Lajme
Marrëveshja e sotit si ajo e vitit 2011: A u pajtua Kurti me diçka që u nënshkrua para një dekade?
Demokracia
21:40 | 27 Gusht 2022

Share:

Kosova dhe Serbia sot kanë arritur marrëveshjen për dokumentet, e cila iu lejon kosovarëve që të hynë në Serbi me letërnjoftimi, pa u pajisur me letrat për hyrje/dalje.

Një marrëveshje e tillë, ishte arritur edhe në vitin 2011 dhe përmbante gjithsej 11 pika.

Pika e parë e kësaj marrëveshje, thekson se “Qytetarët (me vendbanim të përhershëm) të të dyjave palëve, duhet të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra tjetrës).

Po ashtu, në këtë marrëveshje, përmes pikës së tretë theksohej se “Secila palë mund të zbatojë një sistem ku letërnjoftimet do të shoqërohen nga dokumente me shkrim “hyrje-dalje” për personat nga pala tjetër, të cilët dëshirojnë të kalojnë tranzigt në një shtet të tretë).

Marrëveshja për lëvizjen e lirë, ishte produkti i parë i dialogut teknik në të cilën palët u pajtuar për njohje të letërnjoftimeve.

Kjo marrëveshje bazohej në njohjen e ndërsjellë të dokumenteve të udhëtimit ndërmjet dy shteteve si dhe njohjen e targave të automjeteve mes tyre.

Marrëveshja e lëvizjes së lirë u arrit më 2 korrik të vitit 2011 në raundin e pestë të diskutimeve në mes ish-ministres për Dialog të Kosovës, Edita Tahiri, dhe ish-zyrtarit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Borco Stefanoviq.

Kjo marrëveshje rregullon termet e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve të të dyja palëve brenda dhe përmes territorit të njëra-tjetrës.

Zbatimi i marrëveshjes filloi më 26 dhjetor 2011. Ndërsa, procesi i zbatimit u bazua në konkluzionet përfundimtare operative të dakorduara midis dy vendeve, nën lehtësimin e BE-së, më 29 nëntor 2011, shkruan Nacionale.

Marrëveshja përcaktonte regjimin e kalimit me anë të letërnjoftimeve mes dy shteteve, ndërsa kalimin në vende të treta me anë të pasaportave.

Përmes marrëveshjes së vitit 2011, edhe Kosova kishte mundësi që t’i lëshonte dokumentet hyrëse/dalëse personave që vinin nga territori serb, por kjo nuk ishte bërë me vendim të Qeverisë për shkak të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

A u pajtua Kurti me diçka që u nënshkrua para një dekade?

Pas konfirmimit për arritjen e marrëveshjes, një ndër personat e parë që reagoi ishte ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Ky i fundit, tha se Kurti u pajtua me atë që Hashim Thaçi ishte dakorduar vite më parë, gjatë kohës sa ishte kryeministër.

“Kështu Albin Kurti ka rënë dakord për çfarë Hashim Thaçi kishte rënë dakord vite më parë. Letërnjoftimet nga të dyja palët edhe njëherë pranohen – por këtë herë Kurti thotë po. Ai po arrin – le të shpresojmë se do të fillojë të zbatojë edhe marrëveshjet e tjera të mëparshme” – ka shkruar Grenell në Twitter.

Çka tha Borrell për marrëveshjen e arritur sot?

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, sot njoftoi se është arritur marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e letërnjoftimeve.

Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se Serbia ka rënë dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrje-daljes.

“Kemi një marrëveshje. Sipas dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse/dalëse për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit serbë të ID-së”, ka shkrua ai.

Sipas tij, BE-ja ka marrë garancinë nga kryeministri Kurti.

“Serbët e Kosovës dhe gjithë qytetarët e tjerë do të mund të udhëtojnë lirshëm mes Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo morri garanci nga Kurti për këtë. Kjo është një zgjidhje evropiane”, ka shkruar ai.

Të ngjashme