Lajme
Martens për mediumin e afërt me Vuçiqin: Gjyqi kundër Thaçit me rëndësi historike për Ballkanin dhe Perëndimin
Demokracia
15:32 | 05 Prill 2023

Share:

“Gjyqi kundër Hashim Thaçit është i një rëndësie historike – jo vetëm për Ballkanin, por edhe për Perëndimin në tërësi. Nëse Thaçi shpallet fajtor, kjo do të thotë se në vitin 1999 NATO luftoi kundër krimeve të regjimit të Millosheviqit me ndihmën e një tjetër krimineli lufte”, tani kështu shprehet për median serbe gazetari i njohur gjerman, Michael Martens.

Martens, përndryshe korrespondenti për Evropën Jugore i “Frankfurter Algemaine Zeitung”, sipas medias serbe, në një seri postimesh në llogarinë e tij në Twitter, ka treguar disa detaje për gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë që filloi të hënën.

“Detajet janë interesante si fakte konkrete dhe si pyetje historike”, shkruan gazeta serbe “Blic” e afërt me regjimin e Vuçiqit.

Kjo gazetë ka realizuar intervistë me Martens, derisa në hyrje të saj ngrit cështje dhe pyetje që lidhën kryesisht me Thaçin, duke ia huqur qëllimisht kontestit dhe duke mashtruar e propaganduar si gjithnjë deri tash.

“Dhe një dilemë hedh dritë të re mbi të gjithë rastin: A është gjyqi kundër Thaçit në të vërtetë një gjyq kundër NATO-s?”, shkruan nder tjerash “Blic”, për të vazhduar me mashtrime tjera për liderët kosovarë të UÇK-së.

Në këtë tekst përmendet edhe avokati kroat që është në ekipin mbrojtjes të Thaçit dhe i njëjti ka qenë në mbrojtje të gjeneralit kroat, Ante Gotovina.

“Ka një pyetje kyçe: Nëse Thaçi shpallet fajtor, do të thotë se në vitin 1999, NATO ka luftuar kundër krimeve të regjimit të Millosheviqit me ndihmën e një krimineli tjetër lufte. Kjo nuk do të thotë se ndërhyrja e NATO-s ishte e gabuar, por historia e vitit 1999 do të kishte fituar një element shtesë që historianët nuk do të mund ta shpërfillnin”, ka thënë Martens për gazetën serbe.

“Si e komentoni tezën e avokatëve të Thaçit“, se krimet në Kosovë janë bërë nga “individë” dhe se krerët e UÇK-së“ nuk janë përgjegjës, sepse zinxhiri komandues nuk qartësohej”? Kë komprometon kjo tezë?”, është pyetje tjetër për gazetarin gjerman, në të cilën ai përgjigjët kështu: “Kjo është një pyetje e rëndësishme dhe jam shumë kurioz të shoh se çfarë përgjigje do t’i bindë gjyqtarët në Hagë… Përgjigja e prokurorisë, e cila thotë se Thaçi ka pasur kontroll të plotë dhe prandaj është kriminel lufte? Apo përgjigja e mbrojtësve që pretendonin se UÇK-ja ishte një kaos i çorganizuar me vetëm rrënjë vendase? Dhe a mund të jetë që e vërteta është diku në mes? Në këtë kontekst më kujtohet shpesh ajo që tha Natasha Kandiq pasi Ante Gotovina u shpall i pafajshëm në Hagë”.

Martens tutje thotë se “nëse Thaçi dënohet, ky vendim do të ndikojë indirekt edhe në NATO. Jo ligjërisht, por politikisht. Kjo nuk do të thotë se NATO ka bërë një luftë kriminale (unë ende besoj se lufta ishte një e keqe më e vogël në 1999), por do të thotë se NATO bashkëpunoi me një organizatë që, sipas gjykimit të gjykatës ndërkombëtare, ishte e përfshirë në krime lufte”.

Cila pikëpyetje, sipas jush, do të mbetet fillimisht pas këtij procesi? Dhe cilat do të jenë pasojat politike dhe historike të atij procesi (veçanërisht nëse, siç thoni ju, zvarritet deri në vitin 2029)?, ishte pyetje tjetër për gazetarin gjerman, në të cilën ai përgjigjet: “Është ende herët për të nxjerrë përfundime, aq më tepër që edhe prokuroria edhe mbrojtja mund të apelojnë vendimin e shkallës së parë. Por një gjë mund të thuhet me siguri: ky proces është i një rëndësie historike – jo vetëm për Ballkanin, por edhe për Perëndimin në tërësi. Por këtu nuk duhet harruar tabloja më e madhe: në rastin e UÇK-së, sipas prokurorisë, bëhet fjalë për qindra vrasje – jo mijëra apo dhjetëra mijëra, si në rastin e Karaxhiqit apo Mlladiqit, për shembull. Megjithatë, shqiptarëve të Kosovës mund t’u duhet të kalojnë të njëjtën përvojë që ishte shumë e vështirë për kroatët dhe që disa në Zagreb ende nuk mund ta pranojnë: krimet mund të kryhen në një luftë mbrojtëse. Një ditë ndoshta edhe ukrainasit do të përballen me këtë të vërtetë: edhe nëse mbroni veten kundër agresorëve, prapë mundeni të gjykoheni”.

Të ngjashme