Lajme
Marrëveshja e Bislimit për largimin e njësive speciale nga veriu dhe zgjedhjet e reja zbatohet edhe më tej
Demokracia
21:24 | 03 Gusht 2023

Share:

Tashmë ka arritur të jetësohet më shumë se gjysma e Marrëveshjes së Bratisllavës, të dakorduar më 21 korrik ndërmjet zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe ndërmjetësit sllovak të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kjo marrëveshja përkthehej në largim të njësive speciale policore në dhe rreth komunave si dhe çeljen e rrugës për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Dy muajve tensione të ashpra që sollën izolimin dhe sanksionimin ndërkombëtar të Kosovës – që për mendjen e shëndosh të shumëkujt lexoheshin thjesht për mbajtjen e Lulzim Hetemit si “të burgosur komunal” – do të njoftohej se po u vinte fundi.

Bislimi do të njoftonte po atë ditë se “menjëherë” do të zvogëlohej prania prej 25 përqind e njësive speiciale policore “në dhe rreth” komunave (gjë që edhe ishte bërë menjëherë) si dhe atë që do të mbahej takim i përbashkët “për vlerësim të sigurisë” mes Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, për të konsideruar “zvogëlimet e mëtejme të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”. Edhhe kjo e dyta ndodhi sot, njoftoi Policia e Kosovës. Tjetra, tashmë Qeveria e Kosovës ka formuar Grupin Punues për të hartuar udhëzuesin administrativ për largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Hap ky gjithashtu i dakordësuar në Bratisllavë nga Bislimi dhe Lajçaku.

Largimi e rradhës prej edhe 25 për qind të pranisë së njësive speciale “në dhe rreth” ndërtesave komunale në pjesën veriore të vendit, e ka mirëpritur dhe e ka quajtur “hap të rëndësishëm drejt shtensionimit të plotë”, Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. “E mirëpres vlerësimin e sotëm të parë të përbashkët të sigurisë mes Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe NATO-s siç jemi pajtuar në Bratisllavë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt de-përshkallëzimit të plotë të situatës në veri të Kosovës”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Se tashmë është përgjysmuar vëllimi i pranisë së njësive speciale policore në veri e konfirmoi edhe ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla. “Që nga nesër do të zvogëlojmë prezencën policore edhe me një tjetër 25% në dhe rreth ndërtesave komunale”, ka shkruar Sveçla.

“Policia e Kosovës mbajti takim me EULEX_in dhe KFOR-in siç ishte e paraparë në pikën 2 të marrëveshjes së Bratisllavës. Konkluzioni i vlerësimit të përbashkët të sigurisë është që situata është e qetë. Që ngha nesër do të reduktojmë prezencën policore edhe me një 25 përqindësh tjetër në dhe rreth ndërtesave komunale”, ka shkruar ai.

“Kosova po zbaton zotimet e saj të ndërrmarra në Marrëveshjen e Bratisllavës dhe vazhdon të kontribuojë pozitivisht për de-eskalim”, ka shkruar Xhelal Sveçla.

Sonte është deklaruar edhe Besnik Bislimi. Ai ka thënë se janë duke e respektuar Marrëveshjen e Bratislavës me Bashkimin Evropian, teksa ka treguar për reduktimin e mëtejmë forcave të Policisë së Kosovë për 25 për qind rreth komunave veriore, gjë që do të vazhdojë nesër.

“Pas Marrëveshjes së Bratislavës, ka një proces të besueshëm drejt de-përshkallëzimit. Situata është e qetë tash e disa javë – konfirmuan dje bashkërisht PK-ja, KFOR-i dhe EULEX-i. Kosova po respekton plotësisht angazhimet e saj dhe beson se pala tjetër do të bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë ai. Për shkak të zhvillimeve në veri që kaluan në tension që nga maji i këtij viti, Bashkimi Evropian ka marrë masa ndëshkuee ndaj Kosovës.

Por Bislimi thotë se masat janë të përkohshme e të kthyeshme, duke nënkuptuar se këto veprime të Qeverisë në planin e deskalimit do të ndikojnë në largimin e atyre masave.

”Marrëveshja e 10 korrikut është ndërmjet BE-së dhe Kosovës dhe ka për qëllim të zbatojë deklaratën e BE27 nga 3 qershori. Masat e BE-së kundër Republikës së Kosovës deklarohen të përkohshme, të kthyeshme dhe në varësi të një përkushtimi të besueshëm për deeskalim”, ka thënë ai.  /Demokracia.com/

Të ngjashme