Lajme
“Masat e BE-së janë të përkohshme”, “Do të hiqen brenda disa ditëve” – Besnik Bislimi dhe deklaratat e tij plot pasaktësi
Demokracia
21:43 | 28 Shkurt 2024

Share:

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, me pasaktësi të vazhdueshme të deklaratave çdoherë e më shumë po shihet si politikan joserioz dhe jokredibil.

Çështja e masave ndëshkuese të BE-së për Kosovën është komentuar shpesh nga Bislimi, që gati kurrë nuk ia ka qëlluar me konkludimet e tij.

Ndër huqjet e tij të vazhdueshme, Demokracia.com sjell dy prej deklarimeve të Bislimit, ku ia ka huqur totalisht.

3 GUSHT 2023 – Bislimi: Masat e BE-së ndaj Kosovës janë të përkohshme

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi më 3 gusht të vitit të kaluar, dy muaj pas vendosjes së masave, kishte deklaruar se masat e BE-së janë të përkohshme.

Nga ky deklarim i Bislimit kanë kaluar afro 9 muaj dhe masat e BE-së janë ende në fuqi.

“Masat e BE-së kundër Republikës së Kosovës deklarohen të përkohshme, të kthyeshme dhe në varësi të një përkushtimi të besueshëm për deeskalim”, kishte thënë ai.

Masat e BE-së duket se nuk janë as afër që të hiqen, duke dëmtuar kështu ekonominë dhe imazhin e vendit.

9 SHTATOR 2023 – Bislimi: Pritet që BE-ja t’i heq masat ndaj Kosovës brenda disa ditësh

Më 9 shtator 2023, numri i 2 i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për mediumin serb Danas kishte paralajmëruar heqjen e masave brenda disa ditëve, para takimit të 14-shtatorit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.

“Në më pak se dy javë do të ketë një takim të ri të nivelit të lartë dhe pritet që BE-ja të sigurojë barazinë e palëve në dialog, duke hequr masat ndëshkuese para këtij takimi”, kishte thënë ai.

Por, as kjo nuk u bë. Kosova e sanksionuar mori pjesë në takimin Kurti-Vuçiq.

MASAT E BE-SË KARSHI KOSOVËS 

Masat e BE-së ndaj Kosovës janë vendosur më 28 qershor si pasojë e vlerësimit të BE-së se Kosova nuk ka ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri.

Masat përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat e tjera përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).

Këto masa kanë dëmtuar me qindra-miliona euro ekonominë e vendit.

Kurti e Bislimi e kanë pranuar edhe vetë në intervista e deklarime të ndryshme se masat po e dëmtojnë ekonominë e vendit.

Bislimi ka edhe shumë deklarata kontradiktore rreth Zajednicës, madje edhe duke premtuar dorëheqje nëse pranohet ajo, qoftë edhe pa kompetenca ekzekutive, por marrëveshja që përfshin Zajednicën është pranuar dhe Bislimi nuk e ka përmendur më kurrë dorëheqjen. /Demokracia.com/

Të ngjashme