Lajme
Marrëveshja Bullgari-Turqi i hap derën gazit rus
Demokracia
12:26 | 03 Shtator 2023

Share:

Një pakt gazi midis Turqisë dhe Bullgarisë po ngjall frikën se mund të lejojë më shumë gaz rus në Bashkimin Evropian, ashtu si blloku po përpiqet t’i japë fund atyre importeve.

Komisioni Evropian po shikon gjithashtu marrëveshjen për të siguruar që ajo të mos shkelë rregullat e konkurrencës së BE-së.

Komisioni i tha prestigjiozes “Politico” se po e ndjek çështjen “shumë nga afër” dhe shtoi se “në rast të indikacioneve për mospërputhje, duke përfshirë një shkelje të mundshme të rregullave antitrust të BE-së, Komisioni nuk do të hezitojë të ndërmarrë veprimet e duhura”.

Marrëveshja, e nënshkruar në janar, po tregon një problem politik për Bullgarinë.

Ajo u miratua nga qeveria e përkohshme e vendit, e cila tha se ishte e shqetësuar për sigurinë e furnizimit pasi Rusia mbylli eksportet në Bullgari vitin e kaluar.

Një administratë e re reformiste thotë se marrëveshja nuk duhej të ishte nënshkruar dhe ajo ka hapur një hetim zyrtar.

Por tani për tani marrëveshja është në fuqi.

Sipas kushteve të saj, të cilat nuk janë bërë publike, kompania shtetërore bullgare e gazit “Bulgargaz” mund të importojë 1.85 miliardë metra kub gaz në vit përmes pikës kufitare të ndërlidhjes Stranzha-Malkoclar me Turqinë.

Kjo përbën rreth 60 për qind të kërkesës vjetore të Bullgarisë.

“Bulgargaz” do të duhet t’i paguajë një tarifë shërbimi prej 2 miliardë eurosh firmës turke të gazit “Botaş” për një periudhë 13-vjeçare, pavarësisht nëse e përdor këtë kapacitet.

Marrëveshja i jep gjithashtu “Botaş-it” qasje në tubacionet bullgare për t’u shitur gaz konsumatorëve në Bullgari si dhe në vendet fqinje si Rumania, duke i paguar “Bulgargaz-it” rreth 138 milionë euro tarifa tranziti.

Marrëveshja nuk shkel ligjin e BE-së.

Brukseli thotë të drejtat e transmetimit për infrastrukturën e gazit duhet t’i nënshtrohet një procesi tenderi konkurrues nëse kalojnë kufijtë e BE-së, por kjo nuk vlen për marrëveshjet me vende të treta si Turqia.

Megjithatë, po ngjall shqetësim se favorizon kompanitë bullgare dhe turke në kurriz të konkurrentëve.

Pastaj ekziston shqetësimi se marrëveshja mund të jetë një mënyrë për Rusinë për të rritur dërgesat e saj të gazit në BE.

Përpara sulmit të saj ndaj Ukrainës, Rusia përbënte rreth 40 për qind të importeve të gazit të bllokut.

Kjo ka rënë në 8.4 për qind deri më tani këtë vit pasi “Gazprom” ka përfunduar marrëveshjet e eksportit me shumë klientë të BE-së.

Problemi është se Bullgaria nuk ka asnjë mënyrë për të ditur origjinën e gazit turk dhe ai mund të vijë nga Rusia, e cila është e lidhur me Turqinë nga gazsjellësi TurkStream që kalon nën Detin e Zi.

“Botaş” importon gaz tubacioni nga Rusia, Irani dhe Azerbajxhani, si dhe gaz natyror të lëngshëm nga burime globale.

Të ngjashme