Lajme
Dosja/Masakra e Izbicës: Vrasjet që u tentuan të fshihen
Demokracia
17:10 | 28 Mars 2021

Share:

Më 28 mars, në Izbicë të Drenicës, forcat serbe kanë vrarë mbi 100 civilë. Dëshmitë e krimit janë parë edhe në fotografitë satelitore të NATO-s. Forcat serbe kanë provuar të fshehin këto dëshmi. Megjithatë, masakrës i kanë mbijetuar disa burra të cilët kanë dëshmuar në Hagë dhe kanë kontribuar që të dënohen liderët e Serbisë e të “RFJ”-së.

Më 28 mars 1999, forcat serbe rrethuan popullatën civile që ishte strehuar në dhe rreth fshatit Izbicë, të ardhur nga fshatrat përreth prej nga kishin ikur nga veprimet e forcave serbe. Forcat serbe, pjesëtarët e të cilave mbanin edhe uniforma ngjyrë ulliri – të ushtrisë – edhe uniforma të kaltra – të policisë – i kishin urdhëruar që të ndaheshin në një anë gratë dhe fëmijët dhe në anën tjetër burrat. Gratë dhe fëmijët i kishin urdhëruar të niseshin drejt Shqipërisë ndërsa burrat i kishin nisur në drejtim tjetër. Eprori i forcave serbe u kishte thënë vartësve të tij “e dini se çfarë duhet të bëni”. Burrat i kishin ndarë në dy grupe. Pak pasi kishin nisur të ecin, forcat serbe kanë hapur zjarr në ta. Por, së paku tre burra u kanë shpëtuar plumbave. Këta më pas kanë dëshmuar në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, në proceset kundër Slobodan Milosheviqit dhe në procesin kundër liderëve të “RFJ”-së dhe Serbisë.

Për masakrën në Izbicë bota kishte mësuar qysh gjatë bombardimeve. Të vrarët ishin varrosur në një arrë në Izbicë nga familjarët e tyre dhe fshatarët tjerë që kanë qenë në atë zonë. Varret e reja ishin parë edhe në fotografitë satelitore të NATO-s. Kjo si duket i ka alarmuar autoritetet e Serbisë e të “RFJ”-së që kanë dërguar aty forca ushtarake e civile të cilët zhvarrosën kufomat. Disa nga kufomat më vonë janë gjetur në varrezën masive në Petrovo-Sello në Serbi.

Kufomat janë filmuar edhe nga një banor i zonës, Liri Loshi, dhe xhirimet e tij kanë arritur në TPNJ dhe janë pranuar si dëshmi zyrtare.

Faktet e prezantuara në këtë gjykatë, e që sollën gjykimin e udhëheqësve të Serbisë e të “RFJ”-së janë në Aktgjykimin e Tribunalit Ndërkombëtar për Ndjekjen Penale të Personave Përgjegjës për Shkelje të Rënda të së Drejtës Humanitare Ndërkombëtare të Kryera në Territorin e ish-Jugosllavisë prej Vitit 1991 (TPNJ) në rastin kundër Millan Millutinoviqit, Nikolla Shainoviqit, Dragolub Ojdaniqit, Nebojsha Pavkoviqit, Vladimir Llazareviqit dhe Sreten Llukiqit, i datës 26 shkurt 2009, raporton Demokracia.com.

Pesë prej këtyre zyrtarëve të lartë politikë, ushtarakë e të policisë, të “RFJ”-së e të Serbisë, janë dënuar nga Tribunali i Hagës për krime kundër njerëzimit të kryera në Kosovë në vitin 1999. Masakra e kryernë Izbicë ishte një ndër pikat e aktakuzës.

Milan Millutinoviq, President i Serbisë, qe liruar nga aktakuza. Gjykata kishte konkluduar se Milutinović nuk kishte kontroll mbi institucionet e “RFJ”-së. “Në fakt, ishte (Slobodan) Milosheviqi, shpesh i quajtur ‘Komandant Suprem’, ai që mbante autoritetin komandues të vërtetë mbi ‘AJ’-në gjatë fushatës së NATO”, kishte konkluduar Gjykata, raporton Demokracia.com

Aktvendimi i TPNJ përmban dëshmi të të mbijetuarve të masakrës si dhe dëshmitë fizike të grumbulluara. Aty përshkruhen edhe hetimet e bëra nga autoritetet e “RFJ”-së që zbulon se këto hetime nuk kanë pasur për qëllim që vërtetë të zbardhin të vërtetën e saj që ka ndodhur në Izbicë.

Më poshtë sjellim pjesët për Izbicën nga Aktgjykimi i datës 26 shkurt 2009:

Vrasjet në Izbicë

Siç është përmendur në paragrafin 559, Dhoma ka dëgjuar dëshmi në lidhje me incidentin në Izbicë të përshkruar në paragrafin 75(f) të Aktakuzës nga tre mbijetues, konkretisht nga Milazim Thaqi, Mustafa Draga, dhe Sadik Januzi. Sa i përket ngjarjeve pas vrasjeve, Dhoma dëgjoi dëshminë e Liri Loshit dhe gjithashtu mori material voluminoz mjeko-ligjor. Dhoma gjithashtu ka pranuar si prova disa dokumente të UJ-së në lidhje me atë zonë. Siç është përshkruar në Pjesën VII.P dhe Shtojcën A, kufomat e disa prej personave të vrarë në Izbicë më 28 mars 1999 u gjetën në një varr të përbashkët në Petrovo Sellë, në Serbinë lindore.

Dëshmitë e dëshmitarëve okularë

Në fillim të vitit 1999, Milazim Thaqi që në atë kohë ishte 53 vjeç, banonte në Burojë me gruan dhe fëmijët. Sipas tij, më 25 mars 1999, policia vendosi postblloqe afër Jashanicës, afërsisht tri kilometra nga Buroja. Të nesërmen në mëngjes, Thaqi dhe familja e tij shkuan me fshatarët e tjerë në Izbicë nga frika se “çfarë do të bënin serbët” në mungesë të verifikuesve të KVM-së. Thaqi mohoi se ishin shkuar në Izbicë sepse ashtu u kishte thënë UÇK-ja. Dhoma nuk e gjykon të besueshëm këtë mohim duke marrë parasysh dëshminë e Bislim Zyrapit i cili konfirmoi praninë asokohshme të UÇK-ja në Izbicë dhe praktikën e saj për largimin e civilëve së bashku me luftëtarët e saj.

(Milazim Thaçi duke dëshmuar në TPNJ në Hagë)

Mustafa Dragaj i cili në vitin 1999 ishte 69 vjeç ishte nga fshati Leqinë i cili shtrihet në veriperëndim të qytetit të Skënderajt. Ai dëshmoi se më 25 mars 1999 fshati i tij dhe fshatrat përreth u granatuan, por ai nuk pa se kush e kreu granatimin. Sidoqoftë, provat e tjera në këtë çështje tregojnë se ishte UJ-ja. Të nesërmen granatimi filloi para agimit dhe fshatarët vendosën të shkonin në Izbicë sepse, sipas Dragës, ata besonin se do të ishin më të sigurt atje. Gjatë pyetjeve nga Mbrojtja, Draga mohoi se gjatë asaj periudhe kishte shumë luftëtarë të UÇK-së në male dhe pyje, por pranoi se ishin disa. Ai gjithashtu mohoi se UÇK-ja kishte qenë e pranishme në Izbicë. Mirëpo duke marrë parasysh dëshminë e lartpërmendur të Zyrapit, Dhoma nuk është bindur nga mohimi i pranisë së UÇK-së në fshat prej Dragës.

Më 26 mars të dy burrat panë një numër të madh të shpërngulurish që ishin mbledhur në një arë në skaj të Izbicës. Njerëzit në atë arë kishin ardhur nga fshatra të ndryshme të komunës dhe shumica ishin fëmijë, gra, dhe pleq. Djemtë e ri, duke përfshirë djemtë e Dragës, kishin shkuar në male sepse kishin menduar se do t’i vrisnin nëse rrinin aty. Granatimi dhe të shtënat u dëgjuan edhe gjatë dy netëve të tjera. Thaqi mohoi se ishte për shkak të luftimeve midis UÇK-së dhe forcave të RFJ-së/Serbisë. Ai gjithashtu dëshmoi se dëgjoi “zërat e serbëve në pyll” kur filluan të rrethonin fshatin. Ata erdhën në këmbë nga drejtimi i Jashanicës dhe Belicës. Më 27 mars, Draga pa duke u djegur fshatrat përreth Izbicës, konkretisht Buroja, Vojnika, Klina e Poshtme, Jashanica, dhe Ozrimi.

Në mëngjesin e 28 marsit 1999, Thaqi pa tre “paraushtarakë” me uniforma të zeza kur i vunë zjarrin një mullari sane rreth 150 metra nga ara në të cilën ishin mbledhur ai dhe fshatarët e tjerë. Më pas paraushtarakë shkuan te ta dhe u kërkuan para. Pas pak, erdhën në këmbë rreth 80 të tjerë, të cilët Thaqi i përshkroi në gjyq si policë, ushtarë të UJ-së, dhe paraushtarakë që vepronin së bashku, dhe i rrethuan njerëzit në arë. Të gjithë kishin automatikë dhe shumë prej tyre kishin bomba dore dhe thika të varura në uniformë. Thaqi dëgjoi njerëz të tjerë në pyll përreth arës. Në deklaratën e tij me shkrim në procesin Millosheviq, Thaqi përmendi të tre burrat si dhe forcat e tjera si policë. Ai gjithashtu tha se shumë prej tyre kishin uniforma kamuflimi të kaltra dhe sërish i quajti këto forca polici. Në procesin Millosheviq, Thaqi nuk u pyet se çfarë forca kishin qenë. Meqenëse gjatë dëshmisë së tij në gjyq ishte hera e parë që ai përmendi ushtarët e UJ-së në këtë kontekst, Thaqi u pyet nga Mbrojtja në lidhje me këtë aspekt të dëshmisë së tij, por ai këmbënguli se kishte qenë i saktë gjatë tërë kohës.

Draga përshkroi të njëjtin moment dhe tha se pa rreth 200-300 “forca serbe” duke përparuar në këmbë në drejtim të arës i rrethuan njerëzit e më pas u kërkuan para. Një “polic” i kërkoi para Dragës, i cili tha se nuk kishte dhe u godit me armë. Në deklaratë Draga shprehet se disa nga këto forca kishin uniforma kamuflimi të gjelbra, kurse të tjerët uniforma kamuflimi të kaltra, por të gjithë kishin fjalën “Milicija” në mëngë të uniformave afër supeve, dhe se të gjithë ishin pjesëtarë të policisë. Gjithsesi gjatë dëshmisë së tij në gjyq, Draga tha se ishin forca policore dhe ushtarake, por ai dhe njerëzit përreth tij nuk guxuan t’i shikonin. Kur u pyet më tej nga Prokuroria, ai tha se burrat më afër tij, ata që mund të shihte, kishin uniforma kamuflimi të gjelbra. Gjatë pyetjeve nga Mbrojtja, ai tha se nuk e dinte se çfarë ishte shkruar në deklaratë dhe se vetëm kishte thënë se forcat në fjalë ishin forca policore.

Pasi u morën paratë njerëzve në arë, ata i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe i detyruan të uleshin në rrugë në katër radhë. Grave u thanë se të gjitha do të shkonin në Shqipëri. Thaqi u shkelmua dhe pa një djalë të ri që e goditën me kondak pushke. Nga gjithsej mbi 150 burra që ishin ulur në rrugë, Thaqi ishte ndër më të rinjtë, meqenëse të tjerët ishin mbi moshën 50 vjeç. Njëri që dukej se ishte komandant, ecte poshtë e lart duke u dhënë urdhra të tjerëve. Herë pas here ai tallej me ta duke i pyetur “Ku është NATO-ja tani? Ku është Klintoni?” Ai gjithashtu i urdhëroi burrat t’i hiqnin plisat, t’i hidhnin në tokë e pastaj t’i vinin plisat me baltë përsëri në kokë. Gjithashtu ata u detyruan të bënin përshëndetjen serbe me tre gishta lart. Një nga policët i vuri thikën në fyt duke i thënë se ishte thikë e mirë për të prerë fytin. Sipas deklaratës së Thaqit, ky njeri ishte “polic” i moshës rreth 27 vjeç dhe kishte uniformë kamuflimi ngjyrë të gjelbër ose ulliri. Ai kishte emblema në të dy krahët afër supeve dhe kishte pasur armë. Ai gjithashtu kishte dy radio në gjoks dhe fliste vazhdimisht me to. Kur bëri përshkrimin e këtij njeriu në gjyq, Thaqi tha se emblemat në krahë ishin të “ushtarëve jugosllavë.” Kur u pyet se pse nuk e kishte thënë këtë në deklaratat e tij të mëhershme, dhe pse e kishte quajtur këtë individ “polic,” Thaqi tha se ky person kishte uniformë me ngjyra jugosllave dhe nuk ishte polic. Më tej ai tha se nuk njihte këtë njeri, por se ai fliste serbisht dhe duhej të ketë qenë ushtar. Nga ana tjetër përshkrimi i të njëjtit njeri në deklaratën e Dragës jep se ai ishte pak më i vjetër se të tjerët dhe se kishte pasur uniformë kamuflimi të kaltër dhe helmetë të kaltër. Në dëshminë e tij me gojë, Draga tha se personat që i ndanë kishin uniforma kamuflimi të gjelbra dhe se njëri prej tyre kishte uniformë të zezë. Gjithashtu, ai përsëriti se kishte frikë t’i shikonte dhe se nuk u kushtoi vëmendje uniformave të tyre. Mbrojtja i bëri Dragës pyetje të tjera në lidhje me personin dhe ai tha se nuk e pa atë apo uniformën e tij me vëmendje. Përgjithësisht ai tha të njëjtën gjë për forcat në Izbicë, por megjithatë këmbënguli se forcat përbëheshin nga policia dhe ushtria.

Më pas personi që komandonte i numëroi burrat shqiptarë kosovarë, i ndau në dy grupe dhe i nisi në dy drejtime duke u thënë njerëzve të tij se i dinin “detyrat” e veta. Thaqi ishte në grupin më të vogël me rreth 33 vetë, kurse Draga dhe Januzi në grupin më të madh me rreth 70 vetë. Draga mbante mend emrat e 14 burrave të tjerë në grupin e tij, konkretisht Rrustem Draga, Hajriz Draga, Ali Draga, Cen Draga, Murat Draga, Ismet Draga, Idriz Shala, Zymer Shala, Sali Shala, Halim Shala, Kujtim Shala, Smajl Çela, Metush Çela, dhe Rexhë Çela. Me përjashtim të Kujtim Shalës, të gjithë të tjerët janë në Listën F të Aktakuzës.

Grupit të Thaqit i thanë se ata do të shkonin në Pejë. Pastaj ata u morën në rresht për dy nga një prej “policëve” me uniformë kamuflimi të gjelbër me doreza të zeza. Ai kishte automatik dhe thika dhe një sëpatë të lidhur në uniformë. Pas rreth 200 metrash, ata erdhën pranë një kanali uji dhe “polici” i urdhëroi si grup që të ndalonin dhe të gjunjëzoheshin, gjë që ata e bënë në dy radhë. Thaqi ishte në radhën e parë, me një radhë tjetër burrash pas tij. Të gjithë ishin me fytyrë drejt pyllit, i cili ishte vetëm disa metra larg tyre. Më pas “polici” hapi zjarr drejt burrave, duke shkrepur tri breshëri nga automatiku i tij.

Dy burra pas Thaqit u rrëzuan dhe u përplasën me të duke e rrëzuar përtokë dhe ranë mbi të duke e mbuluar plotësisht. Njëri prej tyre ishte kushëriri i tij, Ukë Uka, 74-vjeçar nga Buroja, kurse tjetri ishte Isuf Shala, 63-vjeçar gjithashtu nga Buroja. Të dy janë në listën e viktimave në Aktakuzë. Thaqi dëshmoi se më vonë pa vrima nga plumbat në rroba, por ai vetë nuk u godit apo plagos. Pas pak minutash, ai dëgjoi rënkime që vinin nga një njeri të cilin ai e njohu se ishte Demush Asllani nga Izbica, i cili vdiq pas pak çastesh. Në atë moment, Shaqir Halili nga Vojnika i tha Thaqit të mos lëvizte dhe ai qëndroi ashtu edhe për një gjysmë ore. Gjatë kësaj kohe, Thaqi dëgjoi krisma automatiku që vinin nga drejtimi nga ishte dërguar grupi tjetër i burrave. Rreth orës 11:30, ai, Halili, dhe një mbijetues tjetër ikën në pyll, prej ku panë rreth 100 policë që ishin afërsisht 100 metra më larg.

Grupi i dytë i burrave, përfshirë edhe Dragën e Januzin, ecën rreth 500 metra përpjetë kodrës prej ku Draga pa tanket në pyllin e afërt. Policët ishin afërsisht një për çdo pesë burra të kapur. Një nga policët u bërtiti burrave të ndaleshin dhe të ktheheshin nga ai. Kur kthye nga ai, Draga pa rreth 30 policë që ishin afër tri metra më larg, të cilët hapën zjarr. Draga ishte diku në mes të grupit; Hajriz Draga ishte në të djathtë të tij. Me të filluar të shtënat, ai u rrëzua përtokë dhe Hajriz Draga u rrëzua mbi të. Krismat e automatikut vazhduan për rreth dy minuta. Pasi ndaluan shtënat, Draga i cili nuk ishte plagosur, qëndroi pa lëvizur rreth 20-30 minuta dhe gjatë asaj kohe dëgjoi krisma automatiku nga njëfarë largësie dhe pa “policë” duke u vënë zjarrin shtëpive në Izbicë. Ai dëgjoi Hajriz Dragën që kërkonte ujë, i cili ishte plagosur dhe vdiq pak më vonë. Januzi përshkroi të njëjtën ngjarje në deklaratën e dëshmitarit dhe shpjegoi se kishte shpëtuar sepse ishte rrëzuar në tokë para se të qëllohej dhe sepse mbi të ranë tri kufoma.

Kur menduan se nuk kishte më rrezik, Draga dhe Januzi shkuan duke u zvarritur deri në pyll dhe u takuan me mbijetuesit e tjerë. Januzi tregoi konkretisht se e kishte parë Dragën dhe, dy ditë më vonë, edhe Thaqin. “Policia” u largua nga Izbica më 30 mars. Mëngjesin e nesërm erdhën njerëz për të varrosur të vdekurit. Përveç burrave të ekzekutuar në këtë mënyrë, në arë afër traktorëve u gjetën edhe kufomat e dy pleqve dhe dy plakave. Sipas Dragës, ata u vranë sepse nuk ishin në gjendje të ecnin. Njëra nga këto viktima ishte një grua 70-vjeçare me emrin Zojë Osmanaj, e cila u gjet e djegur në një rimorkio. Draga gjithashtu identifikoi Shaban Musliun dhe Zeqir Salihin, dhe dëshmoi se kufoma e katërt ishte një grua nga Vojnika. Ai gjithashtu përmendi se kishte parë edhe dy viktima të tjera femra, konkretisht Zade Dragaj dhe Aishe Dragaj, të cilat sipas tij u vranë “gjatë rrugës.” Dëshmitë e të tre mbijetuesve tregojnë se gjithsej 14 vetë mbetën gjallë në këtë incident.

Nga vendi ku ishte fshehur në pyll, Thaqi pa zjarret në një fshat rreth dy deri tri kilometra larg dhe supozoi se i kishin vënë policët të cilët ata i kishin parë në pyll. Në orën 19:00 atë mbrëmje, ai dhe Halili u nisën për në shtëpinë e Halilit në Vojnikë. Kur kaluan pranë shkollës së Izbicës, ata panë policë në të dhe përreth saj. Kur mbërritën në Vojnikë, e gjetën shtëpinë e Halilit duke u djegur. Fshati ishte tërësisht i braktisur me përjashtim të dy plakave.

Më 31 mars, Thaqi mësoi se “serbët” ishin larguar nga Izbica dhe se kishte filluar varrimi i viktimave organizuar nga UÇK-ja. Për këtë arsye ai shkoi në Izbicë që të ndihmonte. Atje ai pa rreth 150-200 njerëz duke hapur varre dhe duke bartur kufomat. Varrimi u filmua nga një shok i Liri Loshit. Sipas Thaqit dhe Dragës, në atë vend u varrosën gjithsej 144-147 vetë, kurse kufomat e tjera u morën nga familjet e tyre dhe u dërguan tjetërkund. Sadik Xhemajli përpiloi një listë të hollësishme të të vrarëve. Çdo varr u shënua me nga një shkop druri me numër. Kur u pyet se a pa të rinj midis të vrarëve, Draga tha se ishin disa të rinj, por asnjë prej tyre nuk ishte pjesëtar i UÇK-së. Pas varrimit, ata që mbetën shkuan në male. Sipas Dragës, më 10 maj 1999, “serbët” vranë edhe burra të tjerë në Izbicë. Ata u varrosën në të njëjtin vend si edhe viktimat e mëhershme. Edhe kufomat e tjera të sjella nga vende të tjera u varrosën në atë vend gjatë një periudhe disamujore.

Draga dhe qindra të tjerë qëndruan për disa javë në pyjet afër Izbicës. Nganjëherë mbetën pa ushqime me ditë të tëra. Edhe pse nuk e pa me sytë e vetë, Draga dëshmoi se e dinte se më 28 maj 1999 “policia dhe ushtria serbe” filluan zhvarrosjen e kufomave nga varreza dhe se zgjati katër ose pesë ditë. Pas zhvarrosjes, Draga shkoi atje dhe pa se asnjë nga kufomat nuk kishte mbetur, edhe pse ai gjeti gjurmë si rroba dhe një dorë të këputur. Ai dhe të tjerët u larguan nga pylli në qershor 1999 me ardhjen e forcave të NATO-s në Kosovë. Kur u kthye në fshat pa se shtëpia i ishte djegur. Familja e tij u bashkua pak më vonë me të dhe i treguan se u ishin dashur 12 ditë të shkonin këmbë deri në Shqipëri.

Thaqi dhe familja e tij e gjetën njëri-tjetrin në Tushilë, më 7 prill 1999. Ata i treguan se kishin ecur gjashtë ditë në drejtim të Shqipërisë para se të ktheheshin mbrapa nga “serbët” dhe ishin detyruar të ecnin edhe gjashtë ditë të tjera deri në Klladërnicë. Ata u kthyen në Burojë nga mesi i qershorit ku e gjetën shtëpinë e djegur dhe pronën e shkatërruar. Pas pak kohësh, Thaqin e vizituan gazetarët e BBC-së. Ai i çoi në Izbicë për t’u treguar vendin e varrimit, por kur mbërritëm atje panë se kufomat ishin zhvarrosur dhe larguar. Sidoqoftë, kishin mbetur pjesë kufomash dhe eshtra. Pas disa javësh, një burrë i tregoi Thaqit se kishte qenë në male mbi vendin e varrimit rreth 28 majit 1999 dhe se e kishte parë “ushtrinë dhe policinë serbe” kur kishin larguar kufomat.

Dëshmitë e mbijetuesve të vrasjeve në Izbicë janë konfirmuar nga Liri Loshi, i cili nuk ishte i pranishëm në këto vrasje, por ai dhe shoku i tij filmuan kufomat dhe varrimin e tyre. Sipas Loshit, më 25 mars 1999, njerëzit nga komuna e Skënderajt filluan të mblidheshin në luginën e Izbicës dhe se më 26 mars aty ishin mbledhur rreth 25.000 njerëz. Gjithsesi ai shpjegoi edhe se në ditën kur i ndanë burrat nga gratë, atje ishin rreth 3.500-4.000 njerëz meqenëse shumë prej tyre kishin vendosur të shkonin në fshatin e afërt të Tushilës. Loshi ishte në Tushilë rreth asaj kohe dhe atje gjeti rreth 30.000 njerëz të shpërngulur, “99%” e të cilëve ishin civilë, por kishte edhe disa ushtarë të UÇK-së.”

Loshi dëshmoi se kishte dëgjuar për vrasjet në Izbicë në ditën që ndodhën nga gratë dhe fëmijët që erdhën në Tushilë dhe treguan se çka kishte ndodhur. Më 29 mars, dikur nga mbrëmja kur “forcat serbe” iu afruan Tushilës, ai vendosi të shkonte në fshatin e afërt Kopiliq i Epërm. I fshehur në malet mbi fshat, ai pa “kamionë dhe tanke me ngjyrë të gjelbër të ushtrisë serbe” në “kodrën e Vojnikës.” Në mbrëmjen e 30 marsit Tushila u granatua. Atë mbrëmje Loshi shkoi në Izbicë me Shaban Dragën, i cili ishte komandant i Brigadës së 112-të të UÇK-së. Kur mbërritën, ata u pritën nga Naim Rexhepi, “kryeplak i fshatit Izbicë,” i cili i çoi në vendin e vrasjeve. Meqenëse ishte vonë në mbrëmje, ata vendosën të ktheheshin në mëngjes dhe të filmonin varrimin me videokamerën e Sefedin Thaqit.

Të nesërmen në mëngjes, Loshi u kthye në luginën e Izbicës dhe pa kufoma të shpërndara përreth në dy vende të ndryshme. Ndërsa Loshi u kujdes për njerëzit në atë zonë, Sefedin Thaqi filmoi kufomat atje ku ishin vrarë dhe kur u prunë pranë varreve. Ai shkoi nga njëra kufoma te tjetra, i shoqëruar nga të afërmit e viktimave dhe të tjerë që ishin në gjendje t’i identifikonin. Kur ishte e mundshme ai thoshte emrin, moshën, dhe vendbanimin e viktimave. Gjithashtu u intervistua Milazim Thaqi i cili shpjegoi çfarë i kishte ndodhur. Në tërësi, filmimi u bë gjatë dy ditëve. Ky filmim që mbështet dëshminë e Loshit, u transmetua pjesërisht në sallën e gjyqit dhe u pranua si provë. Gjithashtu, Afrim Xhemajli bëri një listë të viktimave dhe ia dha Loshit. Nga 127 emrat në atë listë, 111 janë të viktimave të përfshirë në Listën F.

Sipas Loshit, burrat e vdekur ishin shumica të moshuar, mesatarisht të moshës 60-70 vjeç. Plagët e tyre ishin shkaktuar në shumicën e rasteve nga plumbat, dhe si rezultat fytyrat e tyre ishin të dëmtuara. Loshi konstatoi se në vendin e parë ndodheshin 60-70 kufoma dhe se ai njohu shumë prej tyre, edhe pse nuk i dinte emrat e të gjithëve. Ai dha emrat e Ilaz Bajrës, Metush Qelajt, dhe përmendi kushërinjtë e Ilaz Bajrës. Në grupin e dytë të kufomave Loshi njohu tre kushërinj të tij: 82-vjeçarin Selman Loshi; djalin e Selmanit, 50-vjeçarin Jashar Loshi; dhe djalin e Jasharit, 25- vjeçarin Sami Loshi. Gjithashtu Loshi pa kufomën e një femre e cila duke se ishte djegur në një traktor.

Loshi dëshmoi se përgjegjës për varrimin ishin Naim Rexhepi, Afrim Xhemajli, dhe Sadik Xhemajli. Ai gjithashtu konfirmoi praninë e pjesëtarëve të UÇK-së, por këmbënguli se asnjë nga burrat e vrarë më 28 mars nuk ishte në UÇK. Kufomat u varrosën në 127 varre të hapura shumë afër luginës në të cilën popullata e shpërngulur ishte mbledhur para arritjes së forcave të RFJ-së/Serbisë. Ndërmjet 127 kufomave të varrosura ishin edhe disa kufoma të tjera të gjetura në vende të tjera brenda Izbicës, përfshirë dy ushtarë të UÇK-së (Ajet Beqiri dhe Zaim Bajrami) të vrarë më 27 mars 1999. Loshi vlerësoi se numri i përgjithshëm i viktimave nga dy vendet e ekzekutimit ishte afërsisht 110-120.

Loshi qëndroi në Izbicë edhe një muaj pas varrimit. Ai u largua nga fshati më 3 maj 1999 dhe shkoi në Shqipëri përmes Malit të Zi. Me të mbërritur atje, u dha kopje të kasetës filmike Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe përfaqësuesit të CNN-it në Tiranë. Më 19 maj 1999, ai i dha kasetën filmike origjinale një hetuesi të Tribunalit që e takoi në Tiranë. Kur u kthye në Izbicë në qershor 1999, nuk gjeti as varret, as kufomat. I treguan se forcat e RFJ-së/Serbisë i kishin larguar kufomat pare hyrjes së forcave të NATO-së në Kosovë.

(Kompleksi memorial në Izbicë)

Veprimet e UJ-së/MPB-së në atë zonë në kohën kur ndodhën vrasjet

Disa urdhra të UJ-së dhe raporte luftarake të pranuara si prova konfirmojnë se në kohën kur ndodhën vrasjet në Izbicë, UJ-ja dhe MPB-ja po kryenin një operacion të përbashkët në komunën e Skënderajt. Më 22 mars 1999, Komanda e Përbashkët lëshoi një “vendim” për shkatërrimin e “FTSH-së” në sektorin e Drenicës së Poshtme. “Vendimi” parashikonte një sulm në pjesën lindore të Skënderajt në vijën e fshatrave Polac-Tërstenik-Prelloc-Likoshan. Forcat e UJ-së të cilat morën pjesë në këtë sulm në komunën e Skënderajt ishin Brigada e 37-të e Motorizuar dhe Brigada e 125- të e Motorizuar. Në operacion morën pjesë edhe shtatë kompani të PJP-së, dy nga të cilat duhej të koordinoheshin me Brigadën e 37-të të Motorizuar.

Më 24 mars 1999 Komanda e Përbashkët lëshoi një urdhër tjetër për njësitë e UJ-së që ta ndihmonin MPB-në në thyerjen dhe shkatërrimin e “FTSH-së” në sektorin e Drenicës (“Operacioni Drenica”). Sipas urdhrit, objektivi ishte që “FTSH-ja” të izolohej në sektorin e përgjithshëm të disa fshatrave, përfshirë Klladërnicën, Turiçecin, Vojnikën, dhe Burojën. Dikoviqi veproi sipas këtij urdhri, duke e lëvizur postëkomandën e tij në zonën e Runikut, fshat në pjesën veriperëndimore të komunës së Skënderajt. Ai gjithashtu angazhoi grupin e tij luftarak përgjatë vijës së fshatrave Runik, Vitak, Klladërnicë, Vojnikë, dhe Burojë, siç është shënuar në urdhër dhe në raportet ditore të operacioneve të brigadës. Grupi luftarak ishte në atë zonë për disa ditë dhe ndaloi në një pikë mbi Vojnikë. Dikoviqi dëshmoi se grupi luftarak e sulmoi UÇK-në në zonën e paracaktuar në mbështetje të MPB-së dhe ka të ngjarë të ketë përdorur tanket për të shkatërruar pikat e zjarrit të UÇK-së të vendosura përgjatë vijës së sulmit.

Sipas të njëjtit urdhër, njësitë e tjera të UJ-së që kishin prani të konsiderueshme në atë zonë gjatë “Operacionit Drenica” ishin Brigada e 125-të e Motorizuar dhe Brigada e 15-të e Blinduar. E para kishte për detyrë t’i mbështeste forcat e MPB-së në vijën e fshatrave Klinë e Epërme-Llaushë-Turiçec-Krushec-Rezallë, Kopiliq i Poshtëm në jug të Izbicës. Zhivanoviqi dëshmoi se dy nga grupet e tij luftarake mbërritën në fshatin Rezallë, por ndaluan aty dhe pastaj u kthyen në pikën fillestare në zonën e Klinës së Epërme. Sipas Zhivanoviqit, gjatë këtij operacioni forcat e UÇK-së ishin të pranishme, midis të tjerash në fshatrat Izbicë, Vojnikë, Burojë, Llaushë, dhe Tushilë. Në atë kohë, forcat e përgjithshme të UÇK-së ishin më të shumta në numër se 700 trupat e UJ-së dhe të MPB-së në atë zonë.

Sipas raportit ditor operativ të 27 marsit 1999 të Brigadës së 37-të të Motorizuar, gjatë këtij operacioni u hap zjarr kundër Grupit Luftarak 37 përgjithësisht prej zonës veriperëndimore të Drenicës, që ishte zonë nën kontrollin e UÇK-së duke përfshirë edhe Izbicën. Raporti operativ ditor i 28 marsit bënte të ditur se në 24 orët e shkuara UÇK-ja kishte hapur zjarr mbi grupin luftarak në gjithë zonën e lëvizjes dhe se zjarri më i fuqishëm kishte ardhur nga Vojnika. Dikoviqi shpjegoi se qëllimi i përgjithshëm ishte neutralizimi i UÇK-së e jo sulmimi apo pushtimi i fshatrave. Sidoqoftë, ai shpjegoi se, nëse UÇK-ja sulmonte nga fshatrat, atëherë njësitë e tij hapnin zjarr kundër tyre për t’i neutralizuar. Pozicionet e zjarrit të artilerisë gjithmonë ishin jashtë zonave të banuara, meqenëse kjo ishte mënyra e vetme që ato të funksionin. Dikoviqi mohoi se kishte hyrë në Izbicë apo Vojnikë me njësitë e veta dhe gjithashtu mohoi se njësitë e tij kishin hapur zjarr mbi Izbicën. Ata ishin ndalur së paku një kilometër nga Izbica në një vend prej të cilit nuk ishin në gjendje të shihnin fshatin.

Raporti i 28 marsit gjithashtu shënon se “gjatë operacioneve të ardhshme në sektorin e fshatit Vojnikë presim të shohim strehimore me mijëra refugjatë civilë.” Si rrjedhojë Dikoviqi kërkoi udhëzime se “çfarë të bëjë me ta sepse njësia nuk kishte as njerëz e as mjete që t’i izolojë strehimoret dhe t’i nxjerrë refugjatët jashtë zonës [së veprimeve luftarake].” Ai shpjegoi se vetëm shprehu një mundësi të cilën e konsideronte reale duke marrë parasysh madhësinë e forcave të UÇK-së në atë zonë dhe strategjinë e tyre për të përdorur civilët si mburojë. Pas kësaj kërkese nga Korpusi i Prishtinës erdhi një oficer dhe i tha Dikoviqit se në rast se do të hasnin në civilë njësia e tij duhej të ndalte të gjitha veprimet dhe të gjente rrugë të sigurtë për t’i dërguar në ndonjë zonë jashtë rrezikut. Përgjegjëse për këtë dhe për ndihmë civilëve do të ishte MPB-ja. Kur u pyet se a kishte ndodhur kjo ndonjëherë, ai tha fillimisht se grupi i tij luftarak nuk hasi asnjëherë civilë në atë zonë. Sidoqoftë më vonë ai pohoi se në Izbicë “ndalëm të shtënat dhe nxorëm civilët jashtë” dhe pastaj shtoi se në atë kohë një njësi e MPB-së kishte qenë përpara tij. Ai e konfirmoi sërish kontaktin me civilë duke thënë se i ndaloi veprimet sepse forcat kishin hasur në civilë në zonën e Izbicës dhe se, për këtë arsye, ai u kthye mbrapa në drejtim të Skënderajt në vend që të vazhdonte përpara për në Burojë, siç ishte parashikuar.

Sllagjan Pantiqi, polic nga fshati Runik në pjesën veriperëndimore të komunës, konfirmoi dëshminë e Dikoviqit së paku sa i përket faktit se disa nga forcat e UJ-së nuk hynë në Vojnikë e as nuk shkuan në Burojë. Pantiqi u ngarkua nga shefi i tij si udhërrëfyes për forcat e PJP-së dhe UJ-së gjatë këtij operacioni. Më 25 mars 1999 ai dhe një kompani e PJP-së, së bashku me një tank të UJ-së dhe ekuipazhin e tankut i përbërë nga ushtarë të UJ-së u nisën nga Runiku në drejtim të jugut. Kompania e PJP-së kishte afërsisht 100 pjesëtarë që kishin uniforma të gjelbra me mbishkrimin “policia” që shihej qartë. Sidoqoftë, Pantiqi nuk qe në gjendje të thoshte se cila njësi e PJP-së ishte dhe nuk dinte se cilës brigadë i përkiste ekuipazhi i tankut të UJ-së. Pasi u informua nga komandanti i togës së PJP-së mbi vendmbërritjen, Pantiqi zgjodhi rrugën më të mirë. Ai nuk e mbante mend emrin e oficerit në fjalë dhe nuk e dinte se si komunikonte ai me pjesëtarët e UJ-së që merrnin pjesë në aksion. Kur u pyet nga Dhoma se kush e kishte komandën e përgjithshme, fillimisht Pantiqi tha se nuk i kujtohej. Kur u pyet më shumë, ai tha se ishin tre komandantë togash brenda kompanisë së PJP-së, por ai nuk e dinte se cili prej tyre kishte komandën mbi të gjithë, përveç se komandanti i togës i cili komunikonte me të përgjithësisht printe dhe të tjerët e ndiqnin. Pantiqi gjithashtu shpjegoi se në fillim tanku shkonte paralelisht me forcat e këmbësorisë, meqenëse rruga ishte mjaft e gjerë. Më vonë, gjatë ditës së dytë dhe të tretë, tanku mbeti pas forcave.

Pasi hynë në Kosterc, rreth 700-800 metra nga Runiku, forcat hasën në “llogore dhe llogore komunikuese,” dhe më pas u sulmuan nga UÇK-ja. Ata iu përgjigjën zjarrit dhe luftimi zgjati rreth 1-3 orë. Pas mbarimit të luftimit, Pantiqi dhe forcat e tjera vazhduan dhe gjatë natës u vendosën në Mëhallën e Dervishëve. Të nesërmen u nisën në drejtim të Klladërnicës. Kur mbërritën në skaj të fshatit, ata u kthyen në drejtim të Leqinës dhe me ta u ishte bashkua një skuadër e UJ-së prej 7-10 vetësh. Edhe pse dëgjoheshin krisma përreth tyre, ata nuk u angazhuan në luftime atë ditë. Në mëngjesin e 27 marsit ata u sulmuan nga drejtimi i Izbicës; ata iu përgjigjën zjarrit dhe u shpërngulën në një pozicion më të mirë në kodrën e afërt. Pas përfundimit të sulmit, ata lëvizën në drejtim të Vojnikës dhe hasën në një kolonë civilësh që lëvizte në drejtim të jugut. Pantiqi nuk ishte në gjendje të thoshte sa civilë kishin qenë, por shpjegoi se ata mund të shihnin vetëm një pjesë të rrugës e për pasojë vetëm një pjesë të kolonës; sidoqoftë, edhe ajo pjesë kishte rreth 1.000 vetë. Pak para se të hynin në Vojnikë, skuadra e UJ-së dhe tanku u kthyen mbrapsht, kurse Pantiqi dhe kompania e PJP-së vazhduan më tej në drejtim të fshatit. Pasi kaluan nëpër Vojnikë, grupi mbërriti në Burojë dhe e kaluar natën atje. Të nesërmen i morën me autobusë dhe i dërguan në Klinë, ku roli i Pantiqit si udhërrëfyes përfundoi. Pyetjes së Prokurorisë se a hynë në Izbicë forcat me të cilat kishte qenë, ai u përgjigj negativisht, duke shpjeguar se ata kishin përdorur rrugën e epërme midis Izbicës dhe Klladërnicës, rreth 800 metra nga Izbica, dhe për këtë arsye ishin në gjendje të shihnin civilët duke ecur në drejtim të luginës së Izbicës. Ai gjithashtu tha kur u sulmuan më 27 mars ata nuk e përdorën tankun.

Hetimet e kryera nga autoritetet e RFJ-së/Serbisë

Dikoviqi, i cili ishte me njësinë e tij në zonën e përgjithshme të Izbicës më 27 dhe 28 mars 1999, u pyet se a kishte marrë pjesë ai ose forcat e tij në largimin e kufomave nga varret dhe a kishte marrë pjesë në hetimet në lidhje me to. Ai u përgjigj se nuk kishte dijeni për ndonjë varr masive në Izbicë dhe se ai nuk ishte angazhuar në hetime në lidhje me të e as nuk ishte autorizuar të bënte një gjë të tillë.

I akuzuari Llazareviq u pyet në lidhje me incidentin e Izbicës gjatë marrjes në pyetje nga Prokuroria. Ai tha se ky problem u përmend fillimisht nga mediat e huaja në fillim të prillit 1999. Siç është diskutuar më poshtë në Pjesën VIII.G, ai urdhëroi Brigadën e 125-të të Motorizuar, të hetonte këto pretendime së bashku me MPB-në dhe autoritetet civile. Meqenëse zona e gjerë e Drenicës ishte ende arenë e luftimeve të ashpra, brigada u udhëzua të siguronte vendin dhe t’u mundësonte autoritetet civile që të hetonin zonën.

Nebojsha Bogunoviqi, zëvendësshef i SPB-së në Mitrovicë, dhe Gvozden Gagiqi, i cili kishte qenë shef i degës për vrasje dhe krime seksuale në drejtorinë e policisë për krime të MPB-së, dëshmuan se për varret në Izbicë mësuan nga mediat. Si rezultat, më 27 maj 1999, SPB-ja e Mitrovicës dërgoi një grup hetimor në fshat. Pas mbërritjes grupi takoi ushtarë të UJ-së që nuk dinin asgjë për varrin e përbashkët, por u thanë hetuesve se në fshat ishte një varrezë e re. Kur ekipi shkoi në vend, kundër tyre u hap zjarr dhe atyre iu desh të largoheshin. Prokurori publik dhe një gjykatës hetues u informuan më pas në lidhje me këtë dhe urdhëruan zhvarrosjen e kufomave. Sipas raportit të ekipit të SPB-së së Mitrovicës, nga vendvarrimi u zhvarrosën 101 kufoma. Për arsye të panjohura për Dhomën, ky numër është më i vogël se numri i civilëve që pretendohet se janë vrarë në Izbicë, siç është përshkruar nga dëshmitarët okularë. Ata u ekzaminuan së jashtmi nga ekspertët e Akademisë Mjekësore Ushtarake (VMA), siç përshkruhet më poshtë, dhe më pas u varrosën në disa varreza në komunat e Mitrovicës dhe Vushtrrisë.

Pas përfundimit të sulmeve të NATO-s, Stanimir Radosavleviqi, prokuror ushtarak në Nish, përgatiti një raport për Komandën e Armatës së 3-të në të cilën paraqiti të dhënat në lidhje me veprat penale të kryera në Kosovë gjatë periudhës 1 mars 1998 – qershor 1999. Ky dokument përmbante edhe një referencë në lidhje me hetimet për “zbulimin e 144 varreve të reja në sektorin e fshatit Izbicë më 29 maj 1999” dhe përmendte se “dosjet nuk përmbajnë prova të besueshme në lidhje me rrethanat e vrasjes së këtyre personave.” Radosavleviqi e konfirmoi këtë përfundim dhe se në kohën kur përgatiti raportin, ai nuk dispononte prova që tregonin se si kishin vdekur këta njerëz ose se UJ-ja ishte përgjegjëse për vdekjet. Për këtë arsye, ai ua kaloi çështjen autoriteteve civile.

Prova që identifikojnë viktimat

Dhoma ka marrë një sasi të madhe materialesh kriminalistike që ka lidhje me identifikimin e personave të vrarë në Izbicë. Këto prova u përgatitën në kohë të ndryshme dhe në vende të ndryshme, për shkak të zhvendosjes së kufomave nga vendvarrimi në Izbicë. Këto raporte gjithashtu tregojnë se disa nga 118 viktimat emrat e të cilëve janë në Listën F, dhe një viktimë që nuk është në të, u dërguan në Petrovo Sellë, kurse të tjerët u varrosën në varrezën e Mitrovicës. Analiza e të gjitha këtyre provave për çdo viktimë në listë gjendet në Shtojcën A të Aktgjykimit.

Deklarata si dëshmitar e Loshit jep listën e emrave të njerëzve të identifikuar përmes kasetës filmike të bërë nga Sefedin Thaqi. Ata janë: Hetem Tahi, Brahim Bajra, Bajram Osman Dervishi, Selman Loshi, Ilaz Bajra, Isuf Shala, “Tahir R…?”, Metush Qelaj, Rexhë Qelaj, Fazli Bajra, Hamdi Doqi, Beqir Shpati, Brahim Krasniqi, Brahim Shabani, “[emri nuk dihet] (Milaim?) Kadria”, Sadik Hoti, “Muharrem (?) Thaqi”, Hysen Shala, Hamzi Qupeva, Bajram Hasan Bajra, Qazim Sadik Bajrami, “[emri nuk dihet] Dragaj (?)”, Muhamet Refat Hoti, Pajazit [mbiemri nuk dihet], Selman Loshi, Jashar Loshi, dhe Sami Loshi. Tetëmbëdhjetë prej tyre janë në Listë dhe disa janë identifikuar nga dëshmitarët se ishin midis burrave dhe grave të vrara në Izbicë më 28 mars 1999.

Siç u përmend më lart, Afrim Xhemajli përgatiti një listë të viktimave gjatë varrimit në Izbicë dhe ia dha Loshit. Ajo përmban emrat e 111 viktimave të përfshira në Listën F.

Dr. Gordana Tomasheviqi, specialiste mjeko-ligjore e punësuar në VMA në Serbi, dëshmoi në lidhje me 101 autopsitë që u bëri kufomave të Izbicës. Duke konfirmuar dëshmitë e lartpërmendura të Gagiqit dhe Bogunoviqit, ekipi i Tomasheviqit mori urdhër zyrtar nga Gjykata e Qarkut në Mitrovicë, i datës 31 maj 1999, në lidhje me varret në fshatin Izbicë ku urdhërohej zhvarrosja e kufomave me qëllim që ekipi të kryente ekzaminimin mjeko-ligjor për konstatimin e kohës dhe shkakut të vdekjes. Urdhri gjithashtu kërkonte që kufomat të rivarroseshin pas ekzaminimit. Punëtorët civilë sollën 101 thasë kufomash me një kamion. Gjatë autopsive ishte e pranishme edhe policia civile. Ekzaminimi i kufomave u krye në Mitrovicë gjatë tri ditëve prej 3 deri më 5 qershor 1999. Meqenëse ekipi nuk i kishte pajisjet e nevojshme për të kryer ekzaminimin e plotë patologjik, autopsitë u kufizuan vetëm në ekzaminimin e jashtëm. Tomasheviqi përpiloi një raport të plotë.

Kufomat ishin në një fazë të përafërt të përparuar të shpërbërjes dhe kishin kaluar muaj e jo vite që nga vdekja e tyre. Tomasheviqi konkludoi se të gjithë personat me vetëm një përjashtim, me gjasë ishin vrarë nga plumba të shkrepur nga armë zjarri dore. Ajo gjithashtu shënoi se disa nga kufomat kishin tabelë druri mbi varr me emrat e tyre. Shumica ishin të veshur në rroba civile, por “disa kufoma” kishin “uniforma të zeza të UÇK-së.” Raporti identifikonte pesë persona, emrat e të cilëve janë në Listën F të Aktakuzës, ose përmes tabelave të varreve të përmendura më lart ose prej dokumenteve të gjetura te viktimat, konkretisht, Beqir Musliu, Ali Dragaj, Azem Osmani, Idriz Xhemajli, dhe Zymer Shala. Siç do të shihet më poshtë, asnjë nga këta pesë nuk u dërgua në Petrovo Sellë, që është në përputhje me urdhrin për varrosjen e kufomave në Mitrovicë. Kjo dhe prova të tjera në lidhje me numrin e viktimave sugjerojnë se kufomat e gjetura në Petrovo Sellë nuk iu dërguan Tomasheviqit.

Dhoma dëgjoi nga dëshmitari ekspert Dr. Eric Baccard se nga data 28 deri më 30 qershor 1999, një mision kriminalistik francez shkoi në Izbicë për të bëre hetime në vendin e ngjarjes. Ekipi francez përgatiti disa raporte që analizojnë vendvarrimin si dhe tri vendet e ekzekutimit. Në raportin për vendvarrimin, ekipi vëren se vendi ishte arë dhe se mund të dalloheshin gropat e varreve. Ekipi mblodhi rroba, pjesë kufomash dhe municion, por jo kufoma të plota. Sa i përket vendeve të ekzekutimeve, ekipi konstatoi se ishin tri vende ekzekutimi, si dhe pika mbledhëse për rrobat e viktimave, batanijeve, dhe tabelave të varreve, të cilat ishin lënë aty pas zhvarrosjes së kufomave. Raporti i fundit përmend 28 pjesë kufomash nga vendvarrimi, të cilat përbëheshin nga copëra eshtrash, pjesë trupore, dhe tufa flokësh, si dhe 84 copëra plumbash. Përfundimi i raportit se viktimat ose ishin qëlluar në shpinë me armë zjarri të kalibrit të madh me breshëri nga afër, ose ishin goditur me mitraloz nga një distancë më e largët është kritikuar nga Baccard-i, siç do të shihet në paragrafin e ardhshëm. Dhoma kujton se përdorimi i mitralozit gjatë incidentit të Izbicës është përmendur nga Milazim Thaqi. Së fundi raporti nuk përmend kryerjen e provës së ADN-së në pjesët e gjetura të kufomave.

Baccardi-i analizoi këto raporte së bashku me videokasetën e Liri Loshit dhe ka dhënë konkluzionet e veta në një raport të veçantë. Ai mori parasysh mostrat e marra nga ekipi francez, por konkludoi se, duke marrë parasysh sasinë e vogël të materialit të gjetur, ishte e vështirë të përcaktohej përfundimisht dhe pa mëdyshje shkaku i vdekjes së viktimave. Gjithsesi nga rrobat e gjetura dhe videofilmimi, Baccard-i mundi të përcaktonte se dukej se plagët e dukshme në kufoma në disa raste duhet të jenë rezultat i goditjes me armë zjarri dhe shihej se koka ishte pjesa anatomike më e lënduar. Nga videofilmimi ai mundi të konstatonte 36 lëndime të dukshme në kokë, dy në qafë, dy në trup, 11 në gjymtyrë të epërme, dhe gjashtë në gjymtyrë të poshtme. Këto plagë përputhen me plumba të kalibrit 7.62 ose 12 milimetra. Gjithashtu Baccard konstatoi se me gjithë sasinë e vogël të mostrave, “nga këqyrjet balistike të rrobave të mbledhura, të shtënat në të shumtën e rasteve ishin në shpinë, ndonjëherë nga afërsia, dhe në disa raste arma ka qenë e puthitur në trup.”
Meqenëse disa nga viktimat e vrasjeve në Izbicë u gjetën në Petrovo Sellë, Dhoma gjithashtu mori shumë raporte dhe dëshmi të atyre që kanë qenë të pranishëm, kanë mbikëqyrur dhe kanë marrë pjesë në zhvarrosjen dhe identifikimin e kufomave nga varri i përbashkët atje, siç është përshkruar në Pjesën VII.P. Personat e përfshirë janë William Fulton, Jon Sterenberg, dhe Jose-Pablo Baraybar. Gjithashtu, Dhoma ka pranuar si prova aktautopsitë e përgatitura nga Instituti mjeko-ligjor i Nishit që kanë lidhje me kufomat e zhvarrosura nga varri i përbashkët në Petrovo Sellë. Më pas në to u kryen analizat e ADN-së, rezultatet e të cilave u evidentuan në listën e personave të zhdukur të ZPZHK-së. Ato konfirmojnë vdekjen e këtyre personave të cilët janë përfshirë në Listën F: Fatmir Osmanaj, Jashar Loshaj, Hamdi Temaj, Sami Loshaj, Dibran Pani, Halit Haliti, Mehmet Hajraj, Rexhë Duraku, Qerim Hoti, Zojë Osmani, Bajram Dervishi, Metush Qelaj, Hajzer Kotorri, Muhamet Behrami, Zade Dragaj, Hajrullah Fetahu, Selman Loshi, Ilaz Musliu, dhe Muhamet Emra. Po ashtu ato konfirmojnë vdekjen e një viktime tjetër, konkretisht të Sofie Dragajt, kufoma e së cilës u filmua nga shokut i Liri Loshit.

Shumë prej viktimave të Izbicës u varrosën në Mitrovicë e jo në Petrovo Sellë. Jon Sterenberg, shef i njësisë së zhvarrosjeve dhe ekzaminimeve të KNPZH-së, dëshmoi se kufomat e personave të varrosur në Kosovë gjithashtu u ekzaminuan nga KNPZH-ja për identifikim përmes ADN-së. UNMIK-u i dha KNPZH-së mostrat e kufomave për t’i mundësuar që të bënte krahasimet e ADN-së me mostrat e marra nga anëtarët e familjes për qëllime identifikimi. Krahasimi i mostrave rezultoi në identifikimin e disa viktimave të Izbicës.

Dhoma gjithashtu vëren se Dr. Zoran Stankoviqi, specialist i mjekësisë ligjore i cili u ftua të dëshmonte për të gjithë të Akuzuarit, kundërshtoi aspekte të ndryshme të provave kriminalistike dhe dëshmive në lidhje me vrasjet në Izbicë. Për shembull, ai kundërshtoi dëshminë e Milazim Thaqit se rrobat e tij ishin dëmtuar nga plumbat, ndërsa ai nuk ishte lënduar, duke argumentuar se kjo ishte e pamundshme dhe se vrimat në këmishën e Thaqit nuk ishin shkaktuar nga armët e përshkruara nga ai dhe se personi që kishte qëlluar duhej të kishte qenë në një “kënd shumë të çuditshëm.” Gjithashtu, nëse rrëfimi i tij ishte i saktë, trupi i Thaqit do të ishte gërvishtur nga plumbat. Gjithsesi Stankoviqi pranoi se analiza e tij ishte e bazuar vetëm në fotografitë e këmishës.

Dhoma pranon se dëshmia e Thaqit se ishte gërvishtur nga plumbat është e çuditshme. Sidoqoftë, për arsyet e përmendura më lart, Dhoma beson se Thaqi ishte dëshmitar okular dhe mbijetues i vrasjeve në Izbicë. Ajo pranon se vrimat në këmishën e Thaqit nuk janë vrima nga plumbat. Në fakt, ajo nuk e konsideron të besueshëm shpjegimin e tij të vrimave. Është e mundshme që Thaqi të ketë nxjerrë përfundimin mbi shkakun e dëmtimit të këmishës së tij si pasojë e përvojave tronditëse që ka përjetuar. Nuk është gjithashtu e pamundshme qe ai t’a ketë zbukuruar dëshminë e tij.

Stankoviqi gjithashtu kundërshtoi dëshminë e Thaqit se burrat u qëlluan me breshëri mitralozi dhe dëshmoi se kjo nuk përputhej me përfundimet e Gordana Tomasheviqit se asnjë nga kufomat e zhvarrosura nuk kishte lëndime dhe plagë që janë karakteristike për plagë të shkaktuara nga mitralozi. Gjithashtu, po të ishte hapur zjarr i dendur mitralozi, Thaqin do të duhej më shumë se një kufomë për t’ia shpëtuar jetën. Së fundi, pasi pa videofilmimin e Liri Loshit të kufomave, Stankoviqi vuri në dukje se nuk kishte asnjë gëzhojë plumbi askund përreth kufomave, që binte në kundërshtim me dëshminë në lidhje me breshëri mitralozi. Stankoviqi pranoi se nuk e kishte analizuar dëshminë gojore të Thaqit apo të ndonjë tjetri, por vetëm deklaratat dhe raportet e tyre.

Stankoviqi gjithashtu dëshmoi se ishte e qartë se kufomat në videofilmim ishin lëvizur nga vendi ku kishin vdekur. Ai gjithashtu vuri në dukje se videofilmimi nuk tregonte kufoma në grupe, që është në kundërshtim me dëshminë e Mustafa Dragës, dhe se nuk kishte sasi të mëdha të gjakut në zonën rreth kufomave, gjëra të cilat dëshmojnë se kufomat ishin lëvizur. Më në fund, Stankoviqi përshkroi disa skena nga videofilmimi të cilat tregojnë qartë se kufomat ishin lëvizur ose ishin duke u lëvizur dhe gjithashtu tha nga filmimi ishte e pamundshme të përcaktohej pozicioni i viktimave në momentin e vdekjes.

Dhoma e ka parë videofilmimin në fjalë dhe vëren se aty shihen qartë kufomat në grupe në vendet e ekzekutimit. Gjithashtu shihet se ato janë lëvizur, siç ka dëshmuar Stankoviqi. Sidoqoftë, Dhoma nuk mendon se ato janë sjellë në atë vend nga diku tjetër, por se vetëm janë rrotulluar, kur ka qenë e nevojshme, për të identifikuar çdo viktimë dhe për t’i filmuar fytyrën. Fakti se nuk shihen gëzhoja të plumbave në videofilmim, i cili u bë tri ditë pas vrasjeve, nuk i komprometon dëshmitë e përputhëse të mbijetuesve në lidhje me ngjarjen. Në periudhën midis vrasjeve dhe filmimit gëzhojat mund të jenë hequr nga vendi i ngjarjes.

Stankoviqi gjithashtu theksoi se nuk ishte e mundshme që në bazë të konkluzioneve të Gordana Tomasheviqit e cila mundi t’i ekzaminonte kufomat vetëm nga jashtë, të përcaktohen pozicionet e sulmuesve dhe të viktimave dhe nëse viktimat u vranë nga një apo më shumë qitës. Ai gjithashtu theksoi se ekzaminimi i jashtëm i kufomave nuk zbuloi lëndime që sugjeronin keqtrajtim para vdekjes. Së fundi, po ashtu si Baccard-i, ai shprehu rezerva për aftësinë e misionit kriminalistik francez për të përcaktuar shkakun dhe mënyrën e vdekjes së viktimave vetëm në bazë të 28 pjesëve të kufomave të gjetura në vendvarrim.

Pasi ka analizuar provat e shumta kriminalistike të përshkruara më lart, si dhe kundërshtimet ndaj tyre, Dhoma konkludon se këto prova mund të përdoren për identifikimin e njerëzve që vdiqën në rrethinën e Izbicës më 28 mars 1999, edhe pse, siç diskutohet më poshtë, ato nuk ndihmojnë për të përcaktuar se cilat nga viktimat u vranë në incidentet e pretenduara në Aktakuzë. Gjithsesi Dhoma, nuk bazohet në konkluzionet e misionit kriminalistik francez sa i përket shkakut të vdekjes të këtyre viktimave, meqenëse edhe Eric Baccard edhe Zoran Stankoviqi shprehën rezerva në lidhje me to. Në vend të tyre, Dhoma mbështetet në dëshmitë përgjithësisht të përputhëse të mbijetuesve të përmendur më lart, videofilmimin e bërë nga shoku i Liri Loshit, dhe përfundimet e Baccard-it të bazuara në atë regjistrim. Ajo gjithashtu mbështetet në raportet e përgatitura nga Gordana Tomasheviqi dhe në shkaqet e vdekjeve të përcaktuara në to. Në këtë mënyrë Dhoma konkludon se afërsisht 93 nga 118 personat e përfshirë në Listën F të Aktakuzës u vranë me armë zjarri në Izbicë më 28 mars 1999. Detajet e këtyre vrasjeve mund të gjenden në Shtojcën A të kësaj Aktakuze.

 

Konkluzionet: Vrasjet në Izbicë

Prokuroria argumenton se forcat e RFJ-së dhe Serbisë ishin përgjegjëse për vrasjet në Izbicë, meqenëse ato ndërmorën një operacion të përbashkët në atë kohë, në zonën në fjalë. Duke u mbështetur në dëshminë e Milazim Thaqit, Prokuroria gjithashtu argumenton se ishte një komandant ngë UJ-ja, personi që urdhëroi ekzekutimin në atë ditë dhe vë në dukje se viktimat ishin kryesisht burra të moshuar e jo ushtarë të UÇK-së.

Asnjë nga ekipet mbrojtëse nuk pretendon se nuk ka pasur vrasje, edhe pse Mbrojtja e Llukiqit kundërshton faktin se ato ndodhën në Izbicë dhe se viktimat ishin civilë. Duke u mbështetur në Lubisha Dikoviqin, Sllagjan Pantiqin, Mustafa Dragën dhe provat dokumentare të UJ-së, Mbrojtja e Llazareviqit argumenton se UJ-ja nuk ishte e implikuar në këto vrasje. Ajo gjithashtu pretendon se fshati Izbicë ishte çerdhe “terroriste”, duke e përligjur operacionin e përbashkët dhe ngre pikëpyetje ndaj besueshmërisë së Liri Loshit, Milazim Thaqit, dhe Mustafa Dragës. Edhe Mbrojtja e Pavkoviqit mohon implikimin e UJ-së në vrasjet dhe kundërshton dëshminë gojore të Thaqit në këtë aspekt duke u bazuar në mospërmendjen e UJ-së në deklaratën e tij të mëparshme. Duke u mbështetur në dëshminë e Pantiqit, Mbrojtja e Llukiqit pretendon njësitë e PJP-së nuk hynë në Izbicë por kaluan pranë saj dhe rrjedhimisht e kundërshton dëshminë e Dikoviqit se MPB-ja ishte përgjegjëse për problemin e civilëve afër Izbicës. Ajo gjithashtu argumenton se Izbica dhe fshatrat përreth kishin prani të madhe të UÇK-së dhe se natyra dhe ashpërsia e luftimeve midis UÇK-së dhe forcave serbe atje duhet t’i ketë shkaktuar UÇK-së viktima të shumta. Mbrojtja e Llukiqit i kundërshton dëshminë e Thaqit dhe Dragës në lidhje me identifikimin prej tyre të forcave në Izbicë, sidomos përshkrimin e tyre jopërputhës të personit që urdhëroi ekzekutimin, si dhe disa mospërputhje të tjera të brendshme në dëshminë e Dragës. Mbrojtja e Llukiqit gjithashtu pretendon se vendvarrimi në Izbicë u rregullua në atë mënyrë që të paraqiste pamje të pavërtetë të ngjarjeve. Në mbështetje të këtij pretendimi, ajo ngre çështjen e kufomave të varrosura në atë vend para dhe pas incidentit të 28 marsit 1999, dhe thekson faktin se për një kohë pas 28 marsit 1999, zona ishte nën kontrollin e UÇK-së dhe si pasojë ishte objektiv katër operacioneve të tjera të përbashkëta të UJ-së/MPB-së në prill dhe maj, të cilat duhet të kenë rezultuar në më shumë viktima të UÇK-së. Së fundi Mbrojtja e Llukiqit thekson se, menjëherë pas zbulimit të varrit të përbashkëte në Izbicë, SPB-ja e Mitrovicës filloi hetimet dhe bëri një zhvarrim.

Dhoma është bindur se dëshmitë e dhëna nga mbijetuesit e vrasjeve në Izbicë janë të besueshme dhe të sakta në shumë aspekte. Ngjarjet e përjetuara nga mbijetuesit janë tejet tronditëse dhe Dhoma gjykon se është e pamundshme që ata të kenë kujtime plotësisht të njëjta të ngjarjeve. Gjithsesi ata mund të jenë ndjerë të obliguar ta ndihmojnë Dhomën dhe, në ndonjë rast, si rezultat i kësaj, mund të kenë bërë gabime në lidhje me imtësitë, siç është për shembull përshkrimi i individëve konkretë. Rrjedhimisht, Dhoma nuk gjykon se ndryshimet midis rrëfimit të ngjarjve të asaj dite së Thaqit dhe Dragës e komprometojnë dëshminë e tyre.

Dhoma konkludon se, më 28 mars 1999, mbi 100 burra u ndanë nga gratë dhe fëmijët në një arë në Izbicë. Këta burra u ndanë në dy grupe dhe u pushkatuan, siç u përshkrua nga mbijetuesit e ngjarjes. Edhe Draga, edhe Januzi vlerësuan se një grup kishte rreth 70 vetë kurse Thaqi dëshmoi se ai numëroi 33 vetë në grupin e dytë, duke përfshirë edhe veten. Dhoma ka dëgjuar dëshmi se nga ky incident mbetën gjallë 14 avetë. Përveç burrave të vrarë në dy grupet, katër të tjerë të moshuar u vranë në arë. Shumica e njerëzve të vrarë atë ditë ishin të moshuar, fakt që rrëzon pretendimin se ata ishin pjesëtarë aktivë të UÇK-së. Faktikisht në raportin e saj Gordana Tomasheviqi vëren se shumica e viktimave ishin me rroba civile. Dhoma e ka analizuar videofilmimin lidhur me dy kufomat e përshkruara nga Mbrojtja e Llazareviqit se kishin të veshura pjesë uniformash dhe vëren se të dy përshkrimet i referohen të njëjtës kufomë të një burri të moshuar, palltoja e gjelbër e të cilit nuk duket si uniformë.

Duke shqyrtuar një nga kundërshtimet e Mbrojtjes së Llukiqit, Dhoma pranon se fillimisht Draga dëshmoi se burrat në Izbicë u ndanë në dy grupe, por më pas përmendi gjithsej katër grupe. Sidoqoftë, Dhoma gjithashtu vëren se grupi më i madh i burrave, në të cilin ishte Draga, duket se është ndarë në tri grupe më të vogla sepse, sipas Dragës, vendet ku këto tri grupe u ekzekutuan janë afër njëri-tjetrit dhe në fakt, misioni kriminalistik francez i ekzaminoi si një vend ekzekutimi i vetëm.

Rrjedhimisht, duke marrë parasysh se rreth 103 u ndanë në dy grupe dhe u pushkatuan dhe se 14 prej tyre mbijetuan, Dhoma konkludon se më 28 mars u vranë afërsisht 89 burra ashtu siç është përshkruar në Aktakuzë. Për më tepër duke u bazuar në dëshminë e njërit prej mbijetuesve, Dhoma gjithashtu konkludon se ekzekutimit të përshkruar më lart, në arën në Izbicë u panë edhe kufomat e katër burrave të moshuar.

Prokuroria i ka përfshirë emrat e 118 personave në Listën F midis të vrarëve në Izbicë gjatë këtyre ngjarjeve. Sidoqoftë, dëshmitë për vërtetimin se këta 118 emra janë persona nga dy grupet e ekzekutuara dhe të moshuarit e vrarë në arë u paraqitën në mënyrë të tillë që e bëjnë të pamundshme për Dhomën që t’i identifikojë të gjithë të vrarët atë ditë në mënyrën e përshkruar në Aktakuzë. Kjo vlen veçanërisht duke marrë parasysh se në vendvarrimin në Izbicë u prunë njerëz të tjerë dhe se disa nga ata ishin pjesëtarë të UÇK-së. Rrjedhimisht për identifikimin e këtyre viktimave, Dhoma do të mbështetet vetëm në dëshmitë e mbijetuesve dhe videofilmin e Liri Loshit që tregon vendet e ekzekutimit, por jo të vendvarrimit.

Njëzet e një personat e mëposhtëm të përfshirë në Listën F, u përmendën nga Thaqi, Draga, dhe/ose Januzi se, ose ishin në këto dy grupe ose kufomat e tyre u panë nga Draga në arë në Izbicë pas vrasjes së tyre: Ilaz Bajra, Ali Draga, Cen Draga, Hajriz Draga, Ismet Draga, Murat Draga, Rrustem Draga, Sami Loshi, Jashar Loshi, Selman Loshi, Shaban Musliu, Ismajl Qelaj, Rexhep Qelaj, Metush Qelaj, Idriz Shala, Isuf Shala, Sali Shala, Zymer Shala, Halim Shala, Ukë Uka, dhe Zojë Osmani. Të 21 personat janë përmendur edhe në listën e përgatitur nga Afrim Xhemajli dhe Liri Loshi gjatë varrimit më 31 mars 1999. Kufomat e pesë prej këtyre 21 personat, konkretisht të Sami Loshit, Jashar Loshit, Selman Loshit, Metush Qelajt, dhe Zojë Osmanit u gjetën më vonë në varrin e përbashkët në Petrovo Sellë në Serbi dhe Dhoma disponon si prova materialin përkatës mjeko-ligjor në lidhje me këto viktima. Gjithashtu, siç është përshkruar më lart, në lidhje me 16 kufomat e tjera Dhoma ka prova të tjera, përfshirë edhe fotografi të nxjerra prej videofilmimit të Loshit, dhe që të gjitha mbështesin dëshmitë e dëshmitarëve okularë. Rrjedhimisht, Dhoma është bindur jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm se 21 viktimat e identifikuara me emër u vranë më 28 mars 1999 në Izbicë ashtu siç u përshkrua nga mbijetuesit.

Për gjashtë viktimat që vijojnë të përmendur me emër në Listën F, provat kryesore që i lidhin ata me vendin e ekzekutimit në Izbicë janë videofilmimi dhe fotografitë e kufomave të tyre të bëra nga Loshi dhe shoku i tij: Brahim Bajra, Fazli Bajra, Bajram Dervishi, Hamdi Doqi, Sadik Hoti, dhe Hysen (A) Shala. Rrjedhimisht, duke marrë parasysh këto prova dhe prova të tjera, si dhe faktin se Dhoma mundi t’i shihte këto kufoma, duke konstatuar se shumica ishin të moshuar, ajo është bindur jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm se ata u vranë më 28 mars 1999 në Izbicë në mënyrën e përshkruar nga mbijetuesit e ekzekutimit.

Sa për viktimat e tjera të përmendura me emër në Listën F, Prokuroria nuk ka arritur të tregojë lidhjen e mjaftueshme me vendet e ekzekutimit ose me dy personat që pretendohet se janë vrarë në arë. Si rrjedhojë, megjithëse Dhoma konkludon se u vranë afërsisht 93 persona, ajo nuk është në gjendje të thotë me saktësi se cilat nga viktimat e mbetura të identifikuara me emër në Listën F kanë qenë midis tyre, edhe pse është e qartë se shumica e tyre ishin midis të vrarëve.

Sa i përket autorëve të vrasjeve në Izbicë, edhe Thaqi, edhe Draga dëshmuan për implikimin e forcave të MPB-së. Gjatë dëshmisë para Dhomës, ata përmendën për herë të parë se edhe ushtarët e UJ-së ishin të pranishëm në luginë gjatë vrasjeve. Sidoqoftë, Dhoma vëren se në mbështetje të mendimit të tij, Thaqi dëshmoi se ushtarët e UJ-së ishte atje dhe kishin veshur “ngjyra jugosllave” dhe emblema në të dy krahët. Provat tregojnë se emblema e PJP-së në atë kohë përmbante ngjyrat e flamurit jugosllav, se njësitë e PJP-së e mbanin në të dy krahët dhe se kishin uniforma kamuflimi të gjelbra. Si rezultat përshkrimi i Thaqit tregon se këto forca ishin njësi të PJP-së. Sa i përket Dragës, në deklaratën e tij si dëshmitar ai përmend konkretisht uniforma kamuflimi të kaltra dhe të gjelbra, por thotë se të gjithë kishin emblemat policore në to. Gjithashtu, gjatë pyetjeve nga Mbrojtja ai pranoi se kishte shumë frikë t’i shikonte forcat. Rrjedhimisht, Dhoma nuk është bindur me identifikimin e ushtarëve të UJ-së nga këta dy dëshmitarë dhe përfundon se është bindur vetëm për implikimin e forcave të MPB-së.

Gjithashtu, edhe pse pranoi se njësia e tij ishte në atë zonë, Dikoviqi mohoi qartësisht vajtjen e saj në fshatin Izbicë ose ndonjë kontakt me civilët. Dëshmia e tij mbështetet edhe nga urdhrat e UJ-së në lidhje me këtë operacion dhe, në njëfarë mase, nga Pantiqi, polici që shërbeu si udhërrëfyes për disa forca të UJ-së dhe PJP-së, megjithëse dëshmia e tij u përqendrua vetëm në një njësi të PJP-së dhe një numër të vogël ushtarësh të UJ-së. Dhoma gjithashtu thekson dëshminë e Dikoviqit se në atë operacion konkret, MPB-ja kishte detyrë të kujdesej për civilët dhe se ata e bënë këtë në afërsi të Izbicës. Rrjedhimisht Dhoma përfundon se ekzekutimi i së paku 93 vetëve në Izbicë më 28 mars 1999 u krye nga forcat e MPB-së, konkretisht, nga PJP-ja, kurse njësitë e UJ-së ishin në afërsi./Demokracia.com/

Të ngjashme