Lajme
Marrëveshja e Serbisë me Rusinë, opozita kërkon nga Qeveria të riorientohet për gazsjellësin amerikan
Demokracia
14:44 | 30 Maj 2022

Share:

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar reflektim nga mazhoranca për tërheqjen e mjeteve të kursimit nga Trusti, pavarësisht se një gjë e tillë u kundërshtua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar(FMN).

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku në mungesë kuorumi dështoi të caktohet seanca e re plenare, u tha se çështja e trustit do të shqyrtohet javën e ardhshme në Kuvend. Megjithatë në partinë në pushtet përsëritën qëndrimin kundër kësaj nisme opozitare. Ndërkohë u bë e ditur se të hënën e javës së ardhshme do të mblidhen deputetët për të diskutuar për pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.

Krahas këtyre, dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, kërkuan nga Qeveria Kurti të lexojë drejtë edhe marrëveshjen e djeshme të Serbisë me Rusinë për gazin dhe të riorientohet për gazsjellësin amerikan.

Duke argumentuar pro tërheqjes së Trustit,shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se FMN-ja interesohet më shumë për stabilitetin financiar sesa për mirëqenien e qytetarëve.

“Zyrtarët e FMN-së lëvizje të gabuar e kanë cilësuar atëherë edhe ngritjen e pagave që ka ndodhur nga Qeveria Thaçi I dhe II edhe nismën për ndërtimin e dy autostradave. Ne e kuptojmë se për FMN-në është i rëndësishëm stabiliteti financiar, i cili edhe për neve është i rëndësishëm. Por, FMN-së nuk i bëhet vonë nëse degradon mirëqenia e qytetarëve në Kosovë. Ne kemi qenë në vazhdimësi në programin e FMN-së, sot nuk jam të rebelohemi kundër tyre, por në anën tjetër duhet të jenë parasysh edhe gjendja e rëndë e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kundërshtimin e FMN-së për Trustin po e sheh si të gabuar edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Argumenti se Trusti ndikon në politikat makro-fiskale në stabilitetin buxhetor është gabim sepse trusti s’ka asnjë kontribut. E dyta, edhe sa i përket inflacionit, ky është një gabim i jashtëzakonshëm që bëhet dhe s’ka ide në raport me impaktin që mund të ketë kjo tërheqje. Nuk është mirë që një kohë u fshehshin pas UNMIK-ut tash me u fsheh pas FMN-së, pasi ai ka pasur gjithë këto pozicione”, shtoi ai.

Pavarësisht këtyre deklaratave, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi tha se qëndrimi i LVV-së është i njëjtë në kundërshtim të tërheqjes së mjeteve të kursimit nga Trust.

“Përgjigja është e njëjtë dhe qëndrimi i njëjtë, për sa kohë është i njëjti edhe veprimi i deputetëve në seancë do të jetë në funksion të kësaj përgjigje”, deklaroi Rrustemi.

I pyetur nga gazetarët, shefi i deputetëve të PDK-së, kërkoi nga ekzekutivi që ta lexojë drejt situatën pas bashkëpunimit të Serbisë me Rusinë.

“Qeveria të lexojë situatën drejt karshi këtij bashkëpunimi të Serbisë me Rusinë. Ne partnerët tanë strategjik i kemi pasur ShBA, ne vlerësojmë se Qeveria Kurti kanë bërë disa hapa të gabuar në raport me ShBA-të. Ka qenë çështja e gazit, kalimi nga projekti i gazsjellësit tek projekti i baterive ka qenë një gabim strategjik dhe trashanik që e ka bërë Qeveria”, shtoi ai.

Ndërsa, opozitari tjetër nga AAK, Besnik Tahiri, tha se përgjigjja më e mirë e veprimeve të Serbisë është miratimi i vendimit nga Qeveria për gazsjellësin amerikan.

“Qeveria është dashur sot të marrë një vendim për gazsjellësin amerikan, kjo do të ishte përgjigja jonë më e mirë, karshi këtij veprimi të Serbisë”, tha Tahiri.

Kritik për këtë marrëveshje u shpreh edhe deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, i cili tha se BE-ja nuk duhet të tolerojë Serbinë, që njërën anë të armatoset nga Kina dhe Rusia dhe anën tjetër të përfitojë fondet e BE-së.

“Po vërtetohet fakti se Serbia nuk ka ndryshuar, vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me federatën ruse kundër interesave të perëndimit. Kjo duhet të shërbejë edhe si argument që Serbia të orientohet pro perëndimit dhe mos të tolerohet më tutje që njërën anë të armatoset nga Kina dhe Rusia dhe anën tjetër të përfitojë nga fondet e BE-së… Tashmë kemi një marrëveshje konkrete për projektin kompakt (MCC) që do të përmbushet dhe realizohet. Veprimet dhe marrëveshjet konkrete janë përgjigja e drejtpërdrejtë për krejt spekulimet dhe dezinformuat e tyre (opozitës)”, theksoi Rrustemi.

Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ripërsëriti kërkesën ndaj kryeministrit Albin Kurti që të raportojë në Kuvend për dialogun me Serbinë.

Ndërkohë, theksoi se Qeveria Kurti e ka qasjen e gabuar për vettingun në drejtësi.

Të ngjashme