Lajme
Marrëveshja që i falë krimet dhe e forcon kishën serbe | Kastrati: Kurti prioritet e ka vetëm pushtetin
Demokracia
18:03 | 28 Shkurt 2023

Share:

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Qëndron Kastrati një ditë pasi që Albin Kurti e pranoi në Bruksel propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka vlerësuar se kryeministri kosovar e ka prioritet vetëm mbështetjen elektorale dhe qëndrimin në pushtet.

Në një intervistë për Demokracia.com, Kastrati ka thënë se me këtë marrëveshje Kurti, kundërshtuesi më i madh i dialogut dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përveç saj e ka pranuar edhe faljen e krimeve serbe në Kosovë, por edhe ka pranuar që çështjen e statusit të Kishës Ortodokse Serbe ta trajtojë në dialog.

“Ne edhe atëherë edhe tash jemi shumë të shqetësuar nëse krijohet një ndarje mbi baza etnike. Po flasim në aspektin e rregullimit dhe funksionimit brenda shtetit. Marrëveshja evropiane apo i ashtuquajturi plani franko-gjerman, është duke i vendosur disa binar që kanë me qenë autonomi për pakicën serbe. Përveç pikës 10 ku palët janë zotuar dhe kanë garantuar që do t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet është edhe pika e 7 që flet për një vetmenaxhim për pakicën serbe. Pakica serbe do të trajtohet ndryshe edhe nga krejt pakicat e tjera. Kjo për neve është e papranueshme, sepse do ta vazhdojë konfliktin për dekada dhe do të ketë probleme të vazhdueshme”, ka thënë Kastrati.

Kastrati është shprehur se kjo do të krijojë mundësi për ta mbajtur konfliktin shqiptaro-serb të gjallë edhe për shumë dekada.

“Ne nuk duhet të harrojmë çfarë qasje ka Serbia në raport me shtetet fqinje. Ne e shohim çdo ditë atë që po ndodhë në Bosnje, ndoshta për nga përmasat nuk është e njëjtë por për nga qëllimi i shtetit serb është e njëjtë dhe vazhdimisht do të krijohet mundësi për populistët dhe mundësi që konflikti të mbahet gjallë. Në e dimë që tash kemi një rrezik, pasi që njerëzit me të madhe po largohen nga Ballkani Perëndimor, në veçanti nga Kosova”, u shpreh ai për Demokracia.com.

I pyetur rreth fjalisë e cila gjendet në preambulën e këtij Propozimi ku të dyja palët janë pajtuar për të kapërcyer trashëgimin e së kaluarës, Kastrati ka vlerësuar se me këtë Kurti i ka amnistuar masakrat e Serbisë në Kosovë dhe krejt ato që janë bërë gjatë luftës.

Kastrati ka analizuar edhe pikën e shtatë të planit franko-gjerman ku flitet për statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Sipas tij, argumentimi i vazhdueshëm i Serbisë te Bashkësia Ndërkombëtare është që serbët nuk janë të sigurt në Kosovë nga shqiptarët. Kastrati vlerëson se moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit e ka shtyrë BE-në që kjo çështje të trajtohet edhe një herë në bisedime dhe e qet Kosovën si mosrespektuese të të drejtave fetare.

“E di që nuk është popullore, por veprimet e qeverisë Kurti në këto dy vite e kanë mirëmbajtur dhe forcuar atë argument të palës serbe. Unë mendoj se edhe trajtimi i rregullimit të menaxhimit të serbëve e në veçanti i çështjes se Kishës me dokumente të tilla, po e pranon një lloj mendësie apo faji se kinse ne nuk i respektojmë fetë e tjera, gjë që nuk është e vërtet. E dëgjova kryeministrin në Kuvend që tha se kjo pikë veç është vendos aty, sepse Kosova e ka kryer këtë çështje. Po të ishte e zgjidhur dhe po të mendonte edhe BE-ja që është e zgjidhur, nuk do të vendoste atë pikë në propozim. Edhe veprimet në raport me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit i ka shtyrë ata ta kenë një besim të tillë dhe ta trajtojnë edhe këtë pikë”, shtoi Kastrati.

Kastrati ka theksuar se Kurti prej ardhjes në pushtet prioritet e ka vetëm përkrahjen e elektoratit për ta vazhduar qeverisjen e tij.

“Çka është konsistente te Kurti në veçanti prej se ka ardhur në pushtet, se ai përkrahjen elektorale dhe pushtetin e tij, e ka prioritet. Të tjerat i lëvizë dhe i ndryshon varësisht si i konvenojnë qëndrimit të tij në pushtet. Edhe Kurti me gjasë edhe më shumë se të tjerët nuk është prej atyre liderëve që punon për të bërë punë të mira, për t’ua rregulluar jetën brezave të ardhshëm, por po mendon vetëm elektoralisht”, ka thënë Kastrati. /Demokracia.com/

Të ngjashme