniciuar përmes vendimet të kryetarit të komunës me arsyetimin e rënies së numrit të nxënësve në disa shkolla dhe mungesës së infrastrukturës së mirëfilltë të institucioneve arsimore.

Por, me pakënaqësinë e disa prindërve të nxënësve të afektuar që refuzuan zbatimin e vendimeve të komunës, më 2021 MASHTI formoi një komision për vlerësimin e mosvijueshmërisë së mësimit nga ana e 441 nxënësve, ku kishte rekomanduar që për të adresuar situatën, MASHTI dhe Komuna duhet të ndërmarrin veprime të harmonizuara dhe të themelojnë grup punues për analizimin e situatës në shkolla.

Postimi i plotë i Dervishajt, pa ndërhyrje:

Bazuar në Ligjin Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike të datës 04.07.2019, sot në mëngjes kam parashtruar kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese për qasje në:

#Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka organizuar mësim alternativ të përshpejtuar;

#Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka angazhuar mësimdhënës shtesë për të organizuar mësim alternativ të përshpejtuar;

#Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka lëshuar certifikata për nxënësit pas përfundimit të procesit të mësimor;

#Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit shprehimisht ka caktuar vendin se ku do të organizohet mësim alternativ i përshpejtuar.

Këto janë katër elementët e Aktgjyjimit të Gjykatës Kushtetuese në të cilat konstatohet që MASHTI ka ndërhyrë në kompetencat e komunës së Kamenicës. Në shkresat e lëndës të dorëzuar nga Gjykata nuk kemi asnjë provë që dëshmon se ne kemi realizuar një nga këto veprime. Kemi kuptuar nga Aktgjyjimi se ankuesi ka dorëzuar prova shtesë. Prandaj, kërkesa ka qëllim t’i sigurojë ato prova.

Afati është 7 ditë për kthimin të një përgjigje në kërkesën e parashtruar. /Demokracia.com/

Të ngjashme